Dita e parë punuese e Konferencës së shtatë vjetore hulumtuese përfundoi me sukses
Dita e parë punuese e Konferencës së shtatë vjetore hulumtuese të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë e titulluar: “Gati një dekadë pas krizës: Drejt ciklit të ri global dhe normalizimit të politikës monetare”, e cila filloi sot në Ohër, përfundoi me sukses. Pas hapjes solemne me adresimin e Guvernatorit të BPRM-së Dimitar Bogov, gjatë Konferencës u prezantuan materiale hulumtuese të përfaqësuesve të bankave qendrore të Polonisë, Çekisë, Indonezisë dhe Austrisë, përfaqësuesve të Bankës Qendrore Evropiane, si dhe të përfaqësuesve të institucioneve të shquara akademike nga Italia, Suedia dhe nga Maqedonia. Diskutim mbi temat e materialeve hulumtuese zhvilluan edhe përfaqësuesit e Shkollës Londineze për Ekonomi, Bankës Qendrore Evropiane, Universitetit të Orleans, Francës dhe Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë. Gjatë ditës së sotme punuese u shqyrtuan më shumë pyetje të ndryshme dhe të rëndësishme nga fusha e veprimtarisë bankare, ndër të cilat: konvergjenca reale e vendeve në rajon, integrimi financiar dhe nxitësit e investimeve të huaja direkte, ndikimi i normalizimit të politikës monetare në vendet e zhvilluara mbi vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, rezistenca ndaj krizave, rreziqet bankare, kërkesat kapitale për bankat dhe qasja në financat e vendeve të rajonit. Pjesëmarrësit në Konferencë zhvilluan diskutim frytdhënës, duke dhënë përgjigje në lidhje me çështjet e mbuluara ekonomike dhe këmbim të eksperiencave të cilat para së gjithash do t’u mundësojnë bankave qendrore që më mirë të ballafaqohen me sfidat e ardhshme.
Ndër tjerash, që nga pjesa e parë e ditës së sotme punuese të Konferencës u dorëzua Çmimi vjetor për Punim më të Mirë të Hulumtuesve të Rinj nga fusha e makroekonomisë dhe veprimtarisë bankare. Sivjet, i’u dorëzua çmimi i dytë hulumtuesit të ri Kiril Simeonovski, për punimin “Rritja ekonomike në kushte të administrimit optimal me borxhin publik në Maqedoni”.
Nesër, dita e dytë e Konferencës do të fillojë me leksion hyrës të Guvernatorit të Bankës Qendrore të Belgjikës, në temën kryesore të Konferencës. Folës në panel-diskutimin e parë, të paraparë për ditën e nesërme të Konferencës, janë guvernatorët e bankave qendrore nga Maqedonia, Belgjika, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova. Tema e panel-diskutimit të guvernatorëve është cikli i ri global dhe normalizimi i politikës monetare. Në panel-diskutimin e dytë do të marrin pjesë: Përfaqësuesi Rezident Rajonal i FMN-së për Evropën Qendrore dhe Lindore, Drejtori i Institutit të Përbashkët të Vjenës (JVI) dhe Viceguvernatori i Bankës së Sllovenisë. Tema në panel-diskutimin e dytë do të jenë flukset kapitale - perspektivat dhe rreziqet e rajonit.
Kjo konferencë paraqet mundësi për këmbim të eksperiencave me përfaqësues të komunitetit më të gjerë ndërkombëtarë për çështje kyçe në fushën e makroekonomisë, politikës monetare dhe stabilitetit financiar, si për përfaqësuesit e BPRM-së ashtu edhe për bankat dhe institucionet tjera financiare të vendit.
|
Галерија на фотографии од Седмата годишна истражувачка конференција |