Me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 Tetor, sot u mbajt një ceremoni elektronike nën organizimin e Asociacionit Bankar Maqedonas në bashkëpunim me Fondin për Sigurimin e Depozitave.
Në ngjarjen elektronike morën pjesë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ushtruesi i detyrës drejtor i Fondit për Sigurimin e Depozitave, Amir Shabani, përfaqësues të institucioneve financiare, të anëtarëve të Asociacionit Bankar Maqedonas dhe punonjësit e tyre më të mirë për vitin 2020.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska, në fjalën e saj, ndër të tjera iu referua dinamikës së normës së kursimit vendas në rajon në dhjetë vitet e kaluara, duke theksuar se tendenca është në rritje të vazhdueshme. Ajo vuri në dukje se ndryshime të tilla janë të pranishme edhe në vendin tonë, norma e kursimit vendas arriti 20,2% të PBB-së, që është përmirësimi më i madh në kuadër të grupit të vendeve nga Ballkani Perëndimor i arritur në periudhën e krizës ekonomike globale, dhe afër mesatares së vendeve të zhvilluara, duke pasur parasysh se rritja në eurozonë ishte 25,2%.
„Ky potencial nënkupton akumulim shtesë të financimit dhe destinimi i tij drejt investimeve produktive dhe projekteve mund të jetë mbështetje e rëndësishme për përshtatjet e nevojshme strukturore të sektorit real të këtij ‘normaliteti të ri’“. - porositi Angelovska-Bezhoska.

Kryetarja e Asociacionit Bankar Maqedonas, Maja Stevkova Shterieva, duke i përshëndetur të pranishmit dhe duke uruar festën theksoi:
„Rritja e depozitave flet për besimin që bankat kanë te popullata. Pikërisht prej kësaj del edhe detyrimi i bankave për t’u kujdesur për sigurinë e depozitave të kursyera dhe sigurinë e depozitave të klientëve të tyre. Shumica e burimeve të financimit në bankat e vendit tonë janë depozitat. Kjo është arsyeja pse siguria e tyre është veçanërisht e rëndësishme. Vlerësimi i duhur i rreziqeve i ekuilibruar me huadhënien duhet të jetë në shërbim të të gjithë aktorëve, si për depozituesit ashtu edhe për huamarrësit dhe aksionarët.“
Duke iu referuar tendencave specifike ekonomike në vend në kushtet e një pandemie, ministri i Financave, Fatmir Besimi tha:
„Edhe në kushte kaq të jashtëzakonshme, të dhënat tregojnë një rritje vjetore të depozitave të qytetarëve dhe kompanive. Me të dhënat e shtatorit, depozitat totale të qytetarëve shënuan një rritje vjetore prej 6,1%, ndërsa depozitat totale të kompanive shënuan një rritje vjetore prej 8%. Kursimet në denarë janë më të larta se kursimet në valutë të huaj, kështu që pesha e depozitave në denarë në totalin e depozitave, me datën 30 Shtator 2020 është 52,3%. Këto janë sinjale të mira që besimi në sistemin bankar është në një nivel të lakmueshëm. Zhvillimet pozitive të kursimeve u pasuan nga një rritje e huadhënies. Kreditimi për qytetarët dhe ndërmarrjet shënoi një rritje vjetore prej 7,3%. Kështu, kreditimi për popullatën u rrit me 9,5% dhe 5,2% për sektorin e korporatave. Të dhënat tregojnë se edhe në kohë sfidash të konsiderueshme, besimi i qytetarëve maqedonas në sistemin e brendshëm financiar mbeti i lartë. Ky është rezultat i stabilitetit të vendosur makroekonomik dhe financiar, stabilitetit të kursit të këmbimit, rregullimit mirë të hartuar dhe sjelljes së kujdesshme të bankave.“
Ushtruesi i detyrës drejtor i Fondit për Sigurimin e Depozitave, Amir Shabani deklaroi se Fondi i Sigurimit të Depozitave vazhdon të punojë në pajtim me dy parimet themelore mbi të cilat funksionojnë të gjithë sistemet për garanci të depozitave, dhe ata janë: mbrojtja dhe sigurimi i depozitave bankare dhe pagesa e dëmshpërblimit në kohë më të shkurtër të mundshme.
Gjithashtu këtë vit, 36 punonjës të 14 bankave, 2 shtëpive të kursimit, Shtëpisë për Klirim KIBS dhe Byroja Kreditore Maqedonase morën mirënjohje për punën e tyre, çmim për punën e tyre kaq të vlefshme sepse rrjedh nga vlerësimet e bashkëpunëtorëve të tyre të drejtpërdrejtë.
Dita Botërore e Kursimit u themelua më 31 tetor 1924 në Milano, në Kongresin e Parë Ndërkombëtare të Shtëpive të Kursimeve ku morën pjesë përfaqësues të 29 vendeve.
Në vendin tonë, tradicionalisht, kjo ditë festohet që nga viti 1999.