Shkup, 30 maj 2023
“Pa dyshim, prioriteti i bankave qendrore është stabilizimi i inflacionit, për të cilin duhet të vazhdojnë të zhvillohen politika të kujdesshme makroekonomike”. Këtë e theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, në panelin e diskutimit të guvernatorëve në kuadër të Samitit të guvernatorëve të Bankave Qendrore, ministrave të Financave dhe drejtorëve të Administratave Tatimore në rajon, me titull “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon në kushtet e krizave të zgjatura gjeopolitike dhe ekonomike”, e cila mbahet në Mal të Zi.
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska theksoi se nga këndvështrimi historik në ballafaqimin me këtë episod inflacionist, në korniza botërore, jemi dëshmitarë të një prej shtrëngimeve më të sinkronizuara të politikës monetare në gjysmën e shekullit të kaluar, ndërsa reagimi i bankave qendrore ishte dyfish më i fortë në krahasim me mesataren historike. Kjo është karakteristikë edhe për vendet e rajonit, të cilat reaguan përmes instrumenteve të ndryshme në varësi të strategjisë monetare dhe instrumenteve që kanë në dispozicion. Si rezultat i reagimeve të bankave qendrore dhe me rënie të çmimeve të produkteve parësore, inflacioni total ngadalësohet ndjeshëm edhe nga maksimumi i tij prej 14,3% në vitin 2022 është ulur në rreth 10% sipas të dhënave më të fundit të muajit prill të këtij viti, megjithëse inflacioni bazë tregon inerci më të theksuar. Kjo prirje vërehet edhe në ekonominë maqedonase.
Në lidhje me lëvizjet e ardhshme të inflacionit në ekonomitë e rajonit, si të vogla dhe të hapura, ajo vuri në dukje se ato do të kushtëzohen nga disa faktorë të rëndësishëm. E para është kohëzgjatja dhe madhësia e goditjeve të jashtme, respektivisht ndryshimet në tregjet e produkteve parësore, të cilat ne nuk mund të ndikojmë. Për më tepër, faktor i rëndësishëm do të jetë shkalla e ndjeshmërisë së ekonomive të rajonit ndaj goditjeve të jashtme, e cila varet nga karakteristikat strukturore dhe reformat strukturore të ndërmarra për të zbutur cenueshmërinë ‒ diçka që nuk mund të ndryshohet në afat të shkurtër, por mund të ndryshohet në afat të mesëm. Së fundi, me rëndësi të jashtëzakonshme për uljen e mëtejshme të qëndrueshme të normës së inflacionit do të jetë drejtimi i politikave të kujdesshme makroekonomike dhe bashkërendimi i mirë i tyre. Me ndihmën e qëndrueshmërisë në procesin e konsolidimit fiskal do të ndërtohet hapësira fiskale, por edhe do të sigurohet edhe mbështetje në betejën me inflacionin.
Në panelin e diskutimit me temë “Ruajtja e çmimeve dhe stabilitetit bankar në kohë të pasigurta”, në të cilin mori pjesë guvernatorja, u prezantuan edhe guvernatorët e bankës qendrore të Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës dhe viceguvernatorët e Shqipërisë, Sllovenisë dhe Serbisë.