Ligji i Veprimtarisë me Valutë të Huaj
(“Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 34/01, 49/01, 103/01, 51/03, 81/08, 24/11, 135/11, 188/13, 97/15, 153/ 15 dhe 23/16 dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 110/21)
Ligji ekzistues i Veprimtarisë Valutore është miratuar në vitin 2001, në bazë të të cilit janë miratuar një sërë aktesh nënligjore. Ky ligj përmban disa kufizime rregullatore për lëvizjen e kapitalit drejt dhe nga jashtë, të cilat zakonisht mbulohen nga termi "regjim i këmbimit valutor". Ky Ligj përcakton disa autoritete kompetente për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit dhe marrjen e masave në fushat përkatëse si: Banka Popullore, e cila kryen mbikëqyrje të drejtpërdrejtë mbi veprimtarinë e bankave, kursimoreve dhe këmbimoreve të cilave u ka lëshuar lejen e punës, si dhe mbikëqyrjen e tërthortë të rezidentëve të tjerë në bazë të detyrimeve raportuese të parashikuara në këtë Ligj, Ministria e Financave - Inspektorati shtetëror devizor, i cili kryen mbikëqyrje inspektuese mbi veprimtarinë e rezidentëve dhe jorezidentëve të cilët ushtrojnë veprimtari në territorin e vendit, Drejtoria e Doganave e cila mbikëqyr eksportin dhe importimin në vend të parave efektive vendase dhe të huaja, çeqeve dhe arit monetar nga rezidentë dhe jorezidentë, Ministria e Ekonomisë dhe Komisioni i Letrave me Vlerë (autoritetet mbikëqyrëse).
Pagesat jashtë vendit në bazë të transaksioneve rrjedhëse (kryesisht import mallrash dhe shërbimesh) realizohen pa pengesa, por për të vërtetuar bazën dhe detyrimin e pagesës jashtë vendit, rezidenti është i detyruar të paraqesë në bankë dokument të përcaktuar në pajtim me Udhëzimin për mënyrën e kryerjes së qarkullimit pagesor të jashtëm. Arkëtimet nga jashtë bazuar në transaksionet rrjedhëse realizohen kryesisht pa pengesa, ku banka duhet të ketë informacion të saktë për bazën e hyrjes.
Shumica e transaksioneve kapitale, siç janë veprimtaritë kreditore, investime direkte, investime të jorezidentëve në letra me vlerë dhe në pasuri të patundshme realizohen gjithashtu pa pengesa. Pas hyrjes zyrtare të vendit tonë në fazën e dytë të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim – MSA (Njoftim i Ministrisë së Punëve të Jashtme në "Vendimin për kalimin në fazën e dytë të asociimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Komunitetit Europian dhe shteteve anëtare të saj" ("Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë" nr. 17/19), u bë i mundur liberalizimi i mëtejshëm i transaksioneve kapitale dhe u krijuan mundësi më të mëdha investimi për personat fizikë dhe juridikë, si dhe shkallë më e madhe e integrimit të tregut financiar vendas me tregjet financiare ndërkombëtare. Domethënë, në pajtim me nenin 59-b, paragrafi (1) të Ligjit të Veprimtarisë me Valutë të Huaj, ndalimet që ekzistonin deri atëherë, të cilat i referoheshin investimeve të rezidentëve, personave juridikë dhe fizikë në pasuri të patundshme dhe letra me vlerë jashtë vendit, janë hequr në bazë të ligjit. Kjo do të thotë se me kalimin në fazën e dytë të MSA-së, rezidentët mund të investojnë lirisht në letra me vlerë dhe pasuri të patundshme jashtë vendit.
Rezidentët duhet të jenë të kujdesshëm kur investojnë jashtë vendit mbi këto baza, dhe vendimet e tyre për investim në tregjet e huaja financiare duhet t'i bazojnë në informacione të shumta si bazë mbi të cilën mund të bazojnë pritshmëritë e tyre. Prandaj, supozohet se rezidentët, dhe veçanërisht personat fizikë të cilët do të vendosin të investojnë jashtë vendit, janë të informuar mirë për efektet dhe pasojat e mundshme të vendimeve të tyre, se kanë krijuar pritshmëri të qarta për kthimet dhe shkallën e rrezikut, si dhe janë njohur me detyrimet e tyre tatimore. Rezidentët duhet të kenë parasysh dhe respektojnë detyrimet të cilat dalin nga Ligji i Veprimtarisë me Valutë të Huaj, të cilat i referohen regjistrimit dhe raportimit të transaksioneve me letra me vlerë dhe pasurisë së patundshme jashtë vendit.
Deri në përfundimin e fazës së dytë të MSA-së mbeten në fuqi edhe dy ndalesa të tjera. Kështu, mbetet në fuqi ndalimi i rezidentëve për të investuar dhe tregtuar në arin investues jashtë vendit, i përcaktuar me nenin 22-a të Ligjit, si dhe ndalimi nga neni 23 i Ligjit, i cili sipas përvojës së shumicës së vendeve europiane është i liberalizuar me hyrjen e vendit në BE, dhe kjo është ndalimi i hapjes dhe mbajtjes së llogarive për rezidentëve jashtë vendit (përveç në pajtueshmëri me disa përjashtime të cilat janë të rregulluara me Vendimin për mënyrën dhe kushtet në të cilat rezidentët të cilët nuk janë banka të autorizuara mund të hapin dhe të kenë llogari jashtë vendit).