Filloi Konferenca e shtatë vjetore hulumtuese
Sot, në Ohër filloi Konferenca e shtatë vjetore hulumtuese e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë e titulluar: “Gati një dekadë pas krizës: Drejt ciklit të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”. Që në fillim të fjalimit përshëndetës me të cilin e hapi këtë Konferencë, Guvernatori i BPRM-së, Dimitar Bogov, theksoi se përcaktimi i këtillë tematik shpien kah periudha relativisht e gjatë që nga fillimi i krizës globale dhe nevojës së ballafaqimit të bankave qendre dhe ekonomistëve, posaçërisht ekonomistët-hulumtues, me sfidat e reja. “Në këtë moment, pyetjet të cilat duhet ti parashtrojmë dhe të shtjellojmë gjatë Konferencës do të jenë: sa e fortë dhe e qëndrueshme është rimëkëmbja globale, cilat janë arsyet për inflacionin e zvogëluar, si duhet të jetë dinamika e normalizimit të politikës monetare, a janë tani bankat më elastike, a jemi më mirë të përgatitur për ti parandaluar rreziqet? Ndoshta këto janë pyetje të thjeshta, por si në shumë raste tjera në jetën reale dhe kornizën e vërtetë ekonomike, nuk ka përgjigje të thjeshta” - theksoi guvernatori Bogov.
Gjatë adresimit para pjesëmarrësve, ai, më hollësisht drejtoi vëmendjen në gjendjet aktuale në ekonominë botërore, veçanërisht nga ato aspekte të cilat në mënyrë të drejtpërsëdrejti janë në fokusin e bankave qendrore, por edhe ekonomisë maqedonase dhe ekonomive të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të ballafaqimit me ciklin e ri global.
Në kuadër të sesionit të parë të ditës së parë punuese të Konferencës u dorëzua Çmimi Vjetor për Punim më të Mirë të Hulumtuesve të Rinj nga fusha e makroekonomisë dhe veprimtarisë bankare, të cilën Banka Popullore, tradicionalisht e ndan që nga viti 2007 e këndej. Sivjet, i’u dorëzua çmimi i dytë hulumtuesit të ri Kiril Simeonovski, për punimin “Rritja ekonomike në kushte të administrimit optimal me borxhin publik në Maqedoni”.
Sot, gjatë Konferencës do të prezantohen materiale hulumtuese të përfaqësuesve të bankave qendrore të Polonisë, Çekisë, Indonezisë dhe Austrisë, përfaqësuesve të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe të përfaqësuesve të institucioneve të shquara akademike nga Italia, Suedia dhe nga Maqedonia. Diskutim mbi temat e materialeve hulumtuese do të zhvillojnë edhe përfaqësuesit e Shkollës Londineze për Ekonomi, Bankës Qendrore Evropiane, Universitetit të Orleans, Francës dhe Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë. Gjatë ditës së sotme do të shqyrtohen më shumë tema, ndër të cilat: konvergjenca reale e vendeve në rajon, integrimi financiar dhe nxitësit e investimeve të huaja direkte, ndikimi i normalizimit të politikës monetare në vendet e zhvilluara mbi vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, rezistenca ndaj krizave, rreziqet bankare, kërkesat kapitale për bankat dhe qasja në financat e vendeve të rajonit.
Përveç pjesëmarrësve të përmendur, në Konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të më shumë bankave qendrore të rajonit, BE-së dhe më gjerë, si dhe të universiteteve të shquara botërore dhe organizatave ndërkombëtare. Bankat komerciale të Republikës së Maqedonisë
dhe institucionet tjera financiare, si dhe institucionet shtetërore gjithashtu do të jenë prezent me përfaqësuesit e tyre.
Kjo konferencë tradicionalisht mbahet për të shënuar pavarësinë monetare të Republikës së Maqedonisë.
Kabineti i Guvernatorit
|
Галерија на фотографии од Седмата годишна истражувачка конференција 12.4.2018 |