Nga intervista për TV21
Shkup, 3 prill 2020
Presim lehtësim të kushteve financiare si për qytetarët ashtu edhe për sektorin e korporatave. Ky ishte pikërisht qëllimi i ndryshimeve në rregulloren për funksionimin e bankave, të cilat i miratuam. Paraprakisht, kryem analiza të hollësishme në mënyrë që të gjejmë një zgjedhje e cila në të njëjtën kohë do të ndihmojë popullatën dhe kompanitë dhe do të ruhet stabiliteti financiar. Presim që bankat, në mënyrë aktive të zbatojnë mundësitë nga ndryshimet rregullatore. Këtë e deklaroi guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska në edicionin e djeshëm të emisionit „Klik plus“ në TV 21. Ajo theksoi se Banka Popullore është duke monitoruar dhe analizuar ofertat për ndryshim të kushteve të marrëveshjeve për kreditë, të cilat po publikohen këto ditë.
VIDEO
Në emision, Angelovska-Bezhoska iu referua edhe rritjes së kredisë, që në dy muajt e parë të këtij viti është e qëndrueshme dhe është rreth 7%, me ç’rast vazhdon tendenca e përqendrimit më të madh drejt amvisërive me një normë të rritjes prej rreth 11%. Në të njëjtën kohë, vazhdoi edhe rritja e depozitave, e cila ishte mesatarisht rreth 8%. „Kështu që, zhvillimet deri më tani janë të qëndrueshme, por sfida është para nesh. Të gjithë përballemi me një tronditje të madhe me natyrë joekonomike, por që mund të ketë edhe efekte të mëdha mbi ekonominë. Duke pasur parasysh këtë, është reale që të pritet ngadalësim i aktivitetit të kreditimit dhe rrjedhimisht të depozitimit në periudhën e ardhshme të këtij viti.“ - theksoi guvernatorja.
Banka Popullore, siç u njoftua gjatë emisionit, tashmë është duke punuar në mënyrë aktive në ciklin e ri të parashikimeve makroekonomike. Angelovska-Bezhoska tha se duke pasur parasysh të dhënat e fundit në dispozicion, por edhe kushtet dhe pasigurinë e imponuar nga kriza globale e koronës, do të bëhet një rishikim më i hollësishëm i pritjeve për gjendjet ekonomike në këtë vit, përfshirë edhe parashikimin e rritjes ekonomike. Siç tha ajo, sipas institucioneve financiare ndërkombëtare, tashmë pritet një ngadalësim i konsiderueshëm i aktivitetit ekonomik në korniza globale, përfshirë edhe në Bashkimin Evropian, dhe kështu në ekonominë gjermane ku është përqendruar një pjesë e madhe e eksportit tonë.
Guvernatorja theksoi se edhe të dhënat e fundit për borxhin e jashtëm çojnë në konstatimin se jemi në zonën e vendeve me borxh të moderuar. „Vetëm një prej treguesve standarde ndërkombëtare tregon tejkalimin e nivelit të moderuar të borxhit, ndërsa të gjithë treguesit tjerë tregojnë se borxhi i jashtëm është në zonën e sigurt të nivelit të ulët të borxhit të moderuar. Totali i borxhit të jashtëm, në fund të vitit 2019 është 72.2% të PBB-së, që është në nivel më të ulët krahasuar me mesataren e dy-tre viteve të fundit kur ai gravitonte rreth 74% të PBB-së.“ - tha ajo.
Gjatë emisionit, Angelovska-Bezhoska gjithashtu dërgoi edhe një porosi: „Të gjithë ne, do të dëshironim një ambient të ndryshëm në mënyrë që të merremi me çështje strukturore dhe reforma, të punojmë për të përmirësuar të ardhurat e popullatës... Mirëpo, për fat të keq, kriza e koronës imponon një sërë sfidash. Nuk mund të ikim nga realiteti dhe ne si bankë qendrore jemi të përgatitur të reagojmë ndaj sfidave në mënyrën e duhur.“