
Kartelat pagesore janë një produkt financiar standard dhe një nga instrumentet më të përdorura për pagesa pa-para të gatshme në të gjithë botën. Përparësia kryesore e kartelave pagesore është shpejtësia e transaksioneve, pa pasur nevojë për mbajtjen e parave të gatshme, si dhe pranimin e gjerë të tyre përmes vendeve të shitjes, si brenda ekonomisë vendase ashtu edhe jashtë vendit. Më shpesh përdoren kartelat me funksion të debitit dhe me funksion të kreditit, gjegjësisht kartelat debitore dhe kreditore.
Kartelat debitore janë të lidhura me një llogari pagesore dhe i mundësojnë mbajtësit (personit fizik ose juridik) të tërheqë para të gatshme nga kartela nëpërmjet bankomatit ose të paguaj për mallrat dhe shërbimet e blera, në pikën fizike të shitjes - POS - terminal (ang. Point of sale) ose pikën virtuale të shitjes, gjegjësisht përmes internetit. Secili prej këtyre aktiviteteve rezulton në debitimin e llogarisë pagesore me të cilën lidhet kartela debitore. Debitimi, gjegjësisht tërheqja e fondeve nga llogaria pagsore mund të jetë pa vonesë (menjëherë) ose me vonesë të specifikuar kohore (pas një periudhe të caktuar).
Bankat dhe klienti mund të bien dakord për një shumë të lejuar të tejkalimit mbi bilancin e llogarisë. Gjatë përdorimit të fondeve shtesë brenda shumës së lejuar të tejkalimit (shuma e bilancit negativ ose e njohur si „minusi i miratuar“), emetuesi i kartelës pagesore zakonisht ngarkon interes. Klientët duhet të monitorojnë rregullisht dinamikën e përdorimit të tejkalimit të lejuar (përmes një pasqyre të llogaris bankare ose forma tjera të informimit nga banka) dhe përshtatin shpenzimet e tyre në mënyrën e duhur brenda kornizës së dhënë. Bankat zakonisht kanë mekanizma kontrolli në sistemin e tyre që nuk lejojnë klientët të shpenzojnë më shumë se „minusi i miratuar“ (pamundësi për tërheqje/shpenzim fonde mbi atë shumë).
Kartelat kreditore mund të mos lidhen me një llogari konkrete dhe përmes tyre i lejohet mbajtësit përdorim i fondeve në shumën e kufirit të miratuar të kredisë (linja e kredisë). Shuma dhe periudha kohore në të cilën mund të përdoret kufiri i kredisë, si dhe shuma e normës së interesit të aplikuar për fondet e përdorura, rregullohen në një marrëveshje midis klientit dhe emetuesit të kartelës kreditore. Në një datë të caktuar në muaj, banka rishikon përdorimin e kartelës dhe shkallën në të cilën është përdorur kufiri i kredisë. Më pas, në varësi të kushteve të përcaktuara në kontratë, banka duhet t'i sigurojë mbajtësit të kartelës kreditore një pasqyrë mujore, duke përfshirë informacionin për shumën minimale për të shlyer.
Shuma minimale e shlyerjes zakonisht caktohet në një nivel të ulët (zakonisht 3 deri në 10% të limitit të kredisë së përdorur), por zotëruesi i kartelës ka mundësinë që të paguajë më shumë sesa shuma minimale. Duke paguar vetëm shumën minimale, klienti duhet të jetë i informuar për rëndësinë e tij për pagesa të mëtejshme dhe çdo kosto shtesë të borxhit të mbetur, i cili mund të ndryshojë nga një emetues të kartelave kreditore në një tjetër.
Në shumicën e rasteve, për pagesat mujore me shumë minimale me të cilat shlyhet pjesë e borxhit të bërë duke përdorur një kartelë kreditore përdoret i ashtuquajturi urdhër periodik, me të cilin zotëruesi i kartelës kreditore autorizon bankën të tërheqë fondet automatikisht nga llogaria e tij në datën e caktuar për një qëllim të definuar. Kjo imponon nevojën që mbajtësi i kartelës të kujdeset të sigurojë bilanc të kënaqshëm në llogari në datën e rënë dakord për transferim të fondeve dhe shlyerje të borxhit nga kartela. Duhet të kemi parasysh që bankat zakonisht për një periudhë të caktuar (varësisht nga banka) tolerojnë vonesë sa i përket pagesës së shumës minimale, por kjo tregon nevojën që klienti në atë periudhë të drejtojë në mënyrë të rregullt flukset e pagesës së borxhit të kartelës. Sidoqoftë, nëse pas kësaj periudhe nuk shlyhet borxhi, kualiteti i kërkesës përkeqësohet. Banka ka të drejtë të llogarisë interes ndëshkuese për borxhin e papaguar. Nëse pagesa e borxhit vonohet më shumë se 90 ditë, bëhet fjalë për të ashtuquajturën „pretendim me probleme“ dhe banka fillon procedurën për pretendimet e këtilla dhe ndërmerr masa për shlyerjen e borxhit.
Tejkalimi i lejuar i llogarisë pagesore dhe limitit të kredisë në kartelën kreditore (shuma e përdorur dhe papërdorur) hynë në ekspozimin e kredisë të bankave ndaj klientit, gjegjësisht të dy kategoritë tregojnë borxhin e klientit ndaj një banke të caktuar. Kjo do të thotë se në rast të një kërkese për kredi, banka do të marri parasysh borxhin në bazë të tejkalimit të lejuar në llogarinë pagesore dhe limitin e kredisë në kartelën kreditore (në bankën e njëjtë dhe në banka tjera). Dallimet kryesore ndërmjet përdorimit të tejkalimit të lejuar në llogarinë pagesore dhe kufirit të kredisë në kartelën kreditore, në krahasim me kreditë konsumatore janë se kreditë konsumatore zakonisht janë me shumë më të lartë, disa herë për qëllim specifik, që imponon nevojë për analizë më të hollësishme kreditore nga ana e bankës gjatë miratimit të saj. Procedura rreth miratimit të fondeve për kartela është më e thjeshtë, por zakonisht bëhet fjalë për shuma më të vogla. Për më tepër, veçanërisht e thjeshtë është edhe procedura për miratimin e fondeve për kartela në bankën që keni llogarinë pagesore, ku pranoni pagën gjegjësisht keni flukse të rregullta hyrëse. Shpenzim shtesë në kartelën kreditore është edhe anëtarësia që i ngarkohet bartësit në bazë vjetore si kompensim për komoditetin e përdorimit të kartelës.
Bankat zakonisht dorëzojnë raport deri te klienti në bazë të rregullt, shpesh një herë në muaj, për të gjithë transaksionet me kartën në fjalë. Informohuni në bankë për mënyrën e dorëzimit të raportit të këtillë (përmes postës ose e-mailit), zgjidhni mënyrën që ju përshtatet dhe kontrolloni raportin me kujdes, me qëllim menaxhimi më efikas me paratë.
Çfarë duhet të dini gjatë përdorimit të kartelës debitore ose kartelës kreditore?
Kartelat pagesore janë një sistem i pranuar universal dhe botëror për pagesa pa-para të gatshme, të cilat përveç një sërë përparësish sa i përket shpejtësisë dhe thjeshtësisë së përdorimit, si në vend, ashtu edhe jashtë vendit, ka një përdorim të gjerë në botë. Kartelat pagesore japin edhe mundësinë e financimit shtesë nga ana e emetuesit, me kushte paraprakisht të përcaktuara, që mundëson fonde për shpenzime shtesë. Megjithatë, përdorimi i tejkalimit të lejuar në llogarinë pagesore dhe limitit të kredisë në kartelën kreditore janë në fakt përdorim i një produkti kreditor për të cilën banka ngarkon interes, gjë që kërkon kujdes nga ana e klientit me qëllim shmangien e hyrjes në borxhe të tepërta. Prandaj, menaxhoni me kujdes kartelat tuaja dhe rregullisht kontrolloni pasqyrat nga bankat.