Shkup, 30 dhjetor 2020
Këshilli i Bankës Popullore me 28 dhjetor mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u miratua Raporti për rreziqet në sistemin bankar në tremujorin e tretë të këtij viti. Duke bërë këtë, u përcaktua se sistemi bankar ka ruajtur stabilitetin dhe qëndrueshmërinë ndaj goditjeve, në kushte të një krize shëndetësore të zgjatur dhe të paparashikueshme.
Treguesit për aftësinë paguese të sistemit bankar vazhdojnë të jenë të qëndrueshëm, me ç’rast norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është 16.9%. Mbi 90% të mjeteve vetjake i përkasin kapitalit bazë të nivelit të parë, i cili përfaqëson segmentin me cilësi më të lartë të kapitalit rregullator të bankave.
Treguesit për likuiditetin e sistemit bankar shënuan përmirësim. Kështu, pjesëmarrja e aktivit likuid në aktivin total, si dhe mbulimi i depozitave të amvisërive dhe detyrimeve afatshkurtra me aktiv likuid u rritën për përkatësisht 0,4, 1,7 dhe 0,5 pikë përqindjeje në bazë tremujore, dhe më 30 shtator të vitit 2020 ato ishin 29,9%, 58,9% dhe 50,3%, përkatësisht. Investimet në letra shtetërore me vlerë dhe aktive afatshkurtra në bankat e huaja dhanë kontributin më të madh në rritjen e aktiveve likuide, në kushte të rritjes së mëtejshme të depozitave të subjekteve jofinanciare dhe rritjes së qëndrueshme tremujore të fitimit të sistemit bankar. Depozitat e subjekteve jofinanciare u rritën për 6,6% në bazë vjetore. Me ruajtjen e aktivitetit depozitues të sistemit bankar në nivel të qëndrueshëm në kushte krize, përveç besimit të ruajtur të publikut në sistemin bankar, me rëndësi janë edhe masat ekonomike të shtetit për trajtimin e krizës së Kovid-19, që përfshinë mbështetje likuide për kompanitë dhe amvisëritë, me qëllim ruajtjen e likuiditetit të sipërmarrjeve dhe fuqisë blerëse të amvisërive.
Masat e ndërmarra nga Banka Popullore në gjysmën e parë të vitit dhanë një kontribut të konsiderueshëm në krijimin e likuiditetit në sistemin bankar, i cili do të përdoret për mbështetjen e ekonomisë maqedonase, kryesisht përmes ruajtjes së flukseve të kredisë dhe ciklit të kredisë nga ana e bankave. Aktiviteti i kredisë në sektorin bankar vazhdon të rritet, me një normë prej 6,7% në bazë vjetore.
Këshilli i Bankës Popullore gjithashtu plotësoi edhe Planin Strategjik të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për periudhën e viteve 2020-2022 me përfshirjen e aktiviteteve për monitorim dhe administrim të rreziqeve nga ndryshimet klimatike, si dhe analizë të rreziqeve që dalin nga ndryshimet klimatike mbi sistemin bankar.
Ndryshimet klimatike, si një nga kërcënimet më të mëdha globale, po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi në aktivitetet e bankave qendrore, si institucione me përgjegjësi shoqërore. Viteve të fundit, bankat qendrore gjithnjë e më shumë po diskutojnë për ndikimin e ndryshimeve klimatike mbi stabilitetin financiar dhe politikën monetare. Efektet nga ndryshimet klimatike dhe kostot ekonomike që ato i shkaktojnë mund të kenë efekte negative të transmetimit në sistemin financiar. Në të njëjtën kohë, ndryshimet klimatike ndikojnë edhe mbi politikën monetare, dhe në këtë drejtim, bankat qendrore po fillojnë me ndryshojnë mandatet, përfshirë edhe ndryshimet klimatike si pjesë e qëllimeve të tyre strategjike.
Duke pasur parasysh këto tendenca, Banka Popullore parashikon fillimin e aktiviteteve për inkorporimin e masave që do të mundësojnë mbështetje të „financave të gjelbra“ në arritjen e qëllimeve themelore. Gjithashtu, parashikohet nxitje dhe zhvillim i aktiviteteve kërkimore në fushën e „financave të gjelbra“, si fushë e cila duhet të inkorporohet në prioritetet e secilit institucione me përgjegjësi shoqërore, në mënyrë që të kontribuojë për krijimin e një ekonomie „të gjelbër“ të qëndrueshme, e cila në fund të fundit do të siguronte një standard më të lartë të jetës dhe përmirësim të cilësisë së jetës për qytetarët e saj.
Në mbledhjen e Këshillit u miratuan edhe Programi i Punës për vitin 2021 dhe Programi Afatmesëm i Punës për Periudhën e Viteve 2021-2023 të Drejtorisë për Auditim të Brendshëm, si dhe Plani Financiar Vjetor për Investime dhe Plani Vjetor për Prokurime Publike për vitin 2021.
Këshilli shqyrtoi edhe çështje tjera brenda kompetencave të tij.