Vendimi për lehtësim të mëtejshëm monetar, gjegjësisht për uljen e normës bazë të interesit e morëm në kushte të zhvillimeve të qëndrueshme në tregun valutor, dinamikë të moderuar dhe të qëndrueshme të inflacionit, si dhe rritje të vazhdueshme të depozitave në sektorin bankar. Presim që ky hap të ndihmojë në uljen e kostos së financimit të amvisërive dhe korporatave përmes kredive nga bankat, në mënyrë që të kapërcejmë krizën më lehtë.
Këtë e deklaroi viceguvernatorja e Bankës Popullore, Emilia Nacevska, në një intervistë për „Kapital“.
„Përvoja e deritanishme tregon se bankat komerciale i ndjekin sinjalet e Bankës Popullore. Sigurisht, nuk mund të presim një reagim të menjëhershëm, gjegjësisht zakonisht duhet pak kohë që bankat të bëjnë rregullimet e duhura në normat e tyre të interesit. Por, unë do të doja të përmendja se sektori financiar është një ndërmjetës shumë i rëndësishëm në ruajtjen e suksesshme të stabilitetit të ekonomisë së brendshme gjatë krizës aktuale dhe nxitjen e rritjes ekonomike.“ - thekson Nacevska.
Në intervistë, ajo theksoi se tani për tani, megjithë pasiguritë e krizës shëndetësore, flukset në ekonomi janë të qëndrueshme, pa devijime më të mëdha në parametrat kryesorë makroekonomikë në raport me pritjet.
„Jemi dëshmitarë të përkeqësimit të sërishëm të situatës epidemiologjike, që çoi në kthimin e disa masave kufizuese si në korniza globale, ashtu edhe në vendin tonë. Sidoqoftë, duhet të kemi parasysh se masat janë akoma më pak kufizuese sesa ato të marra në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Aktualisht, është vështirë të vlerësohet nëse ato do të shkaktojnë një ndryshim në pritjet tona për rritje ekonomike. Sigurisht se jemi të vetëdijshëm për paparashikueshmërinë me të cilën përballemi, sepse kjo krizë nga gjeneza e saj është e natyrës jo-ekonomike. Pikërisht kjo është arsyeja pse ne po krijojmë skenarë alternativë, në të cilët theksojmë pasigurinë jashtëzakonisht të lartë për efektet e krizës së zgjatur shëndetësore mbi ekonominë.“ - thotë viceguvernatorja.
Lidhur me çështjet për zgjatjen e mundshme të krizës së koronës, Nacevska, ndër të tjera thekson se banka qendrore ka instrumente për reagime shtesë nëse është e nevojshme.
„Si çdo bankë tjetër qendrore, ne kemi një portofol instrumentesh përmes të cilave mundemi të veprojmë për të siguruar likuiditet në sistem, si për shembull transaksionet repo, dhe kemi instrumentariumin makroprudencial për veprim të plotë. Është e dobishme që në vendin tonë, norma bazë e interesit është akoma pozitive, gjë që lë hapësirë për veprime të mëtejshme të Bankës Popullore përmes këtij instrumenti, nëse është e nevojshme.“ - thekson viceguvernatorja.
Në intervistë, ajo vuri në dukje se vendimet e marra nga Banka Popullore për mbështetje të ekonomisë në përballimin me krizën japin rezultate të mira deri më tani, dhe situata po monitorohet me vigjilencë.
Intervistën mund ta gjeni në lidhjen në vijim: https://kapital.mk/%d0%b5%d0%bc%d0%b8%d0%bb%d0%b8%d1%98%d0%b0-%d0%bd%d0%b0%d1%86%d0%b5%d0%b2%d1%81%d0%ba%d0%b0-%d0%bf%d1%80%d0%be%d0%bb%d0%be%d0%bd%d0%b3%d0%b8%d1%80%d0%b0%d1%9a%d0%b5%d1%82%d0%be-%d0%bd%d0%b0-%d0%bf/