Shkup, 29 nëntor 2022
Banka Popullore dhe Ministria e Financave sot në Muzeun e Bankës Popullore ndanë çmimet e fituara të nxënësve në kuadër të Konkursit për përzgjedhjen e krijimeve më të mira artistike dhe letrare me rastin e Ditës Botërore të Kursimit – 31 tetor. Në ngjarjen tradicionale që këtë vit mbahet për të dhjetën herë, para të pranishmëve u drejtuan guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi.
“Dita kushtuar kursimit, e cila në mbarë botën festohet pothuajse një shekull, këtë vit është nën moton: Kursimi ju përgatit për të ardhme më të mirë! Qëllimi është të promovohet kursimi dhe të ngritet ndërgjegjësimi shoqëror për rëndësinë e kursimit, të theksohen përfitimet që sjell ajo për secilin, për secilën familje, por edhe për ekonominë në tërësi”, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska. Ajo shtoi se “për inkurajimin e kursimit veçanërisht është e rëndësishme edukimi financiar dhe atë që në moshë të hershme”. Kështu, Banka Popullore së bashku me Ministrinë e Financave dhe rregullatorë të tjerë financiarë në vitet e fundit më shumë investojnë në këtë sferë, dhe me miratimin e Strategjisë së parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare, të vendit tonë u dallua ndër të parat në rajon.“
Me rastin e shënimit të jubileut - 30 vjet nga pavarësia monetare, këtë vit temat e Konkursit iu kushtuan denarit. Nxënësit e arsimit fillor punuan me temën “Për denarin krijojmë për denarin festojmë: 30 vjet nga futja e denarit maqedonas!”, ndërsa nxënësit e arsimit të mesëm punuan me temën “Denari maqedonas si monedhë kombëtare - një nga simbolet e pavarësisë”.
“Edukimi financiar është proces afatgjatë me të cilën me futjen e programeve mësimore që në moshë të re, mundësohet përvetësimi i njohurive dhe aftësive për ndërtimin e sjelljes së përgjegjshme financiare gjatë secilës fazë të jetës. Në të njëjtën kohë, qytetarët më të arsimuar dhe më të informuar, të cilët menaxhojnë më mirë financat e tyre personale, paraqesin faktor gjithnjë e më të rëndësishëm në ndërtimin e sektorit financiar të qëndrueshëm dhe të besueshëm”, tha ministri Besimi. Ai shtoi se kursimi është shtyllë kryesore në stabilitetin e sistemit financiar, dhe nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme patën mundësinë e Konkursit të publikuar në mënyrë kreative të shprehin mendimet e tyre për temën e kursimit. “Punimet që i dërguan ishin të cilësisë së lartë dhe treguan se fëmijët dinë të trajtojnë paratë me përgjegjësi dhe kanë vizion se çfarë të bëjnë me to. Ata treguan se të rinjtë tanë kuptojnë se çfarë është kursimi, por edhe tregojnë se i kanë bazat për edukim financiar, të cilin do ta përmirësojnë në të ardhmen dhe kjo do t'u mundësojë të marrin vendime të sakta për zhvillimin e tyre dhe për zhvillimin e shtetit”, theksoi Besimi.
Për kënaqësinë e madhe të organizatorëve, në konkursin e këtij viti mbërritën gati 800 punime të nxënsve artistike e letrare, 15 prej të cilave u shpallën më të mirat në kategori të ndryshme. Nxënësit e arsimit fillor kishin dërguar gjithsej 771 krijime, nga të cilat 130 punime letrare - vjersha nga nxënësit e klasës së parë deri në të pestën, 128 punime letrare - tregime nga nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë dhe gjithsej 513 punime artistike – vizatime nga nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e nëntë të arsimit fillor. Nxënësit e shkollave të mesme, dërguan gjithsej 26 ese. Komisionet për përzgjedhjen e punimeve më të mira, të formuara nga përfaqësues të Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave, arritën në përfundim se rëndësia e temës së punimeve kontribuoi në thellimin e mëtejshëm të njohurive tek të rinjtë. Gjatë përzgjedhjes së punimeve për çmimin tek nxënësit e shkollave fillore, janë marrë parasysh karakteristikat kryesore të origjinalitetit në qasjen individuale, zgjuarsia, aftësia teknike, kreativiteti dhe ndjeshmëria. Në esetë e nxënësve të shkollave të mesme, megjithatë, kriteret më të rëndësishme ishin shtrirja dhe interpretimi i temës, si dhe mënyra e të shprehurit dhe e të shkruarit krijues.
Me këtë rast, guvernatorja Angellovska-Bezhoska falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi se ishte shumë e vështirë të zgjidheshin vetëm tri punime më të mira në secilën kategori, për shkak të numrit të madh të punimeve cilësore. Banka Popullore vazhdon me aktivitete edukative, duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit financiar për mbarë popullatën.