Më 13 nëntor të vitit 2018, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të BPRM-së, në të cilën u shqyrtuan zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit si dhe gjendjet dhe treguesit për ekonominë e vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas lehtësimit të politikës monetare në gusht të vitit 2018, Komiteti në mbledhjen e nëntorit vlerësoi se pozicionimi monetar aktual është i përshtatshëm dhe u vendos që norma e bonove të bankës qendrore të mbahet në 2,75%. Gjatë mbledhjes, gjithashtu, u vendos oferta e bonove të bankës qendrore, në ankandin i cili do të mbahet më nëntor të jetë 25.000 milionë denarë.
Komiteti shqyrtoi arritjet e fundit në ekonominë e vendit në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomike të muajit tetor dhe përsëri konfirmoi perceptimet se themelet ekonomike janë të shëndosha, pa prani të mosbalanceve në ekonomi, të dukshme përmes arritjeve stabile të inflacionit dhe zhvillimeve të favorshme në tregun valutor. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive vazhdojnë të tregojnë pritje stabile dhe perceptime të favorshme. Në të njëjtën kohë, rreziqet për ekonominë nga ambienti i brendshëm dhe i jashtëm i pasigurt vazhdojnë të jenë të pranishme.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomik, pas rritjes së ekonomisë prej 1,6% në gjysmën e parë të vitit, treguesit e deritanishëm me frekuencë të lartë për aktivitetin ekonomik, në përgjithësi, çojnë në konstatimin se zhvillimet janë të ngjashme si në tremujorin e dytë të vitit. Në një konstatim të këtillë çojnë të dhënat për rritje të industrisë dhe tregtisë, gjatë rezultateve akoma negative të aktivitetit ndërtimor.
Të dhënat për inflacionin për muajin tetor tregojnë vazhdimësinë e zhvillimeve të deritanishme me normë mesatare të rritjes vjetore të çmimeve të konsumit në periudhën janar-tetor prej 1,5%, e nxitur më së shumti nga inflacioni bazë dhe çmimet e energjisë. Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm, numri i tyre është i kufizuar, dhe të dhënat e disponueshme aktuale tregojnë një pozicion të jashtëm të favorshëm.Treguesit e mjaftueshmërisë së rezervave valutore vazhdojnë të lëvizin në zonë të sigurt.
Të dhënat monetare fillestare për muajin tetor tregojnë rritje solide mujore të totalit të depozitave në sistemin bankar. Zhvendosjet pozitive në masë të madhe janë reflektim i rritjes së depozitave të korporatave, dhe një kontribut pozitiv por më të vogël ka edhe kursimi i amvisërive. Në tetor vazhdoi rritja e kredive në bazë mujore, por me një ritëm më të moderuar, ku pjesa më e madhe e rritjes rrjedh nga kreditimi i amvisërive.
Në periudhën ndërmjet dy mbledhjeve mujore të Komitetit, u mbajt gjendja e favorshme likuide e sistemit bankar, para së gjithash si pasojë e intervenimeve të BPRM-së për blerje të valutave në total prej 50,2 milion euro në tetor. Pjesëmarrja e BPRM-së me blerje të tepricës së mjeteve valutore në tregun valutor lidhet me likuiditetin valutor stabil të bankave, i cili vazhdon të jetë solid dhe mundëson kënaqjen e plotë të neto shitjeve të valutave për nevojat e klientëve.
Një ndikim shtesë në rritjen e ofertës së valutave në tregun ndërbankar ishte rregullimi i pozicioneve valutore të bankave në kushte të rritjes së investimeve të tyre në instrumente financiare me komponentë valutore. Zhvillimet e favorshme në tregun ndërbankar valutor u ruajtën edhe në fillimin e nëntorit, kështu që BPRM vazhdoi të intervenojë me blerje të tepricës së valutave. Duke pasur parasysh realizimet e këtilla, blerja kumulative e valutave të BPRM-së nga fillimi i vitit deri në 12 nëntor kap shumën 298,1 milion euro.
Luhatjet afatshkurtra në likuiditetin në denarë në muajin tetor, bankat i rregulluan në tregjet e parasë, ndërsa tepricën e mjeteve në denarë e vendosën në depozita njëditore në BPRM. Kjo lejon menaxhimin fleksibil të mjeteve dhe disponueshmërisë e tyre për mobilim të shpejtë për rritjen e mbështetjes kreditore të subjekteve ekonomike.
Në tetor, në tregjet financiare ndërkombëtare u regjistruan zhvillime të ndryshueshme gjatë një neverie të rritur për ndërmarrjen e riskut nga ana e investitorëve, në kushte të pasigurisë në lidhje me aktivitetet lidhur me politikën buxhetore në Itali, si dhe tregues makroekonomik të moderuar pak më të favorshëm në eurozonë. Përveç kësaj, vlerësimet për rritje më të moderuar globale në periudhën e ardhshme nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe përshtatja për poshtë e parashikimeve nga ana e Komisionit Evropian tregojnë ngadalësimin e mundshëm të aktivitetit ekonomik në eurozonë edhe në vitin e ardhshëm. Në rrethana të tilla, ka pasur një reduktim të aksioneve nëpër bursat botërore, dhe me rritjen e kërkesës për çmime të instrumenteve të sigurta u rritën çmimet e letrave evropiane me vlerë të borxhit. Pritjet e investitorëve për ruajtjen e ofertës së naftës në një nivel relativisht të lartë pavarësisht sanksioneve të SHBA-së ndaj eksportit të Iranit, kushtëzuan ulje të çmimit të naftës e cila ra në nivelin më të ulët në dy muajt e fundit.
Në përgjithësi, në mbledhje u konstatua se treguesit e fundit makroekonomik kryesisht lëvizin në vijë me pritjet, ndërsa qëndrimet për ambientin e implementimit të politikës monetare janë kryesisht të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. BPRM edhe gjatë periudhës së ardhshme me kujdes do t’i përcjelli të gjithë treguesit dhe ngjarjet në ekonominë e vendit dhe mjedisin e jashtëm në kontekst të pozicionimi të politikës monetare.