Shkup, 29 nëntor 2023
U miratua Programi i punës për vitin 2024 – ende më i rëndësishëm është stabiliteti i çmimeve, stabiliteti i denarit dhe i bankave.
Këshilli i Bankës Popullore miratoi Programin e punës për vitin 2024, në të cilën janë parashikuar aktivitete dhe projekte të reja, për realizim të mëtejshëm me sukses të qëllimeve strategjike. Gjithashtu u shqyrtuan edhe disa aktivitete aktuale, përfshirë edhe Raportin për pjesëmarrjen, rekomandimet dhe aktivitetet e Bankës Popullore në proceset e integrimit në BE në periudhën e kaluar njëvjeçare.
Në Raportin për pjesëmarrjen, rekomandimet dhe aktivitetet e Bankës Popullore në proceset eurointegruese konstatohet se raportet e fundit të institucioneve të BE-së në fushat dhe kapitujt në kompetencë të Bankës tregojnë se vendosja e politikës monetare është në pajtim me mjedisin ekonomik. Pozitivisht janë vlerësuar edhe masat e BPRMV-së për nxitje të kursimit në valutë vendase. Në fushën e politikës monetare, vlerësohet se përshtatja e kornizës ligjore me legjislacionin, standardet dhe praktikat e BE-së është ende në fazë të avancuar, që është vlerësimi më i lartë për gatishmërinë. Për sa i përket sistemit bankar, theksohet se korniza ligjore dhe institucionale për sigurimin e stabilitetit financiar është forcuar, ndërsa pozitivisht janë vlerësuar edhe masat makroprudenciale. Theksohet edhe progresi në përshtatjen me ligjin e BE-së në fushën e shërbimeve pagesore, si dhe përkushtimi i Bankës Popullore ndaj Kodit Europian të Praktikave Statistikore.
Në kuadër të Programit është paraparë përforcimi dhe përmirësimi i aftësive dhe kapaciteteve analitike të analizave dhe projektimeve makroekonomike për udhëheqje të politikës monetare. Prioritet për Bankën Popullore mbetet stabiliteti i çmimeve dhe ruatja e stabilitetit të kursit valutor të denarit, si dhe modernizimi i mëtejshëm i operacioneve monetare dhe planifikimi i likuiditetit. Banka Popullore do të vazhdojë me ruajtjen dhe përforcimin e stabilitetit dhe rezistencës së sistemit bankar, nëpërmjet përshtatjes së mëtejshme me rregullativën europiane, standardet ndërkombëtare dhe tendencat në fushën e rregullativës bankare, zbatimin e mandatit makroprudencial, monitorimin e rreziqeve në sistemin bankar edhe forcimin e mbikëqyrjes. Në qendër të vëmendjes do të jetë forcimi i kapaciteteve të Bankës Popullore ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe aktiviteteve të lidhura me krijimin e kushteve për zhvillim përkatës dhe përmirësimin e sektorit fintek.
Banka Popullore do të vazhdojë me monitorimin e zbatimit të kornizës së re ligjore në sferën pagesore e cila mundëson futjen e teknologjive dhe inovacioneve të reja për mbështetjen e pagesave në popullsi dhe sektorin korporativ. Do të vazhdohet edhe me aktivitetet për rritjen e transparencës dhe krahasueshmërisë së shërbimeve, për shkak të konkurrencës më të madhe dhe mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe analiza e mundësive, përparësive dhe rreziqeve të mundshme nga emetimi i valutës digjitale, denarit digjital, si formë digjitale të valutës sonë sovrane, denarit. Vëmendje e posaçme do t’ju kushtohet aktiviteteve të cilat duhet të mundësojnë integrimin e shtetit tonë në Zonën e Vetme Europiane për Pagesa (SEPA), që do të mundësojë pagesa më të shpejta dhe më të lira në euro për qytetarët dhe kompanitë.
Forcimi i njohurive financiare të popullsisë, përmirësimi i shkallës së përfshirjes financiare dhe sigurimi i mbrojtjes përkatëse të konsumatorëve janë gjithashtu fusha të rëndësishme të cilat Banka Popullore do të punojë me përkushtim edhe në vitin 2024.
Gjatë vitit 2024, Banka Popullore do të fillojë procesin e përgaditjes dhe zbatimit të Planit të ri Strategjik të Bankës Popullore për periudhën 2025 – 2027, me çka do ti definojë dhe vendosë qëllimet, fushat edhe drejtimet e ardhshme strategjike në të cilat do të veprojë në periudhën e ardhshme trevjeçare.