Mbahet mbledhja e rregullt e Këshillit të BPRM-së.
Këshilli i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë sot mbajti mbledhjen e tij të rregullt në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti i fundit tremujor dhe parashikimet makroekonomike deri në vitin 2021. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, norma bazë e interesit u zvogëlua nga 3% në 2,75%, duke reflektuar themelet e shëndosha ekonomike dhe mungesën e mosbalanceve, të dukshme përmes zhvillimeve vazhdimisht të favorshme në tregun valutor, pozicionin solid të jashtëm dhe pritjeve stabile të subjekteve ekonomike.
Sa u përket parashikimeve të fundit makroekonomikë, në kuadër të raportit përmenden ndryshime të caktuara në krahasim me parashikimet e prillit. Përkatësisht, pritjet për rritje për vitin 2018 janë rishikuar për poshtë, nga rritja e pritur prej 3,2% në prill në 2,3%. Këto ndryshime, kryesisht dalin nga performancat në gjysmën e parë të vitit 2018, kur ekonomia regjistroi rritje më të ulët nga e pritura, para së gjithash si reflektim i rënies së investimeve. Nga ana tjetër, dhe në kuadër të këtij cikli të parashikimeve, vlerësimet për rritje prej 3,5% në vitin 2019 janë mbajtur, me përshpejtim të mëtejshëm të tij në 3,8% dhe 4% në vitin 2020 dhe 2021, respektivisht.
Për këtë periudhë të parashikimeve janë ruajtur supozimet për rritje të cilët kryesisht rrjedhin nga eksporti dhe investimet, pavarësisht ambientit të jashtëm pak më të pafavorshëm, i cili kryesisht është si pasojë e rritjes pak më të vogël të kërkesës së huaj dhe rreziqeve të rritura për ekonominë botërore, në krahasim me perceptimet paraprake.
Faktorë kryesorë për rritjen vazhdojnë të jenë aktivitetet e kapaciteteve të reja industriale të orientuara drejt eksportit, investimet e huaja si dhe investimet publike në infrastrukturën rrugore. Sa i përket strukturës së rritjes, pritet që kërkesa e brendshme të vazhdojë të ketë kontribut më të madh në rritjen gjatë periudhës së parashikimeve, me përjashtim të vitit 2018, kur eksportet neto kanë kontribut të rëndësishëm pozitiv.
Sa i përket trajektores së ardhshme të zhvillimeve të çmimeve në ekonominë vendase, parashikimet e fundit tregojnë ruajtje të ambientit të çmimeve stabile dhe mungesë të presioneve më të rëndësishme të inflacionit. Parashikimi i inflacionit është korrigjuar për poshtë për vitin 2018, gjegjësisht norma e inflacionit është rishikuar në 1,6% (përkundër 2% në parashikimet e prillit), kryesisht për shkak të performancave të ulëta aktuale. Pritet që norma e inflacionit në vitin 2019 të jetë 2%, njëjtë si në ciklin paraprak të parashikimeve, ndërsa dinamika e rritjes së çmimeve vendase prej rreth 2% pritet të mbetet deri në vitin 2021.
Në kuadër të këtij cikli të parashikimeve, raporti tremujor tregon ruajtje të vlerësimeve të deritanishme për pozicion të jashtëm të favorshëm dhe stabil, me deficit të ulët në llogarinë korrente dhe burime afatgjate të financimit të mjaftueshme për mbulimin e deficitit dhe akumulimit shtesë të rezervave valutore. Deficiti i llogarisë korrente për vitin 2018 është 0,5% të PBB-së (rishikim për poshtë në raport me 1,5% të PBB-së në parashikimin paraprak), ndërsa në plan afatmesëm pritet të jetë mesatarisht 1,6% të PBB-së. Treguesit për mjaftueshmëri të rezervave valutore tregojnë se ata mbeten në zonë të sigurt gjatë gjithë periudhës së parashikimeve.
Aktiviteti kreditues i sektorit bankar vazhdon të vlerësohet si faktor i rëndësishëm për mbështetje të rritjes ekonomike. Për vitin 2018, në pajtim me performancat në fillim të vitit, është kryer një korrigjim rritës në kreditë e sektorit privat, ku rritja kreditore parashikohet të jetë 8,4% përkundër 6,5% me parashikimet e prillit. Për vitin 2019, pritet një dinamikë e ngjashme e aktivitet kreditues prej 8,5% (7,7% në parashikimet e prillit), ndërsa për periudhën e ardhshme sa i përket vitit 2021, rritja e kredive mesatarisht do të jetë 8,4%. Vlerësimet për përshpejtim të rritjes së kredisë bazohen në supozimet për pritje stabile, rritje të potencialit depozitues të bankave dhe aktivitet të forcuar ekonomik.
Rreziqet për realizim të skenarit themelor makroekonomik në pjesën e ambientit të jashtëm vlerësohen si diçka më të favorshme në krahasim me parashikimet e prillit. Përveç kësaj, rreziqet e jashtme lidhur me ambientin ekonomik global vlerësohen si të pafavorshme në plan afatshkurtër dhe afatmesëm, në kushte të pasigurisë së rritur globale. Në të njëjtën kohë, pasiguria nga konteksti i brendshëm politik vazhdon të jetë e pranishme. Nga ana tjetër, si në parashikimet e prillit, edhe në parashikimet aktuale nuk janë përfshirë efektet nga hyrja e mundshme në NATO dhe fillimi i negociatave për pranim në BE.
Në përgjithësi, parashikimet e fundit makroekonomikë tregojnë themele të qëndrueshme dhe të sigurta të ekonomisë së vendit, me potencial për rritje solide, të mbështetur nga aktiviteti kreditues i bankave, në kushte të mungesës së presioneve të inflacionit dhe ruajtje të një pozicioni të favorshëm të jashtëm. Ky skenar paraqet një ambient stabil dhe të parashikueshëm të brendshëm politik dhe vazhdim të politikës për mbështetje të totalit të aktivitetit investues në ekonomi, flukse të mëtejshme hyrëse të investimeve të huaja, përforcim të ciklit publik infrastrukturor, si dhe ambient relativisht të favorshëm të jashtëm. Dështimi i mundshëm i supozimeve të përfshira ose materializimi i rreziqeve të theksuara të pafaovrshme, mund të çojnë në devijime nga trajektorja e parashikuar e treguesve kryesorë.
Banka Popullore edhe gjatë periudhës së ardhshme me kujdes do përcjelli zhvillimet, si dhe ndryshimet në ambientin e brendshëm dhe të jashtëm, në kontekst të zbatimit të politikës monetare.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda juridiksionit të tij.