Roli i Bankës Popullore
Ligji për Stabilitet Financiar përcakton rregullatorët e sistemit financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut – Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ministria e Financave, Komisioni i Letrave me Vlerë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve dhe Agjencia për Mbikëqyrjen e Financimit Kapital të Sigurimit Pensional - si autoritete që kanë rol në zbatimin e politikës makroprudenciale. Çdo autoritet kompetent kontribuon në realizimin e objektivit bazë të politikës makroprudenciale, gjegjësisht për ruajtjen e stabilitetit financiar nëpërmjet aktiviteteve të mëposhtme: duke mbledhur dhe monitoruar të dhëna, informacione dhe tregues të rrezikut sistematik për segmentin e sistemit financiar nën juridiksionin e tij, duke identifikuar rreziqet që mund të zgjerohen nga segmenti i sistemit financiar nën juridiksionin e tij dhe/ose të çojnë në shfaqjen e rrezikut sistemik, përcaktimin e instrumenteve makroprudenciale, marrjen e masave mbikëqyrëse në pajtim me ligjet sektoriale dhe marrjen e masave makroprudenciale në pajtim me Ligjin për Stabilitetin Financiar dhe ligjet sektoriale. Gjatë realizimit të aktiviteteve, autoritetet kompetente veprojnë në kuadër të kompetencave të tyre të përcaktuara me ligjet sektoriale ose me Ligjin për Stabilitet Financiar.
Politika makroprudenciale e Bankës Popullore ka për qëllim kryesisht sektorin bankar, si segmenti më i madh i sektorit financiar dhe kyç për ruajtjen e stabilitetit financiar. Gjithashtu, në pajtim me kompetencat ligjore të vendos, regjistron dhe kryen mbikëqyrjen e sigurisë, stabilitetit dhe efikasitetit të sistemeve të pagesave, shlyerjeve dhe kleringut, Banka Popullore monitoron rreziqet dhe merr masa për ruajtjen e infrastrukturës së sigurt dhe stabile në tregjet financiare.
Nëpërmjet zbatimit të politikës makroprudenciale, Banka Popullore synon t'i parandalojë, reduktojë ose eliminojë rreziqet sistematike dhe të forcojë rezistencën e sektorit bankar ndaj goditjeve.
Aktivitetet e Bankës Popullore në fushën e stabilitetit financiar ndryshojnë në shumë aspekte nga detyrat dhe funksionet e tjera të Bankës Popullore. Për dallim nga mbikëqyrja, objektivi kryesor i të cilit është ruajtja e bankave të sigurta dhe stabile dhe mbrojtja e interesave të depozituesve dhe kreditorëve të tjerë që kanë investuar fondet e veta në banka, stabiliteti financiar ka fushëveprim më të gjerë, edhe krahas sistemit bankar, i cili është në fokus, monitoron arritjet dhe rreziqet në institucionet e tjera financiare (fondet pensionale, shoqëritë e sigurimeve, fondet investuese, shoqëritë e lizingut, shoqëritë financiare, etj.), si dhe lëvizjet në tregjet financiare dhe në sektorin jofinanciar (amvisëritë dhe sektori i korporativ) dhe mjedisi i përgjithshëm makroekonomik që mund të ndikojë në sektorin financiar. Gjithashtu, fokusi i mbikëqyrjes bankare si një nga aktivitetet e Bankës Popullore është stabiliteti i institucioneve bankare individuale, ndërsa stabiliteti financiar ka për qëllim ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar në tërësi. Analizat e stabilitetit financiar dallohen nga kuadri analitik i Bankës Popullore, i cili përdoret për të vlerësuar përcaktimin e politikës monetare, dhe element mbajtës i të cilit janë projeksionet makroekonomike të Bankës Popullore. Kështu, për dallim nga projeksionet makroekonomike, me të cilat tenton të vlerësohet skenari më i mundshëm për dinamikën e treguesve kryesorë makroekonomikë në periudhën e ardhshme, me analizat e stabilitetit financiar vlerësohet rezistenca e bankave ndaj skenarëve ekstremë por të mundshëm, realizimi i të cilëve mund të kërcënojë stabilitetin e gjithë sistemit bankar dhe financiar. Këto analiza zbatohen përmes kornizës së testimit të stresit të sektorit bankar, i cili është mjet i rëndësishëm për vlerësimin e rezistencës së sektorit bankar ndaj goditjeve dhe rreziqeve të mundshme për stabilitetin financiar.
Për ruajtjen e stabilitetit financiar, është e domosdoshme harmonizimi i politikave, si në kuadër të Bankës Popullore, ashtu edhe me rregullatorë të tjerë të sistemit financiar. Banka Popullore bashkëpunon me rregullatorë të tjerë të sistemit financiar përmes Komitetit për Stabilitet Financiar, që e ka rolin e trupit ndërinstitucional, i përbërë nga të gjithë rregullatorët e sistemit financiar, me përgjegjësi për monitorimin e zbatimit të politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për koordinimin e aktiviteteve në identifikimin dhe monitorimin e rreziqeve sistematike në segmentet e veçanta të sistemit financiar, gjatë ndërmarrjes së masave makroprudenciale dhe në përgatitjen dhe menaxhimin me krizën financiare.
Gjatë zbatimit të politikës makroprudenciale, Banka Popullore tenton të veprojë në mënyrë parandaluese, në drejtim të identifikimit në kohë dhe parandalimit të rreziqeve. Prandaj, informon publikun në detaje për rreziqet dhe burimet e mundshme të cenueshmërisë për sektorin financiar. Rezultatet e këtyre analizave publikohen në kuadër të Raportit vjetor për stabilitetin financiar. Në bazë më frekuente, përkatësisht në bazë tremujore, informon publikun për rreziqet në sektorin bankar, si segmenti më i rëndësishëm i sektorit financiar.