Shkup, 30 dhjetor 2021
Pas goditjes pandemike të vitit 2020, këtë vit ka trende më të favorshme në investimet e huaja direkte, por edhe në investimet totale si komponentë të PBB-së, tha në një intervistë për Al Jazeera, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska.
“Investimet e huaja direkte janë jashtëzakonisht të rëndësishme për aktivitetin ekonomik, sepse mundësojnë akses në burimet e jashtme të financimit të rritjes, gjë që është shumë e rëndësishme për ekonomitë e vogla që nuk kanë kapital të mjaftueshëm për të financuar rritjen. Akoma më e rëndësishme është se ato ndikojnë pozitivisht në cilësinë e rritjes, për shkak të fluksit të njohurive dhe teknologjive që e sjellin atë. Vitin e kaluar, gjatë goditjes së madhe pandemike, në vendin tonë ka pasur një ngadalësim të ndjeshëm të investimeve të huaja direkte. Ato ishin rreth 1.5% të PBB-së, që do të thotë gjysma e sasisë standarde në vendin tonë para pandemisë”, tha Angelovska-Bezhoska.
Ajo tregon se investimet e huaja direkte neto këtë vit kanë shënuar ecuri më pozitive, me 200 milionë euro në tre tremujorët e parë, që është një shumë më e lartë krahasuar me tre tremujorët e parë të vitit 2020, kur ato ishin 100 milionë euro. Pritet që këto tendenca të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me pritshmëri për rritje të mëtejshme të ekonomisë globale dhe perceptime më të qëndrueshme të investitorëve ndërkombëtarë.
Flukset hyrëse të bazuara në investimet e huaja direkte kontribuojnë në rritjen e totalit të investimeve. Guvernatorja theksoi se ka një rikuperim gradual të investimeve, por është më i ngadalshëm se komponentët e tjerë të PBB-së, pra mesatarisht rritja e investimeve është rreth 3.4%. Megjithatë, kjo është lëvizje pozitive, pavarësisht rënies së madhe që ka ndodhur në vitin 2020 prej rreth 16%. Presim që ky trend të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm, kur parashikohet rritje ekonomike totale prej 3.9%.
Angelovska-Bezhoska thekson se pandemia shkaktoi goditje globale me përmasa të paprecedentë dhe nëse nuk do të merreshin masa të shpejta dhe në kohë nga politikëbërësit, goditja do të ishte edhe më e madhe. Sipas vlerësimeve të FMN-së, në mungesë të një reagimi të fortë të politikës monetare dhe fiskale, në nivel global, rënia e aktivitetit ekonomik mund të trefishohej.