Mbledhja e dhjetë e Këshillit të Bankës Popullore
Këshilli i Bankës Popullore sot zhvilloi mbledhjen e tij të dhjetë, në të cilën u shqyrtua dhe miratua Raporti për rreziqet në sistemin bankar në tremujorin e dytë të vitit 2017, ku u konstatua se për dallim nga lëvizjet teposhtë në aktivitetet bankare në tremujorin e parët të vitit 2017, në tremujorin e dytë të vitit ndryshimet e tyre janë të favorshme.
Aktiva në total u zmadhua për 0.6%. Depozitat, edhe pse minimalisht, gjithashtu u zmadhuan në bazë tremujore. Rritja e depozitave të subjekteve jofinanciare kryesisht është si rezultat i rritjes solide prej 7.9% të depozitave pa afat në denarë të amvisërive, për dallim nga depozitat e korporatave, të cilat u zvogëluan. Rritja më e shpejtë e depozitave të amvisërive në denarë në krahasim me ato valutore janë sinjal i kthimit gradual të besueshmërisë dhe rimëkëmbjes së procesit të denarizimit të depozitave, i cili pothuajse u ndal në tremujorin e dytë të vitit të mëparshëm nën ndikimin e ndodhive politike të vendit në atë periudhë. Mjetet të cilat i përdorin subjektet amë nuk paraqesin burim të rëndësishëm për financim të aktiviteteve të bankave të vendit edhe përpos rritjes së tyre në tremujorin e dytë. Në tremujorin e dytë të vitit 2017, bankat përdorën një pjesë të mjeteve likuide për aktivitet më të intensifikuar kreditor. Kështu, kreditë e subjekteve jofinanciare regjistrojnë rritje prej 2.2% si rezultat i kredive të aprovuara afatgjate të amvisërive.
Kualiteti i portofolit të kredisë regjistroi një përkeqësim të lehtë në këtë tremujor. Kreditë me probleme të sistemit bankar u rritën për 8.1%. Rritja e pjesëmarrjes së kredive me probleme në kreditë në total ishte plotësisht e koncentruar tek portofoli i kredive të korporatave, ku kjo pjesëmarrje u ngjit në nivelin e 10.6%. Pjesëmarrja e kredive me probleme në kreditë e amvisërive në total u mbajt në nivelin e njëjtë prej 2.5% por nuk duhet të neglizhohet rritja e vazhdueshme e kredive me probleme në këtë sektor në pesë tremujorët e fundit. Mbulimi i kredive me probleme me vetë-zhvlerësim u mbajt në nivel të lartë prej 76.9%.
Likuiditeti i sistemit bankar qëndroi në nivel të kënaqshëm, e dukshme përmes pjesëmarrjes relativisht stabile të mjeteve likuide në aktivën totale dhe mbulimin e kënaqshëm e detyrimeve afatshkurtra dhe depozitave të amvisërive me mjete likuide.
Treguesit për profitabilitet dhe efikasitet të sistemit bankar regjistrojnë përmirësime të mëtejshme dhe janë në nivel solid. Megjithatë, fitimi i sistemit bankar e ngadalëson rritjen në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Në kushte të hapësirës së kufizuar për reduktim të mëtejshëm të normave të interesit të depozitave, kontributi i të hyrave neto nga interesi në rritjen e fitimit është i reduktuar dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme. Bankat vazhdojnë të ofrojnë norma të larta të rendimentit të kapitalit mesatar dhe aktivës mesatare, prej 12.7% dhe 1.4%, respektivisht, që ka rëndësi të veçantë në procesin e krijimit të brendshëm të kapitalit, në kushte të pothuajse mungesës së de-kapitalizimit me anë të emetimit të aksioneve.
Treguesit për aftësi pageuese dhe kapitalizim të sistemit bankar u rritën në tremujorin e dytë të vitit 2017, që kryesisht është si rezultat nga fitimi i realizuar në vitin 2016. Rritja më e shpejtë e mjeteve të bankave, në krahasim me aktivën e ponderuar sipas rrezikut, mundëson përmirësim të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit deri në nivelin e 15.8%.
Për të përmbledhur, sistemi bankar në tremujorin e dytë regjistroi nivel të lartë të stabilitetit me një tendencë për rritje, ku Banka Popullore do të vazhdojë të përcjelli rreziqet në sistemin bankar në suaza të realizimit të kompetencave të saj dhe nëse është e nevojshme, të paraqesë masa dhe aktivitet për zbutjen e tyre.
Këshilli i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë, në bazë të një orari dhe dinamike të parashikuar të aktiviteteve, i miratoi edhe Vendimin për emetim dhe Vendimin për lëshim në qarkullim të monedhës për qëllime koleksionuese nga seria "Shenja të Horoskopit" me emrin "Cjapi". Monedha është me denominim prej 100 denarësh dhe është e përpunuar në sasi prej 7000 copash.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda juridiksionit të tij.
Kabineti i Guvernatorit