Shkup, 31 dhjetor 2022
Ndërsa numërojmë orët e fundit deri në Vitin e Ri 2023, kujtojmë të gjitha ngjarjet që shënuan vitin që kaloi dhe atë për se do ta kujtojmë atë. Në vitin 2022 festuam jubileun e 30 vjetorit të pavarësisë monetare, 30 vjet nga ndërtimi i një prej shtyllave të shtetësisë. Në kushtet e episodeve të shumta të krizës dhe rrjetezimeve historike për të cilat jemi dëshmitarë gjatë tre dekadave të fundit, ruajtja e sovranitetit monetar ka kërkuar padyshim angazhim të madh, profesionalizëm dhe udhëheqje nga banka qendrore, por edhe mbështetje nga aktorë të tjerë socialë. Duke punuar me parimin acta non verba, hap pas hapi e ndërtuam këtë institucion, duke investuar në potencialin e tij njerëzor, pa të cilin do të ishte e pamundur ruajtja dhe forcimi i stabilitetit monetar. E ruajtëm stabilitetin e denarit, një nga simbolet e shtetësisë sonë dhe spirancën e stabilitetit të ekonomisë sonë.
Megjithatë, çdo monedhë ka dy faqe, dhe çdo periudhë ka të mirat dhe të këqijat. Ashtu edhe viti 2022, për fat të keq, në historinë botërore do të mbahet mend si një tjetër vit krize ‒ viti në të cilin filloi lufta në truallin europian, vitin e krizës energjitike, vitin në të cilin bota regjistroi një nga normat më të larta të inflacionit në dekadat e fundit. Për këtë arsye të gjitha bankat qendrore, përfshirë edhe ne, ndryshuan kursin afatgjatë të politikës monetare dhe filluan ciklin e shtrëngimit të saj.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve është stabilizimi i rritjes së çmimeve, parandalimi i uljes së fuqisë blerëse të qytetarëve dhe për të siguruar parashikueshmërinë në vendimmarrje. Faktikisht, këtë jemi duke e bërë me sukses në tre dekadat e fundit, periudhë në të cilën norma më të larta inflacioni u regjistruan vetëm në disa raste në vendin tonë. Këto episode, si edhe i tanishmi, ishin kryesisht reflektim i goditjeve të jashtme që prekën ekonominë tonë të vogël, të hapur dhe të varur nga energjetika, por edhe dobësive strukturore të ekonomisë të cilave në dekadat e fundit nuk u është kushtuar vëmendja e duhur. Gjatë viteve, Banka Popullore i është përgjigjur me sukses këtyre sfidave dhe përmes masave dhe politikave të saj i është përmbajtur në mënyrë të vazhdueshme qëllimeve të saj – valutë të qëndrueshme dhe çmime të qëndrueshme.
Me vigjilencë e mbikëqyrim edhe këtë situatë krize dhe jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të mëtejshëm për të siguruar stabilitetin afatmesëm të çmimeve, që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe jetë më të mirë të qytetarëve. Vitin e ardhshëm presim ngadalësim gradual të inflacionit, i cili në afat të mesëm do të kthehej në normat historike prej rreth 2%.
Në fund, dua të theksoj se ky vit na mësoi se duhet të mendojmë dhe të veprojmë gjithmonë një hap para ‒ bota po përballet dhe do të vazhdojë të përballet me ndryshime të mëdha, ndër të tjera sfidat klimatike dhe energjetike, por edhe digjitalizimi. Është më se e qartë se theksi kryesor duhet t'i kushtohet qëndrueshmërisë ‒ energjisë të qëndrueshme, bujqësisë të qëndrueshme, financave të qëndrueshme. Prandaj nevojiten reforma strukturore që do të forcojnë elasticitetin e ekonomisë, dhe të gjithë ne që jemi politikëbërës duhet të mendojmë dhe të veprojmë me përgjegjësi, strategji dhe të qëndrueshmëri.
Ju uroj të gjithëve një vit të suksesshëm dhe shumë më të mirë në 2023!