Shtresat mbrojtëse të kapitalit janë instrumente makroprudenciale, qëllimi bazë i së cilave është forcimi i pozitës së aftësisë paguese të bankave dhe rezistencës më të madhe ndaj humbjeve të paparashikuara në punë. Në këtë mënyrë forcohet edhe stabiliteti dhe siguria e sistemit bankar, por edhe i tërë sistemit financiar.

Në pajtim me Ligjin për Bankat, përveç kërkesave ligjore për sasinë e përshtatshmërisë së kapitalit, të përcaktuara në bazë të rregullorës së Bankës Popullore dhe në bazë të vlerësimit mbikëqyrës dhe/ose masës korrigjuese të vendosur nga Banka Popullore, bankat janë të obliguara të mbajnë edhe shumë përkatëse të kapitalit për mbulimin e të ashtuquajturave shtresa mbrojtëse të kapitalit. Bëhet fjalë për katër lloje të shtresave mbrojtëse të kapitalit:

1)    Shtresën mbrojtëse për ruajtje të kapitalit. Duke filluar nga 1 marsi 2017, të gjitha bankat në vend janë të obliguara vazhdimisht ta ruajnë shtresën mbrojtëse për ruajtje të kapitalit në masën 2,5% nga aktiva e ponderuar sipas rreziqeve. Kjo shtresë mbrojtëse është e përshkruar me Ligjin për Bankat, vlen për të gjitha bankat në vend dhe për futjen e saj nuk ka metodologji të veçantë.

2)    Shtresën kundërciklike mbrojtëse të kapitalit. Shtresa kundërciklike mbrojtëse e kapitalit është e destinuar për mbrojtjen e bankave nga rreziqet e ndryshimeve ciklike kryesisht nga ndryshimet në ciklin kreditor. Zakonisht, kjo shtresë mbrojtëse futet ose rritet gjatë periudhave të rritjes së konsiderueshme të kredisë dhe zvogëlohet ose lirohet gjatë periudhave kur ndryshohet cikli kreditor. Përkatësisht, në kushte të rritjes së lartë kreditore, për bankat futet obligimi për rritjen e nivelit të kapitalit me të cilin disponojnë. Obligimi i tillë, nga njëra anë e përmirëson aftësinë e bankave për mbulim të humbjeve kreditore dhe nga ana tjetër ndikon edhe në uljen e sasisë së rritjes, sepse i rrit kostot e kreditimit. Gjatë ndryshimeve të ciklit, si rregull, lirohet detyrimi për përmbushjen e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, që do të thotë se bankat mund ta përdorin këtë shtresë mbrojtëse për mbulimin e humbjeve kreditore të cilat zakonisht paraqiten në fazën rënëse të ciklit dhe njëkohësisht ul koston e kredisë, gjë që ndikon në vëllimin e kërkesës për kredi. Kështu, shtresa mbrojtëse kundërciklike e kapitalit ndikon në uljen e të ashtuquajturit prociklitet në sistemin financiar. 

Lartësia e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit përcaktohet në bazë të së ashtuquajturës normë specifike të shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, e cila paraqet mesatare të ponderuar në normat e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet e bankës ndaj vendeve të caktuara. Në pajtim me Ligjin për Bankat, Banka Popullore ka të drejtë të përshkruaj norma të ndryshme të shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet ndaj klientëve të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. Banka Popullore e përcakton sasinë e kësaj shtrese mbrojtëse të kapitalit në bazë të monitorimit të më shumë treguesve për rrezikun sistematik, duke u nisur nga treguesi bazë – devijimi i raportit mes kredive të miratuara të sektorit jofinanciar nga vendi dhe produkti i brendshëm bruto nga tendenca e tij afatgjatë, por edhe shumë tregues tjerë, siç janë treguesit e tregjeve financiare, rezistenca e sistemit bankar, ekonomia vendase, tregu i patundshmërive dhe të ngjajshme. Analiza e treguesve shtesë është po aq e rëndësishme, sepse i zbulon burimet tjera të rreziqeve, të cilat nuk janë direkt të lidhura me dinamikën e ciklit kreditor dhe mund ta nxisin natyrën ciklike të rrezikut kreditor. 

Mënyra e përcaktimit të normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet e bankave ndaj klientëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe të normës specifike të shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, si dhe mënyrës së futjes dhe ndryshimit të normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet e bankave ndaj klientëve nga Republika e Maqedonisë së Veriut janë përcaktuar në Vendimin për metodologjinë e përcaktimit të normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Këshilli i Bankës Popullore në bazë tremujore përcakton nëse ka nevojë që të mos futet, të futet, të reduktohet ose të lirohet shtresa mbrojtëse kundërciklike e kapitalit për ekspozimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në bazë të së cilës merr vendim për sasinë e normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Banka Popullore në faqen e saj të internetit  e publikon sasinë e normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, së bashku me datën e zbatimit, për ekspozimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për ekspozimet ndaj vendeve tjera.

3)    Shtresën mbrojtëse të kapitalit për bankat me rëndësi sistematike. Qëllimi i shtresës mbrojtëse të kapitalit për bankat me rëndësi sistematike është ta rrit rezistencën e bankave të cilat identifikohen si të rëndësishme sistematike ndaj goditjeve ose humbjeve të papritura të cilat mund të ndodhin gjatë punës së tyre. Futja e shumës shtesë të kapitalit të cilin duhet ta mbajnë bankat me rëndësi sistematike nuk janë tregues për rrezikun e tyre më të madh në krahasim me bankat tjera në sistem, por rrjedh vetëm nga rëndësia e tyre për tërë sistemin bankar. Aftësia paguese më e madhe e bankave me rëndësi sistematike dhe rezistenca e tyre më e madhe ndikon drejt forcimit të stabilitetit dhe sigurisë së sistemit bankar dhe rrjedhimisht gjithë ekonomisë.

Në bazë të Vendimit për metodologjinë e identifikimit të bankave me rëndësi sistematike dhe Udhëzimit për zbatimin e Vendimit për metodologjinë e identifikimit të bankave me rëndësi sistematike, Banka Popullore bën identifikimin e bankave me rëndësi sistematike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe publikon listë për identifikimin e bankave me rëndësi sistematike.

4)    Shtresën mbrojtëse të kapitalit për rrezik sistematik. Futja e kësaj shtrese mbrojtëse të kapitalit ka për qëllim kufizimin e rrezikut nga përçarja e sistemit financiar ose ekonomisë vendase, për shkak të aktiviteteve të kryera nga një ose më shumë banka në vend ose shkaku i rreziqeve ndaj të cilave janë të ekspozuar. Detyrimi për përmbushjen e normës së shtresës mbrojtëse sistematike të kapitalit mund të vendoset për të gjitha, për një ose për disa banka në vend. Ajo mund të lëviz prej 1% deri 3% nga aktiva e ponderuar sipas rreziqeve dhe mund të jetë e ndryshme për banka ose grupe të bankave të ndryshme.  

Mënyra e përcaktimit të shtresave të caktuara mbrojtëse të kapitalit është harmonizuar me kërkesat e të ashtuquajturit Bazel 3 dhe direktivën përkatëse Europiane. Shtresat mbrojtëse të përcaktuara të kapitalit mund të plotësohen vetëm me pozita nga kapitali i rregullt bazë për mbulimin e të drejtave ligjore për sasinë e përshtatshmërisë së kapitalit, të përcaktuara në bazë të rregullativës së Bankës Popullore ose në bazë të masës korrigjuese të vendosur nga Banka Popullore (e ashtuquajtura tepricë e kapitalit të rregullt bazë). Banka e cila nuk ka një sasi të mjaftuar të kapitalit të rregullt bazë për mbulimin e shumës totale të shtresave mbrojtëse të kapitalit (raporti mes tepricës së kapitalit të rregullt bazë dhe shumës totale të shtresave mbrojtëse të kapitalit është më e vogel se 100%), është e kufizuar në raport me shumën maksimale të shpërndarjes së rezultatit të punës (fitimit), dhe atë: 

  • nuk mund të bëjë shpërndarje të rezultatit të punës, nëse teprica e kapitalit të rregullt bazë është më e vogël ose e barabartë me 25% nga shuma totale e shtresave mbrojtëse të kapitalit;
  • mund të shpërndajë 20% nga rezultati i punës, nëse teprica e kapitalit të rregullt bazë është më e madhe se 25%, por më e vogël ose e barabartë me 50% nga shuma totale е shtresave mbrojtëse të kapitalit;
  • mund të shpërndajë 40% nga rezultati i punës, nëse teprica e kapitalit të rregullt bazë është më e madhe se 50%, por më e vogël ose e barabartë me 75% nga shuma totale e shtresave mbrojtëse të kapitalit;
  • mund të shpërndajë 60% nga rezultati i punës, nëse teprica e kapitalit të rregullt bazë është më e madhe se 75%, por më e vogël se 100% nga shuma totale e shtresave mbrojtëse të kapitalit;
  • nuk ka kufizime të shpërndarjes, nëse teprica e kapitalit të rregullt bazë është e barabartë ose më e madhe nga shuma totale e shtresave mbrojtëse të kapitalit.

Ky kufizim zbatohet derisa banka të mbulojë shumën totale të shtresave mbrojtëse të kapitalit me tepricën e kapitalit të rregullt bazë (d.m.th. kapitali i rregullt bazë që ka mbetur pas plotësimit të normës së përcaktuar të përshtatshmërisë së kapitalit).