
Filloi Twinning projekti „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore në rrugën drejt anëtarësimit në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore“. Objektivi kryesor i këtij projekti të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) është mbështetja e bankës tonë qendrore në harmonizimin e mëtejshëm të rregullave, rregullores, politikave dhe punës me standardet e Sistemit Evropian të Bankave Qendrore dhe me përvojat më të mira ndërkombëtare, me qëllim ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar. Në përmbushjen e aktiviteteve të projektit, partnerë të Bankës Popullore do të jenë bankat qendrore të Gjermanisë dhe Kroacisë, ndërsa në një pjesë të aktiviteteve parashihet të përfshihen edhe ekspertë të bankave qendrore të Belgjikës, Lituanisë, Portugalisë, Rumanisë dhe Holandës.
Sot u mbajt konferenca fillestare e projektit, në të cilën më hollësisht u prezantuan realizimet e planifikuara në kuadër të katër komponentëve të projektit - shërbimet e pagesave dhe sistemet e pagesave, rregullorja dhe mbikëqyrja bankare, statistika e llogarive financiare dhe analiza e politikave.
„Me përkrahjen e këtij projekti, na jepet një besim i madh, të cilin nuk kam dyshim se do ta justifikojmë duke dhënë rezultateve konkrete. Është me rëndësi të veçantë që në të katër fushat e mbuluara me aktivitetet e projektit në periudhën pas krizës ekonomike globale, në plan global ndodhin ndryshime të mëdha të cilat në të njëjtën kohë janë edhe sfida të reja për bankat qendrore. Nevojitet që edhe ne si bankë qendrore të jemi në hap me këto tendenca globale“, theksoi, ndër të tjera, guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska në fjalën përshëndetëse me të cilën u falënderua për mbështetjen e dhënë për implementimin e Projektit.
Udhëheqësi i Sektorit për çështje ekonomike, forcim institucional dhe bashkëpunim ndërkufitar i Delegacionit të BE-së në vendit tonë, Frenk Janmat, theksoi se BE-ja i mbështet angazhimet e Bankës Popullore për reforma. „Ky projekt i financuar nga BE-ja ka për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale të Bankës Popullore me qëllim përmbushjen e kërkesave të SEBQ-së. Projekti në veçanti do të kontribuojë për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe funksioneve të Bankës Popullore në fushën e sistemeve të pagesave dhe shërbimeve të pagesave, stabilitetit financiare, mbikëqyrjes, analizave ekonomike, hulumtimeve dhe statistikës. Ndër qëllimet e fundit kryesorë të Projektit është modernizimi i shërbimeve të pagesave në vend: konkretisht, rregullimi më i mirë dhe konkurrenca më e madhe do të jenë në favor të konsumatorëve dhe komunitetit të biznesit, falë numri të rritur të ofruesve të shërbimeve dhe kostove të ulëta“ - tha Janmat.

Në Konferencë, fjalë përshëndetëse gjithashtu mbajtën edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Tomas Gerberih dhe sekretari i dytë i Ambasadës së Republikës së Kroacisë, Ana Vuçiq. Me ç’rast Gerberih porositi se të gjithë „duhet plotësisht të koncentrohemi në procesin e reformave që përfundimisht do të çojnë në anëtarësim të plotë në BE me qëllim ofrimin e mundësive dhe kushteve më të mira për jetesë për të gjithë. Një prej prioriteteve kryesore në këtë proces të reformave është reforma në sektorin bankar si pjesë e reformës së sistemit ekonomik. Si rezultat i kësaj, ky twinning projekt do e ndihmojë Bankën Popullore të fitojë mbështetje në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe sistemit financiar në favor të të gjithë subjekteve ekonomike.“
Vuçiq iu referua mbështetjes të cilën Kroacia ja jep vendit tonë gjatë gjithë periudhës, nëpërmjet ekspertizës në kuadër të projekteve të shumta drejt aktiviteteve të cilat duhet të zbatohen në kuadër të proceseve euro-integruese, duke theksuar kënaqësinë që janë partner edhe në këtë projekt për përmirësimin e operacioneve të bankingut qendror. „Unë besoj se ndërtimit i kapaciteteve është një investim i vërtetë në ardhmërinë e një vendi dhe qytetarëve të tij. Prandaj, shpreh mbështetjen e sinqertë ndaj të gjithë partnerëve në këtë projekt. Puna juaj e përkushtuar do të kontribuojë për prosperitet, stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut.“ - theksoi ajo në fund të fjalës së saj.
Konferencën e adresuan edhe përfaqësues të partnerëve të projektit - bankat qendrore të Gjermanisë dhe Kroacisë, me ç’rast aktivitetet e planifikuara të projektit u prezantuan më hollësisht edhe nga liderët e projektit.
Nga aktivitete që do të realizohen në kuadër të katër komponentëve të projektit pritet që përveç Bankës Popullore, përfitim të kenë edhe të gjithë subjektet ekonomike në vend.
Projekti „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore në rrugën drejt anëtarësimit të saj në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore“ do të zgjasë deri në fund të vitit të ardhshëm. Për realizimin e tij, BE-ja ka ndarë 600.000 euro.
