Në pajtim me Ligjin e Banës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Banka Popullore është përgjegjëse për kryerjen e aktiviteteve përgatitore për ndërhyrje mbi bankat, fillimin e procedurës së ndërhyrjes dhe zbatimin e instrumenteve dhe kompetencave për ndërhyrje mbi banka. Bordi Ekzekutiv i Bankës Popullore vendos për fillimin e procedurës për ndërhyrje mbi banka dhe për zbatimin e instrumenteve dhe kompetencave për ndërhyrje mbi banka, në pajtim me ligjin.

Ligji i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Banka është miratuar në pajtim me Direktivën Europiane 2014/59/BE për krijimin e kuadrit për rimëkëmbje dhe ndërhyrje mbi institucionet kreditore. Me ligji përcaktohet kuadri për ndërhyrje mbi bankat, i cili së bashku me mbikëqyrjen dhe masat për intervenim të hershëm, skemën për sigurim të depozitave dhe rolin e bankës qendrore për sigurim të mbështetjes së likuiditetit në situata të jashtëzakonshme, përbëjnë katër shtyllat e të ashtuquajturës rrjetë sigurie financiare.

Ndërhyrja mbi banka kryhet për të arritur qëllimet e mëposhtme:

− sigurimin e vazhdimësisë në kryerjen e funksioneve kritike të bankës;

− shmangien e ndikimit të rëndësishëm negativ në stabilitetin e sistemit financiar;

− mbrojtjen e mjeteve publike duke zvogëluar në minimum mundësinë e përdorimit të ndihmës së jashtëzakonshme financiare publike;

− mbrojtjen e depozituesve që kanë mbuluar depozitat;

− mbrojtjen e mjeteve monetare dhe mjeteve të tjera të klientëve të bankës.

Rregullat dhe procedura për ndërhyrje në këtë ligj zbatohen vetëm në ato banka për të cilat është përcaktuar ekzistimi i interesit publik, domethënë për të cilat për shkak të madhësisë, rëndësisë sistematike, por edhe funksioneve kritike që kryejnë, kanë ndikim të rëndësishëm në stabilitetin financiar dhe në sektorin real. Si rregull, ndërhyrja mbi bankë është e interesit publik nëse bëhet fjalë për bankë me rëndësi sistematike. Bankat që nuk kryejnë funksione kritike dhe për të cilat do të vlerësohej se ndërprerja e operacioneve të tyre nuk do të shkaktonte pasoja të rëndësishme negative në stabilitetin financiar, nuk do të jenë lëndë e ndërhyrjes në pajtim me këtë ligj, por i nënshtrohen procedurave të falimentimit që do të zhvillohen në pajtim me Ligjin e Bankave dhe Ligjin e Falimentimit. 

Parimet kryesore në Ligjin e Ndërhyrjes janë që në procedurën e ndërhyrjes mbi banka, humbjet nga aktiviteti i bankës fillimisht mbulohen nga aksionerët dhe kreditorët e tjerë, në rend të kundërt nga rendi për zgjidhje të kërkesave në procedurë falimentimi të bankës, nga ku asnjë kreditor nuk duhet të ketë humbje më të mëdha nga ato që do të kishte përderisa mbi bankën do të hapej procedurë falimentimi.