Shkup, 30 dhjetor 2021
Këshilli i Bankës Popullore mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u miratua Raporti për Rreziqet në Sistemin Bankar për tremujorin e tretë të vitit 2021. Bankat gjithashtu edhe në tremujorin e tretë të vitit 2021 punuan në kushte pandemie. Përveç pasigurive për shkak të pandemisë, gjatë kësaj periudhe u theksuan edhe rreziqet që lidhen me ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit dhe paqëndrueshmërinë në tregjet e produkteve parësore. Në kushtet e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, rritja e depozitave dhe e kredisë ka vijuar edhe në tremujorin e tretë të vitit. Ky tremujor u karakterizua edhe nga përfundimi i procesit të bashkimit të një banke me një tjetër, gjë që solli uljen e numrit të bankave dhe konsolidimin e sistemit bankar.
Aftësia paguese e sistemit bankar ka mbetur e qëndrueshme. Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit është i pandryshuar në krahasim me fundin e qershorit të këtij viti dhe është 17.3%. Rezultatet e stres-testimit të kryer të rezistencës së sistemit bankar ndaj goditjeve të simuluara tregojnë rezistencë të kënaqshme.
Në tremujorin e tretë, treguesit e likuiditetit vazhdojnë të jenë në nivel solid. Në fund të shtatorit, shkalla e mbulimit të likuiditetit të sistemit bankar ishte 277,7%, që është pothuajse tre herë më e lartë se minimumi rregullator (100%) dhe konfirmon vëllimin solid të likuiditetit në dispozicion të sistemit bankar të Maqedonisë.
Pavarësisht pandemisë së zgjatur, cilësia e portofolit të kredisë së bankave nuk ka ndryshuar shumë. Pjesëmarrja e kredive me probleme në totalin e kredive, në tremujorin e tretë të vitit, është në nivel prej 3.6%, ose me një rritje minimale në nivel tremujor prej 0.1 p.p. Nga pikëpamja sektoriale, rritja e kredive me probleme u përqendrua tek kreditë për amvisëri, gjë që ndikoi në përkeqësim të lehtë të normës së kredive me probleme për këtë portofol deri në 2.2%, ndërsa kreditë me probleme të korporatave u ulën dhe janë në nivel më të ulët të të gjitha kohërave (5.1%).
Sipas të dhënave të publikuara në Raport, sistemi bankar vendas vazhdon të punoj me fitim, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për ruajtjen e pozicionit kapital të bankave, përkatësisht për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e tyre dhe mbështetjen e mëtejshme të ekonomisë.
Rreziqet që lidhen me dinamikën e rritjes së aktivitetit ekonomik dhe aktiviteteve të sistemit bankar në periudhën në vijim janë të lidhura në masë të madhe me zhvillimet e mëtejshme lidhur me krizën shëndetësore, por edhe me ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit dhe prodhimit, si dhe me krizën aktuale të energjetike. Banka Popullore do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të marrë masat e duhura sa herë që është e nevojshme.
Në mbledhjen e Këshillit u miratuan edhe Plani Vjetor Financiar, Plani Vjetor i Investimeve dhe Plani Vjetor për Furnizimet Publike për vitin 2022.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda kompetencave të tij.