Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë (BPRM) dhe Asociacioni Bankar Maqedonas (ABM) nënshkruan memorandum për bashkëpunim në sferën e edukimit financiar të popullatës në vend. Në pajtim me dispozitat e memorandumit, në periudhën e mëtejshme, BPRM dhe ABM, bashkërisht do të ndërmarrin një sërë aktivitetesh të cilët kanë për qëllim rritjen e nivelit të kulturës financiare, si dhe avancimin dhe zhvillimin e përfshirjes financiare të popullatës. Në kuadër të bashkëpunimit do të ndërmerren aktivitete përmes së cilëve popullata do të marri më shumë informacione për shërbimet bankare në vend.

Siç edhe u theksua gjatë ceremonisë në të cilën u nënshkrua memorandumi nga Guvernatorja e BPRM-së, Dr. Anita Angelovska-Bezhoska dhe Kryetari i ABM z. Kosta Mitrovski, ky bashkëpunim synon rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës në lidhje me nevojën e edukimit financiar në mjedisin modern dinamik, me qëllim përmirësimin e aftësive dhe shkathtësive për marrjen e vendimeve të shëndosha financiare në praktikë. Në të njëjtën kohë, me qëllim rritjen e nivelit të përfshirjes financiare, janë planifikuar aktivitete të përbashkëta që duhet të sigurojnë informim më të mirë të popullatës dhe qasje më të madhe në shërbimet bankare, gjë që do të mundësojë shfrytëzim më të mirë të përparësive që i ofrojnë shërbimet bankare, dhe njëkohësisht duke forcuar ndërgjegjësimin e popullatës për rreziqet e mundshme në fushën e përdorimit të shërbimeve bankare si një aspekt i rëndësishëm për klientët e bankave. Përveç kësaj, në kuadër të bashkëpunimit parashihet edhe koordinim i zgjeruar në fushën e monitorimit, edukimit dhe aplikimit të mundshëm të novacioneve financiare në kuadër të sektorit bankar, të cilët ngrenë shumë sfida në të njëjtën kohë si për rregullatorët ashtu edhe për bankat dhe klientët.
Gjatë ceremonisë, ABM nënshkroi memorandum për bashkëpunim në sferën e edukimit financiar edhe me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, e përfaqësuar nga ministri, Dr. Arbër Ademi dhe Komisionin për Letra me Vlerë të Republikës së Maqedonisë (KHV), përfaqësuar nga Kryetarja, M-r Nora Aliti. Në kuadër të bashkëpunimit të përcaktuar në memorandum, mes tjerash, ABM, BPRM, MASH dhe KHV bashkërisht, për herë të parë në vendin tonë do të organizojnë “Kuizin Evropian të Parasë” - projekt i Federatës Bankare Evropiane dedikuar edukimit financiar të të rinjve. Kështu, Republika e Maqedonisë kyçet në edicionin e dytë të këtij kuizi, qëllimi themelor i të cilit është edukimi financiar i nxënësve nga mosha trembëdhjetë deri pesëmbëdhjetë vjeçare. Pritet që në kuiz të marrin pjesë mbi dyzet mijë nxënës nga njëzet e pesë vende evropiane.
Kuizi Evropian i Parasë zhvillohet në dy faza - faza e parë janë garat kombëtare në çdo vend individualisht ndërsa e dyta është finalja evropiane. Gara kombëtare ne Republikën e Maqedonisë do të mbahet më 27 mars 2019, në kuadër të Javës Evropiane të Parasë. Ekipi i dy nxënësve më të mirë do të përfaqësojnë vendin tonë në finalen e cila do të mbahet më 7 maj 2019 në Bruksel, Belgjikë. Organizimi i kësaj ngjarjeje në vendin tonë do të kontribuojë për angazhimin më të lartë të të rinjve në fushën e edukimit financiar dhe pasurimi i njohurive të tyre nga sfera e financave.
