Shënohet 31 Tetori - Dita Botërore e Kursimit

„Qytetarët tanë vazhdojnë të preferojnë të kursejnë depozita në bankë, përpara instrumenteve të tjerë në dispozicion. Deri në fund të vitit 2018, depozitat bankare përbënin rreth dy të tretat e totalit të aktivit financiar të popullatës dhe kjo pjesëmarrje është rritur krahasuar me periudhën para krizës ekonomike globale. Duke pasur parasysh që depozitat janë burimi kryesor i financimit për aktivitetet tona bankare në ekonominë tonë, është e rëndësishme që bankat vendase të ruajnë kushte konkurruese për kursim në periudhën e ardhshme. Nëse merret parasysh stabiliteti i bilancave të sektorit të brendshëm bankar, unë mendoj se kjo edhe realisht mund të pritet.“ porositi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në ngjarjen e sotme me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 tetor, të organizuar nga Asociacioni Bankar Maqedonas dhe Fondi për Sigurimin e Depozitave.
Ndër të tjera, në ngjarjen e sotme, Angelovska-Bezhoska iu referua edhe lidhshmërisë së normave të interesit të depozitave dhe normave të interesit të kredive. Ajo rikujtoi se rënia e çmimeve të kredive kontribuon pozitivisht në rritjen ekonomike, duke lehtësuar mundësinë e qasjes në huadhënie për amvisëritë dhe sektorin e korporatave, por gjithashtu tërheq rendimente më të ulëta të kursimit duke pasur parasysh se depozitat janë burim kryesor i financimit të rritjes së kredisë dhe çmimi i tyre përfshihen në koston e kredive. „Megjithatë, sipas dinamikës, ritmi i rregullimit është i ndryshëm, me ç’rast rënia e normave të interesit të depozitave është ngadalësuar konsiderueshëm në periudhën e fundit. Për tre-katër vitet e fundit, ka pasur një rënie më të shpejtë të normave të interesit për kredi në krahasim me interesat e depozitave, gjë që kontribuon në ngushtimin e shtrirjes së normës së interesit.“ - theksoi guvernatorja.
Në fjalën e saj, ajo, duke theksuar rëndësinë e kursimit për ekonominë, foli edhe për tendencat globale dhe evropian të lëvizjes së normave të interesit dhe arritjet të cilat tregojnë rritje të nivelit të depozitave në euro zonë.
Ngjarjen me rastin e Ditës Botërore të Kursimit e adresuan edhe kryetarja e ABM-së, Maja Sevkova-Shterieva, ministrja e Financave, Nina Angelvoska dhe drejtori i Fondit për Sigurim të Depozitave, Borçe Haxhiev.
Këtë vit, globalisht, Dita Botërore e Kursimit shënohet për herë të nëntëdhjetë e pestë. Tanimë shumë vite, kjo Ditë shënohet edhe në vendin tonë, me ç’rast Banka Popullore është pjesëmarrëse e rregullt dhe organizator i një pjese të ngjarjeve.