Shkup, 29 dhjetor 2023
Omne finis est nova initium, ose çdo fund është fillim i ri. Tashmë jemi në prag të vitit të ri 2024. Por, para se të hyjmë në vitin e ri, le t’i kthehemi shkurtimisht vitit që po kalon, sepse çdo mal i ngjitur na jep perspektivë shumë më të mirë.
Gjatë vitit 2023, peizazhi kompleks i ekonomisë globale ishte i mbushur me mori sfidash dhe mundësish. Derisa shumica e ekonomive janë rimëkëmbur nga efektet e krizave të kaluara, tensionet gjeopolitike dhe ndryshimet në dinamikën e tregtisë në nivel global janë ende të pasigurta. Përparimet në teknologji vazhdojnë të jenë forca lëvizëse në industri, ndërsa vetëdija kolektive është drejtuar drejt zbatimit të politikave të qëndrueshme ekonomike me pikëpamje kah ekologjia. Skena globale ekonomike në vitin 2023 u karakterizua nga elasticiteti dhe përshtatshmëria, ndërsa vendet u përpoqën të siguronin rritje dhe stabilitet gjithëpërfshirës.
Bankat qendrore, përfshirë edhe Bankën Popullore, zbatuan një nga episodet më të sinkronizuara të shtrëngimit të politikës monetare për të stabilizuar inflacionin dhe pritjet inflacioniste.
Masat që ka ndërmarrë Banka Popullore në periudhën e kaluar kanë dhënë fryte. Këtë vit, inflacioni vijon të ngadalësohet dhe nga 19,8% në tetor të vitit të kaluar, arriti në 3,1% në nëntor të këtij viti. Rezervat valutore janë në rritje dhe në nëntor arritën nivelin prej 3,9 miliardë eurove, si mbështetje e fortë për ruajtjen e stabilitetit të kursit të denarit. Stabiliteti i sektorit bankar u ruajt, kryesisht falë kërkesave rregullatore dhe masave të ndërmarra gjatë viteve të kaluara nga Banka Popullore për forcimin e kapitalit dhe likuiditetit.
Pritshmëritë për inflacionin për vitin e ardhshëm janë më të favorshme. Nëse nuk do të ketë goditje të mëdha të jashtme dhe të brendshme, inflacioni do të ulet edhe në vitin e ardhshëm dhe në terma afatmesëm do të rikthehej në mesataren historike për ekonominë tonë prej rreth 2%. Kjo korrespondon edhe me pritshmëritë e Bankës Qendrore Europiane për lëvizjet në Eurozonë dhe BE, si partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë. Në terma afatgjatë, duhet të zbatohen reforma që do të forcojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë ndaj goditjeve të mundshme në të ardhmen. Kjo mund të zbatohet përmes politikave strukturore që do të ulin rezistencën e ekonomisë.
Sa i përket reformave që do të rrisin qëndrueshmërinë e ekonomisë sonë, nuk mund të lihen anash politikat e tranzicionit të gjelbër. Kjo gjë nuk është vetëm imperativ ekologjik, por edhe lëvizje ekonomike strategjike, e cila do të mbështesë evolucionin e industrive, krijimin e vendeve të punës dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për ekonomi globale më të qëndrueshme dhe më rezitente. Bankat qendrore, duke përfshirë edhe bankën tonë, mbështesin tranzicionin e gjelbër kryesisht duke inkurajuar financimin e gjelbër. Tranzicioni i gjelbër është përpjekje e nevojshme grupore, e cila kërkon vetëdije grupore. Në kohën e Revolucionit të katërt industrial, ku zhvillimi vjen nga digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe automatizimi, i nevojshëm është edhe progresi në transformimin digjital të ekonomisë, i cili do të rrisë efikasitetin, produktivitetin, inovacionin dhe konkurrencën. Sektori fintek, si pjesë e transformimit digjital, luan rol kryesor në revolucionin e shërbimeve financiare, duke mundësuar disponueshmërinë, efikasitetin dhe gjithëpërfshirjen e tyre më të madhe, njëkohësisht duke forcuar mbrojtjen e të drejtave të përdoruesve.
Për në fund, deri te qytetarët dëshiroj të dërgoj urimet për Vit të Ri 2024 sa më të mirë dhe më të suksesshëm. Banka qendrore mbetet konsistente në arritjen e qëllimit të saj – ruajtjen e stabilitetit, për mirëqenien më të mirë të secilit prej nesh.
Ju uroj shumë suksese dhe shëndet në Vitin e Ri!