Thënë më thjeshtë, kolaterali është një lloj prone e paraqitur nga ana e klientit si një garanci ose siguri në lidhje me shlyerjen e ardhshme të kredisë të cilën banka do t’ia miratojë një klienti. Lloje të ndryshme të pronës së tundshme dhe patundshme mund të shërbejnë si kolateral, siç janë: Banesa, shtëpi, lokale afariste, automjete, pajisje, letra me vlerë, depozita, pretendime. Në rast se klienti nuk mund të kthejë kredinë, banka ka të drejtë të marrë pronën dhe përmes shitjes të kompensojë humbjen në bazë të kredisë së papaguar.
Paraqitja e kolateralit është një kriter i zakonshëm gjatë miratimit të një kredie afatgjate për banim, ku periudha e shlyerjes është më e lartë dhe rrjedhimisht edhe rreziku i ndërmarrë nga banka është më i lartë. Paraqitja e patundshmërisë si garanci ose siguri për kredi në praktikë është e njohur si hipotekë prej ku rrjedh edhe emri kredi (për banim) hipotekare. Mirëpo, kolateral mund të kërkohet edhe për llojet tjera të kredive, varësisht nga politikat e bankave, të cilat i përshkruajnë kushtet e huadhënies në mënyrë të pavarur. Në këtë mënyrë, bankat mbrohen nga rreziku i mos shlyerjes së kredisë.
Përveç faktorëve të rregullt sipas të cilëve bankat vlerësojnë aftësinë e klientëve për të marrë hua (punësimi, të ardhurat e rregullta, borxhe aktuale, shlyerja e kredive në të kaluarën), vëmendje e veçantë i kushtohet pronës e cila mund të paraqitet si kolateral. Zakonisht, vlera e kolateralit është një prej faktorëve sipas të cilëve bankat e përcaktojnë shumën e kredisë. Vlera e kolateralit varet prej disa faktorëve. Për shembull, vlera e një banese të dhënë si kolateral varet nga vendndodhja e saj, vitet e përdorimit, mjedisi, pajisjet. Treguesi përmes të cilit monitorohet raporti mes vlerës së kredisë dhe vlerës së kolateralit (ang. Loan to value ratio (LTV) - koeficienti i mbulimit të kredisë me kolateral) mund të jetë i ndryshëm në banka të veçanta, por edhe i ndryshëm në bankën e njëjtë për klientë të ndryshëm, varësisht nga karakteristikat e klientit dhe llojit të kolaterialit. Zakonisht, bankat kërkojnë që vlera e kolateralit të jetë më e lartë se shuma e kredisë dhe sa do të jetë lartësia varet nga lloji i kolateralit (më e ulët nëse kolaterali është lokal afarist, hapësirë për banim ose shtëpi private dhe më e lartë nëse kolaterali është tokë bujqësore, kapacitet prodhues në ndërtim, automjet). Në praktikën tonë, shpesh mbulimi i kredisë është i kolateralizuar me më së paku 120%, ndryshe nga banka në bankë. Kjo do të thotë paraqitja e një kolateralit në vlerë prej 1.200.000 denarë, që të fitoni një kredi prej 1.000.000 denarë. Vëzhguar nga ana tjetër, me një koeficient të këtillë të mbulimit të kredisë me kolateral prej 120%, vlera e kredisë është 83% nga vlera e kolateralit.
Vlera e kolateralit përcaktohet nga një vlerësues i autorizuar dhe në procesin e miratimit të kredisë kjo kosto zakonisht i akordohet klientit (në një numër të vogël të rasteve, më shpesh në kreditë për banim kur bankat kanë ndonjë promocion/kampanjë të caktuar, kostot për vlerësim mund t’i akordohen bankës). Procedura për marrjen e pronës që shërben si kolateral dhe shtija eventuale e pronës nga ana e bankës është e përcaktuar me akte ligjore përkatëse. Në periudhën gjatë së cilës klienti rregullisht e shlyen kredinë, prona e dhënë si kolateral është plotësisht nën pronësinë e klientit dhe ai e përdor lirshëm atë. Nëse klienti nuk i kryen obligimet në bazë të kredisë sipas kontratës për kredi, atëherë banka, në përputhje me mundësitë ekzistuese ligjore, fillon një procedura për pagesë të detyruar, mund të mund të marrë në posedim pronën e dhënë si kolateral dhe në procedurën përmbarimore mund të paraqitet edhe si blerës i pronës, gjegjësisht të blejë pronën.
Siç është theksuar edhe më herët, gjatë miratimit të kredisë bankat bëjnë analizë të hollësishme kreditore, ku duhet të ceket se faktori më i rëndësishëm për miratim të kredisë është aftësia e kredimarrësit për shlyerje të kredisë përmes të ardhurave të realizuara nga punësimi i rregullt (paga ose të ardhura tjera të rregullta). Kolaterali, si siguri për kredinë, është burimi dytësor për shlyerje të kredisë dhe bankat fillojnë procedurën e marrjes së kolateralit vetëm në raste kur shlyerja e rregullt e kredisë nuk është e mundshme. Llojet e këtilla për bankat janë angazhim shtesë dhe ballafaqim me pasiguri rreth kushteve për shitje të pronës së marrë.
Ekzistojnë edhe kredi për të cilat bankat nuk kërkojnë kolateral në pronë të tundshme ose patundshme, edhe pse kjo shpesh vlen për kredi konsumatore me shumë më të ulët (shpesh deri 300.000 denarë) ose për kredi të miratuara për kartë krediti ose llogari të transaksioneve me mbi-tërheqje të lejuar. Për disa kredi, në vend të kolateralit mund të kërkojnë dorëzanë ose faturë këmbimi, me ç‘rast cilësia e sigurisë me dorëzënë varet nga aftësia kredimarrëse e personit dorëzanë. Tek kreditë e miratuara në bazë të kartës së kreditit, ku nuk ka kolateral në kuptimin klasik, megjithatë tejkalimet e limitit të kartës lidhen me norma të interesit dënues, të cilat zakonisht janë të larta. Në këtë mënyrë, bankat mbrohen nga rreziku i kredisë në këto lloje të kredisë. Për krahasim, shoqatat financiare japin kredi me shuma më të ulëta krahasuar me bankat dhe për këtë arsye zakonisht nuk kërkojnë kolateral, edhe pese përmes normës së interesit ose kostove tjera për kredi gjithashtu përpiqen të mbrohen nga rreziku i kredisë gjegjësisht rrezikut nga mospagesa.
Çfarë duhet të dini kur bisedoni për kolateral gjatë miratimit të kredisë nga banka?
Duhet të keni parasysh se prona e dhënë si kolateral është garanci të cilën ia jepni bankës se në kohë dhe në shumë të plotë do ta ktheni kredinë. Zakonisht, sa më cilësorë është kolaterali, aq më e ulët është norma e interesit të kredisë tuaj. Nëse i kryeni pagesat në kohë, prona e dhënë si kloateral mbetet e juaja. Por, në të kundërtën, duhet ta keni parasysh faktin se mund ta humbni atë. Të drejtat dhe detyrimet tuaja sa u përket të gjithë aspekteve nga marrëdhënia kreditore me bankën janë të përcaktuara në kontratë, përfshirë edhe marrëdhëniet tuaja lidhur me kolateralin. Kërkoni prej bankës shpjegim për të gjithë aspektet lidhur me kolateralin dhe bëni pagesa të rregullta - vetëm kështu do të merrni kredi për financimin e nevojave tuaja, do të paguani në kohë dhe do të ruani pronën tuaj të dhënë si kolateral.
--------------------------------------------------------------
*Në ligjin për marrëdhëniet e detyrimeve është përdorur formulimi mjet për sigurimin e kërkesave. Kolateral është një term i cili përdoret në literaturën profesionale dhe shkencore në fushën e ekonomisë, si dhe në komunikimin jo-formal në vendin tonë.