Shkup, 31 tetor 2022
“Kursimi është një nga parakushtet e rëndësishme për jetë më të mirë për çdo individ dhe familje, por edhe faktor i rëndësishëm i nxitjes së zhvillimit ekonomik”, theksoi Evica Dellova-Jolevska, drejtoreshë në Drejtorinë për Mbrojtje të Konsumatorëve dhe Edukim Financiar në Bankën Popullore, si mysafire në Televizionin Maqedonas me rastin e Ditës së Kursimit.
Dellova-Jolevska theksoi se popullata është tradicionalisht kreditori më i rëndësishëm i bankave vendase. Depozitat e popullatës kanë pjesëmarrjen më të lartë me rreth 66% në bazën totale të depozitave të bankave dhe historikisht ato kanë shënuar rritje konstante me dinamika të ndryshme. Kështu, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, depozitat e përgjithshme të popullatës arrijnë në rreth 317 miliardë denarë, që është për 16 miliardë denarë ose 5,4% më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Duke folur për aktivitetet e edukimit financiar të ndërmarra nga Banka Popullore, drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Konsumatorëve dhe Edukim Financiar theksoi se është siguruar korniza e promovimit të edukimit financiar dhe gjithëpërfshirjes, përmes miratimit të Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare, nga të gjithë rregullatorët financiarë, nën udhëheqjen e Bankës Popullore, e cila përfshin një sërë aktivitetesh për avancimin e tyre në segmente të ndryshme të sistemit financiar. Njëkohësisht vuri në dukje aktivitetet e vitit të kaluar, kur edhe në kushtet e krizës shëndetësore janë mbajtur një numër rekord prej 102 ligjerata, të realizuara përmes platformave të internetit, me tema të ndryshme me pjesëmarrjen e 6350 dëgjuesve.
“Edukimi financiar synon t'u japë qytetarëve njohuri dhe aftësi për të kuptuar avantazhet dhe përfitimet e përdorimit të shërbimeve të ndryshme financiare, por njëkohësisht të kenë rritje të ndërgjegjësimit për rreziqet e përdorimit të këtyre shërbimeve, si dhe për të drejtat dhe detyrimet e tyre ligjore në mënyrë që ata të mund të marrin vendime bazuar në informacione të mjaftueshme, para, por edhe gjatë dhe pas përdorimit të një produkti apo shërbimi të caktuar”, tha Dellova-Jolevska. Ajo shtoi se “edukimi financiar është veçanërisht i rëndësishëm në kushtet moderne dinamike dhe është faktor që ndikon ndjeshëm në nivelin e përdorimit të produkteve të reja financiare që ofrohen në treg me zgjidhje moderne, digjitale dhe inovative”.
Dellova-Jolevska, e cila foli me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 tetor, tha se nuk ka dyshim se duhet të bëhen kursime në banka, sepse depozitat e qytetarëve janë të sigurta dhe sektori bankar është stabil. Ajo theksoi se mbajtja e parave në shtëpi nuk rekomandohet aspak, sepse ato janë subjekt i rrezikut të lartë të vjedhjes dhe situatave të tjera të padëshiruara, për dallim nga siguria e tyre në banka dhe kursimoret, por edhe se duke i mbajtur paratë në shtëpi, qytetarët humbasin mjete të bazuara në interes.
Banka Popullore vazhdon të ruajë stabilitetin e valutës vendore, denari është stabil dhe do të jetë i qëndrueshëm edhe në të ardhmen, andaj drejtoresha e theksoi edhe përparësinë e kursimit në denarë për dallim nga depozitat në valutë të huaj. “Mbajtja e mjeteve në deviza të huaja është vendim joracional dhe shkakton dëme të pabaza, sepse qytetarët paguajnë çmim më të lartë edhe nër këmbimin e valutave dhe humbasin të ardhura, duke qenë se normat e interesit për kursimet në valutë të huaj janë më të ulëta”, thotë Dellova-Jolevska.