Shkup, 9 shtator 2020
Bashkëpunimi dhe komunikimi i vazhdueshëm midis Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për monitorimin e përhershëm dhe të duhur të kushteve dhe zhvillimeve në ekonomi, si dhe për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik. Ato janë dhe duhet të mbeten një prioritet i përbashkët i të dy institucioneve. Këto janë një pjesë e konstatimeve të përbashkëta nga takimi i sotëm i guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe ministrit të Financave, Fatmir Besimi.
Në takim, ndër të tjera u diskutua për situatën aktuale në ekonominë vendase pas goditjes së parë si pasojë e Kovid krizës. Ndikimi më i fortë, siç theksuan bashkëbiseduesit pritet të jetë në tremujorin e dytë të këtij viti dhe se nëse nuk ka zhvillim të pafavorshëm të krizës shëndetësore, ne tashmë mund të përqendrohemi në aktivitetet për rimëkëmbje graduale ekonomike. Sidoqoftë, sfidat nuk kanë përfunduar - krijuesit e politikave duhet të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të marrin masa adekuate për mbështetje të qytetarëve dhe kompanive dhe kur të jetë e nevojshme të reagojnë në pajtim me kompetencat e tyre
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se efektet e deritanishme nga Kovid kriza mbi ekonominë vendase janë brenda pritjeve të parashikimeve të Bankës Popullore. Rënia e aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë është shumë afër parashikimit të Bankës Popullore prej 12%. Megjithatë, siç theksoi guvernatorja, në disa tregues, arritjet janë më të mira se sa pritjet, përfshirë edhe për rezervat valutore dhe aktivitetin kredituese dhe depozitues të sistemit bankar.
„Banka Popullore është maksimalisht e përgatitur që në mënyrë e duhur të reagojë në kuadër të mandatit të saj nëse paraqitet një valë e re e krizës shëndetësore. Në këtë kontekst, është e rëndësishme edhe mbështetja me qasje në likuiditetin në valutë në euro, të cilën për herë të parë e fituam nga Banka Qendrore Evropiane, dhe do ta kishim përdorur nëse është e nevojshme.“ - tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska.
„Kriza aktuale e shkaktuar nga Kovid-19 është një sfidë historike, jo vetëm për ne, por për të gjithë botën. Me kujdes e përcjellim zhvillimin e ngjarjeve dhe reagojmë me masa të përshtatshme. Por për këtë, nevojitet një qasje e koordinuar dhe profesionale, këtu para së gjithash flas për një politikë të koordinuar fiskale dhe monetare, por natyrisht edhe më gjerë për një politikë koherente ekonomike. Mbetet që në periudhën e ardhshme të biem dakord me të gjithë palët e prekura për aktivitetet konkrete. Paralelisht me masat që tashmë duhet të merren për rimëkëmbjen e ekonomisë, duhet dhe do të punojmë edhe për masat dhe reformat që nënkuptojnë përmirësim të konkurrencës në ekonominë tonë dhe përshtatje me „normalitetin e ri“. Prioriteti kryesor do të jetë zbutja e efekteve nga Kovid kriza dhe sigurimi i një baze të qëndrueshme për rimëkëmbjen e ekonomisë, me fokus në sigurimin e rritjes së përshpejtuar në periudhën pas krizës“ - theksoi ministri Besimi.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska dhe ministri Besimi ndanë mendimin se është thelbësore që gjatë periudhë së kaluar është ruajtur dhe forcuar stabiliteti financiar, pa ndërprerje edhe gjatë Kovid krizës. Kjo vërtetohet jo vetëm me tregues që i monitorojnë të dy institucionet, por edhe perceptimet dhe vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për rezistencën e sistemit tonë financiar ndaj goditjeve. Këtyre u bashkëngjiten edhe vlerësimet nga raporti i fundit i agjencisë „Standard and Poor’s“, ku theksohet se sistemi bankar mbetet i qëndrueshëm.
Të dy bashkëbiseduesit theksuan se një sektor bankar i shëndoshë dhe i qëndrueshëm jep kontributin thelbësor për stabilitetin e përgjithshëm financiar dhe stabilizimin e pritjeve të investitorëve, dhe bashkë me të edhe mbështetjen e rritjes ekonomike.
Gjatë takimit, guvernatorja Angelovska-Bezhoska uroi ministrin Besimi për zgjedhjen e tij si Ministër dhe fillimin e mandatit të tij. Duke bërë këtë shprehu edhe besimin se në periudhën e ardhshme, ekipet profesionale të Ministrisë së Financave dhe Bankës Popullore, përveç bashkëpunimit në kuadër të aktiviteteve të rregullta institucionale, bashkë do të angazhohen edhe në përfundimin e projekteve të përbashkëta, përfshirë edhe Ligjin e ri për Shërbimet e Pagesave dhe Sistemet e Pagesave dhe Ligjin për Mbikëqyrje Makroprudenciale, si dhe ligje të tjera që duhet të sillen për forcim të mëtejshëm të sistemit financiar. Në të njëjtën kohë, planifikohen edhe aktivitete të reja projektuese që do të jenë kontribut i përbashkët për ekonominë vendore.