„Pavarësisht politikës të theksuar të akomodimit në periudhën pas krizës, konvergjenca reale në vendet nga rajoni i Evropës Qendrore dhe Juglindore është ngadalësuar, gjë që sugjeron që politika monetare nuk mund të zëvendësojë politikat e shëndosha strukturore të cilat janë të nevojshme për të rritur potencialin për rritje afatgjate të ekonomive.” - theksoi Guvernatorja e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, Dr. Anita Angelovska-Bezhoska në panel diskutim për rolin e politikës monetare në procesin e konvergjencës reale të ekonomive nga Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJL) drejt atyre të eurozonës, i cili u mbajt në kuadër të Konferencës të sivjetme për Integrim Ekonomik Evropian, të organizuar nga Banka Qendrore Austriake.
Në fjalën e saj në panel diskutim, Guvernatorja e BPRM-së prezantoi një pamje më afatgjate të konvergjencës reale në rajon, duke theksuar ngadalësimin e saj në periudhën pas krizës globale ekonomike dhe financiare. Ajo vuri në dukje lehtësimin e vazhdueshëm monetar në periudhën pas krizës, duke treguar mbështetjen të cilën bankat qendrore i dhanë rritjes ekonomike duke ulur normat e interesit dhe duke siguruar likuiditet shtesë.
Ndër të tjera, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se megjithatë, roli i politikës monetare duhet të lidhet kryesisht në parandalimin e dobësive në ekonomi dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe financiar, si parakushte të domosdoshme për rritje të shpejtë. Në fjalën e saj, ajo vendosi theks të veçantë mbi zvogëlimin gradual të hapësirës për veprim të politikës monetare dhe fiskale, dhe nevojën për zbatim të vazhdueshëm të reformave strukturore dhe institucionale të cilat do të mundësojnë konvergjencë më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

Në debat me guvernatorët e bankave qendrore të Rumanisë dhe Bullgarisë, të cilët gjithashtu morën pjesë në panel diskutimin, u diskutua rreth përvojave dhe sfidave në procesin e konvergjencës reale të vendeve në rajon. Në këtë kontekst, roli i politikës monetare, fokusi i të cilës duhet të mbetet në konvergjencën nominale të ekonomive, u theksua si një kusht i rëndësishëm për rritjen e potencialit të rritjes ekonomike. Në kuadër të diskutimit, u diskutua për përvojat e ndryshme të vendeve varësisht nga strategjia e zgjedhur monetare, si dhe për sfidat kryesore në kontekst të ciklit global të rritjes së normave të interesit. Në fund, theksi u vendos mbi diskutimet rreth mbështetjes publike në Rumani dhe Bullgari si vende anëtare të Bashkimit Evropian, për miratimin e euros, që do të thotë përmbushje e më shumë kritereve, përfshirë këtu edhe ndërmarrjen e reformave për harmonizim të kërkesave në fushën e mbikëqyrjes dhe njëkohësisht edhe kyçje të këtyre vendeve në mekanizmin e kurseve të këmbimit valutor edhe në bashkimin e vetëm bankar.
Konferenca për Integrim Ekonomik Evropian, e cila gjatë dy ditëve të kaluara u mbajt në Vjenë, Austri, është një nga ngjarjet më të rëndësishme tradicionale në komunitetin e bankingut qendrore në të cilën diskutohet rreth çështjeve kyçe për ekonominë evropiane. Edicioni i sivjetmë i konferencës iu kushtua mundësisë së flukseve financiare për të ndihmuar Bashkimit Evropian në promovimin e kohezionit ekonomik, social dhe territorial dhe solidaritetit ndërmjet vendeve anëtare dhe vendeve në përgjithësi në Evropë.
Guvernatorja e BPRM-së, e cila, mes folësve në Konferencë ishte përfaqësuesi i vetëm i lartë i një institucionit të një vendi i cili nuk është anëtar i BE-së, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në këtë ngjarje të rëndësishme, u kyç në mënyrë aktive edhe në diskutimin për çështje tjera të rëndësishme për ekonominë evropiane të cilat u ngritën në kuadër të disa sesioneve të konferencës.
Në Vjenë, Guvernatorja Angelovska-Bezhoska gjithashtu zhvilloi disa takime bilaterale me guvernatorë dhe përfaqësues tjerë të lartë të më shumë bankave qendrore, profesorë dhe hulumtues të universiteteve me renome dhe qendrave kërkimore, si dhe përfaqësues të më shumë institucioneve dhe organizatave financiare ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në Konferencën për Integrim Ekonomik Evropian është konfirmim se BPRM jo vetëm që hapëron me sukses në rrugën drejt Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, por është një pjesëmarrës aktiv dhe forcë shtytëse në diskutimin rreth çështjeve kyçe për komunitetin evropian të bankingut qendror dhe ekonominë.
