Aktivitetet përgatitore për ndërhyrje mbi bankat do të ndërmerren rregullisht nga Banka Popullore, si dhe nga bankat në aktivitetet e tyre të rregullta, me qëllim përgatitjen më të mirë për zbatimin e procedurës së ndërhyrjes. Këto aktivitete përgatitore lidhen kryesisht me planin për ndërhyrje, të cilin Banka Popullore do ta përgatisë për secilën bankë, si dhe me përcaktimin e normës minimale të mjeteve vetanake dhe detyrimeve të lejuara (MREL).

Përpunimi i planit për ndërhyrje paraqet proces dinamik në të cilin bankat do të kenë rol aktiv. Baza për përgatitjen e planit do të jetë plani i rimëkëmbjes, por për qëllimet e përgatitjes së planit për ndërhyrje, Banka Popullore do të mbledhë gjithashtu të dhëna dhe informacione shtesë nga bankat.

Në pajtim me Ligjin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Bankat, janë përcaktuar dy lloje planesh, përkatësisht plan për ndërhyrje mbi banka dhe plan më i thjeshtë për ndërhyrje mbi banka. Plani për ndërhyrje mbi banka përgatitet për të gjithë bankat të cilat, bazuar në kriteret e rregullores së Bankës Popullore për metodologjinë dhe identifikimin e bankave me rëndësi sistematike, janë identifikuar si banka me rëndësi sistematike dhe për të cilat konsiderohet që me mbylljen e tyre do të vinte deri te pasoja të rëndësishme negative mbi tregun financiar, bankat tjera apo mbi kushtet për financim. Për bankat të cilat nuk janë të identifikuara si banka me rëndësi sistematike dhe për të cilat konsiderohet që ndërprerja e punës nuk do të sillte pasoja të rëndësishme negative mbi tregun financiar, bankat tjera apo kushtet e financimit, Banka Popullore përgatit plan më të thjeshtë për ndërhyrje. Plani për ndërhyrje përditësohet më së paku një herë përgjatë vitit kalendarik, ose çdo dy vjet nëse bëhet fjalë për plan më të thjesht, si dhe gjatë ndryshimeve të rëndësishme në strukturën organizative dhe pronësore të bankës, në modelin e biznesit apo në pozicionin financiar të bankës që mund të ndikojnë mbi efikasitetin dhe elementet e planit.

Gjatë përgatitjes dhe përditësimit të planit për ndërhyrje, Banka Popullore do të kryej edhe vlerësim të mundësisë për ndërhyrje mbi banka. Mundësia e ndërhyrjes mbi bankë ekziston nëse është e realizueshme dhe justifikohet  të zbatohet procedurë falimentimi mbi bankën apo nëse është e realizueshme dhe e justifikuar të ndërhyhet mbi bankë përmes zbatimit të instrumenteve dhe kompetencave për ndërhyrje, pa shkaktuar pasoja të rëndësishme negative mbi sistemin financiar dhe duke mundësuar qasje të vazhdueshme në funksionet kritike të bankës.