Të nderuar përfaqësues të bankave qendrore,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,
Të nderuar mysafirë, zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e madhe t’ju drejtohem në Takimin e Pestë të Grupit Punues Rajonal për Edukim Financiar të Evropës Juglindore, nikoqir i të cilit është Banka jonë Popullore. Unë jam më se e sigurt se forumet e përbashkëta, siç është ky, janë një vend i rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe njohurinë tonë për çështje me interes të përbashkët. Dhe nuk ka asnjë dilemë se edukimi financiar, i cili është në fokus të këtij grupi punues, është çështje me interes të përbashkët që bëhet i rëndësishme për të gjithë aktorët e interesuar - bankat qendrore, rregullatorët, ofruesit e shërbimeve financiare, konsumatorët. Të gjithë përballemi me sfidat e zhvillimit të shpejtë të sistemit financiar, në të cilin të qenurit i informuar do të thotë të jesh në gjendje të përdorësh përfitimet dhe të zvogëlosh rreziqet.
Do të dëshiroja të trajtoja disa dimensione të rëndësishme, siç janë rëndësia e kulturës financiare dhe përfitimet që ajo sjell për shoqërinë, si dhe rrethanat specifike që e kanë bërë këtë çështje veçanërisht të spikatur në dekadën e kaluar, rolin e luajtur nga bankat qendrore në këtë segment, situata aktuale dhe sfidat në këtë fushë që shtrihen përpara për rajonin dhe vendin tonë.
Pse është e rëndësishme kultura financiare? Është më se e qartë se mungesa e të kuptuarit të koncepteve themelore financiare do të dëmtonte aftësinë tonë për të bërë zgjedhje të përshtatshme bazuar në informacione të mjaftueshme për kursimin, investimin dhe huazimin. Kostot e këtyre zgjedhjeve nuk janë të kufizuara vetëm për individët, por mund të sjellin pasoja sistemike që do të dëmtonin stabilitetin e përgjithshëm financiar. Transformimi i vendimeve që nuk bazohen në informacion të mjaftueshëm në rreziqe sistemike është një nga arsyet kryesore pse kultura financiare është bërë një trend në dekadën e kaluar. „Bumi“ i kredisë para krizës u mbështet nga bollëku irracional dhe besimi i tepërt në rritjen e „pafund“ të çmimeve të mjeteve dhe kostot e ulëta të financimit. „Bumi“ i kredisë u shndërrua në një ngadalësim të kredisë dhe ne ende po i ndiejmë pasojat. Sipas hartës më të fundit të pikave të dobëta të FMN-së, amvisëritë me shumë borxh janë akoma burimi kryesor i dobësive në shumë ekonomi të zhvilluara me rëndësi sistematike dhe ekonomive me zhvillim të shpejtë dhe një burim i mundshëm i krizës tjetër financiare. Natyrisht, të jesh i edukuar dhe informuar financiarisht mund të ndihmojë në parandalimin ose të paktën të zvogëlojë shfaqjen e "pikave të tilla të dobëta". Për ta afruar çështjen në kontekstin rajonal, më lejoni t'ju kujtoj „episodin“ e huazimit të tepërt në franga zvicerane që ndodhi në disa vende të rajonit (Hungari, Kroaci, Serbi, Poloni) me norma të ulëta interesi dhe stabilitetin e supozuar të kursit të këmbimit. Prandaj, kriza e fundit tregoi qartë se shumë subjekte nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat e vendimeve të tyre financiare.
Kultura financiare bëhet edhe më e rëndësishme duke marrë parasysh numrin në rritje të shërbimeve inovative të ofruara nga fintech kompanitë e reja në dekadën e fundit. Kontrolli më i rreptë rregullator mbi burimet tradicionale të financimit, nga njëra anë, dhe promovimi i burimeve të reja alternative të financimit të mbështetur nga zhvillimi i teknologjisë, nga ana tjetër, kanë qenë ndihmëse në shfaqjen e një gamë të produkteve dhe shërbimeve të reja financiare. Kjo promovon përfshirje më të madhe financiare, por gjithashtu i ekspozon konsumatorët ndaj rreziqeve të reja. Fakti që fintech zgjidhjet mund të jenë shumë komplekse e bën të vështirë për ofruesit e shërbimeve dhe/ose rregullatorët të identifikojnë dhe zbusin rreziqet. Sipas të dhënave në botimin „Fokusimi i Evropës Juglindore në Fintech dhe Inovacione“, Fintech është dega e IT me zhvillim më të shpejtë dhe secili prej dy segmenteve më të mëdhenj të fintech-ut në rajon - shërbimet e pagesave dhe financimi grupor (crowdfunding) dhe huazimi në nivel të njëjtë (peer-to-peer), përfshin rreth një të katërtën e të gjithë fintech kompanive të Evropës Juglindore. Viteve të fundit, kjo prirje madje ka çuar në diskutime mbi rrezikun e përjashtimit financiar në rast se edukimi financiar nuk është në hap me inovacionin financiar. Kjo kërkon vigjilencë, vetëdije dhe njohuri më të madhe nga të gjithë aktorët për mundësitë që ata ofrojnë, por edhe për rreziqet.
Kultura financiare mund të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e kursimeve të brendshme, e cila është një nga faktorët kryesorë në përshpejtimin e konvergjencës reale në rajon. Edhe pse kursimet e brendshme kanë qenë në rritje gjatë periudhës së fundit, në shumicën e ekonomive të rajonit ato janë akoma nën nivelet e duhura për të mbështetur investime më të forta dhe për të rritur potencialin afatgjatë të ekonomive. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke marrë parasysh modelet e ndryshueshme të biznesit të bankave, të cilat nënkuptojnë më pak mbështetje në burimet e jashtme të financimit që mund të paraqesin kufizime për mbështetje më të fortë të kredisë. Edukimi më i madh financiar gjithashtu mund të kontribuojë në kursime më të mëdha në instrumentet e tregut të kapitalit dhe kështu të sigurojë një strukturë më të ekuilibruar të financimit të sektorit të korporatave. Aktualisht, thellësia e tregut të kapitalit në rajon luhatet rreth 50% të PBB-së, që është larg nën mesataren e BE-së, prej rreth 200% të PBB-së.
Njëri prej raporteve të Nismës Vjeneze nënvizon rëndësinë e kulturës financiare për tregjet e kapitalit, jo vetëm nga perspektiva e kursimeve (ana e kërkesës), por edhe nga ana e ofertës. Sipas vlerësimeve të tyre, niveli i arsimimit financiar është një nga tre faktorët kryesorë për përdorim më të ulët të burimeve alternative të financimit në rajon në krahasim me mesataren e BE-së. Kjo, edhe njëherë dëshmon se nevoja për edukim financiar në nivelin rajonal është me të vërtetë e përhapur, që do të thotë nevoja për një hapësirë më të gjerë të aktiviteteve tona në këtë fushë, e cila do të përfshijë sektorin e korporatave, veçanërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Kultura financiare mbështet procesin e vazhdueshëm të rritjes së përfshirjes financiare, e cila është veçanërisht e rëndësishme për një zhvillim ekonomik më të fortë, të qëndrueshëm dhe më gjithëpërfshirës, ku përfitimet ndahen nga komuniteti i gjerë. Nevoja për edukim dhe përfshirje më të madhe financiare është e pamohueshme. Kjo në veçanti është e rëndësishme për kontrollin e rreziqeve dhe sigurimin e potencialit të rritjes për ekonomitë.
Por cila është situata aktuale? Të dhënat tregojnë se ka mangësi të konsiderueshme dhe një rrugë të gjatë për të kaluar. Raportet e institucioneve ndërkombëtare tregojnë se vendet e Evropës Juglindore mbeten prapa ekonomive të zhvilluara sa i përket edukimit dhe përfshirjes financiare, pavarësish përpjekjeve për të adresuar këto probleme në mënyrë aktive. Sipas sondazheve për matje të edukimit financiar, në pajtim me metodologjinë standarde të Lidhjes Ndërkombëtare për Edukim Financiar të OECD (INFE-OECD), mesatarisht, 62% të popullatës në vendet e OECD-së kanë arritur minimumin e pikëve të synuara për njohuri financiare, ndërsa ne vendet e rajonit të Evropës Juglindore kjo përqindje është më e ulët 40-55%. Pavarësisht faktit se niveli i edukimit financiar i matur si përqindje e popullatës së rritur e cila ka llogari në bankë rritet, në vendet e rajonit të EJL-së kjo është edhe më i ulët kur do të krahasohet me ndonjë nga shtetet më të zhvilluara të rajonit të EQLJL-së. Të dhënat nga baza e të dhënave Global Findex e Bankës Botërore tregojnë për 77% në vitin 2017 për vendin tonë, e cila është më pak në krahasim me Kroacinë (86%), Slloveninë (98%), Letoni (93%), Estoni (98%). Sipas Sondazhit Globale për Edukimin Financiar të realizuar nga „Standard & Poor's“, në lidhje me nivelin e edukimit financiar midis vendeve të rajonit tonë dhe vendeve të grupit BE-15, diferenca mesatare në rangim është rreth 20 vende.
Çfarë roli kemi si banka qendrore në ngritjen e kulturës financiare? Duke marrë parasysh mësimet e marra nga kriza dhe risitë financiare që po zhvillohen, në dekadën e fundit, bankat qendrore kanë luajtur një rol të madh në aktivitetet e koordinuara të krijuesve të politikave kombëtare të përqendruara në edukimin dhe përfshirjen financiare. Prandaj, bankat qendrore janë pjesëmarrës aktiv dhe nxitës të procesit të edukimit financiar në pothuajse të gjitha vendet. Përfitimet janë të dukshme: subjektet e edukuara vlerësojnë më mirë rreziqet dhe kuptojnë më mirë përcaktimin e politikës monetare, kuptim sa më i mirë i ekonomisë dhe financave, aq më i pandërprerë funksionimi i tregjeve financiare; funksionimi më efikas i tregjeve financiare përmirëson transferimin e politikës monetare dhe mbështet kredibilitetin e bankës qendrore dhe, në fund, edukimi ekonomik dhe financiar nënkupton promovimin e së mirës publike.
Në këtë kontekst, më lejoni të përmend shkurtimisht aktivitetet e ndryshme që institucioni ynë ka filluar në këtë fushë. Edukimi financiar dhe përfshirja financiare janë bërë zyrtarisht pjesë e axhendës sonë të punës. Ne zgjeruam fushën e veprimtarive edukative përmes një portofoli më të gjerë të artikujve edukativë, një qasje më gjithëpërfshirëse në edukimin financiar dhe një bashkëpunim më të ngushtë me rregullatorët e tjerë. Banka Popullore, përmes aktiviteteve edukative kushtuar stafit mësimdhënës, ka mbështetur organizimin e Kuizit Evropian të Parasë për adoleshentë dhe ishte krenare për vendin e dytë në Evropë nga fituesit tanë të shkollave të mesme. Shumë i rëndësishëm është fakti që vazhdon procesi i hartimit të Strategjisë Kombëtare për Edukim dhe Përfshirje Financiare për të cilën besojmë se do të hapë rrugën drejt një shoqërie më të edukuar dhe më të përfshirë.
Të nderuar,
Kjo punëtori vërteton se, përveç iniciativave kombëtare për të ngritur dhe përmirësuar edukimin financiare, nismat rajonale janë gjithashtu në këtë drejtim. Unë mendoj se kjo qasje siguron sinergji; përdor burime të përbashkëta dhe mundëson që vizioni që ndajmë të realizohet në mënyrë më efektive.
Më vjen mirë që do të zyrtarizojmë angazhimin dhe gatishmërinë tonë edhe të veprimit të përbashkët në këtë fushë me Memorandumin e parë të Mirëkuptimit në fushën e edukimit financiar dhe përfshirjes financiare në Evropën Juglindore. Të gjithë ne duhet në veçanti të përpiqemi për zbatimin efektiv të këtyre qëllimeve në praktikë dhe nuk kam asnjë dyshim se do të jetë kështu.
Në fund të fjalimit tim, në emër të të gjithë neve, do të doja të falënderoja sinqerisht INFE-OECD dhe EFSE për mbështetjen e përgjithshme që ata na kanë dhënë për shumë vite. Është e padiskutueshme që shumë nga aktivitetet që kemi bërë deri më tani do të kishin qenë shumë më të vështira për t'u realizuar pa mbështetjen e tyre. Sinqerisht shpresoj se e kemi justifikuar besimin që na është dhënë.
Misioni që kemi është i rëndësishëm sepse me mbështetjen e edukimit financiar, ne sigurojmë të mirëa publike. „Ne nuk duhet të harrojmë se edukimi financiar nuk është një qëllim në vetvete, por një proces gradual. Fillon në fëmijëri dhe vazhdon gjatë gjithë jetës së një personi derisa të pensionohet“
- Xhorxh Karl. Prandaj, ne duhet të jemi konsistent, gjithëpërfshirës, të përkushtuar dhe të durueshëm në procesin e edukimit financiar të shoqërisë sonë.
Ju dëshiroj punë të suksesshme dhe frytdhënëse.
Ju faleminderit.