Banka Popullore dhe Enti Shtetëror i Statistikës bashkërisht shënuan Ditën Evropiane të Statistikës

Statistika cilësore është thelbësore për procesin e marrjes së vendimeve të mira dhe drejtimin e politikave të shëndosha ekonomike. Prandaj, në periudhën e fundit, duke ndjekur tendencat globale statistikore dhe nismat ndërkombëtare, ne kemi përmirësuar dhe mbindërtuar ndjeshëm statistikën tonë kombëtare me të dhëna të reja. Përgatitja dhe disiminimi i statistikave cilësore, në përputhje me standardet më të fundit evropiane dhe ndërkombëtare, është dhe gjithmonë do të jetë qëllimi ynë strategjik. Këto janë disa nga mesazhet e dërguara nga ngjarja me të cilën Banka Popullore dhe Enti Shtetëror i Statistikës (ESHS), sot bashkërisht shënuan Ditën Evropiane të Statistikave nën moton „Të dhëna më të mira, për një jetë më të mirë“.
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezoska hapi ngjarjen me fjalën e saj përshëndetëse. Ajo, gjithashtu iu referua sfidave për statistikat e bankave qendrore, në veçanti ndryshimet që kriza globale ekonomike dhe financiare i ka imponuar nëpërmjet kërkesave për rritje të përfshirjes, sistematizimin dhe desiminimin e të dhënave statistikore.
„Sfidat kryesore me të cilat aktualisht përballen shumë banka qendrore, kanë të bëjnë me teknologjinë që përpunon vëllimin e pasuruar të të dhënave, menaxhimin dhe standardizimin e tyre për qëllime statistikore, si dhe ruajtjen e parimit të konfidencialitetit përballë numrit të rritur të të dhënave individuale. Balancimi i nevojës së rritur të të dhënave dhe barrës së raportuesve është gjithashtu një sfidë.
E gjithë kjo nënkupton nevojën për një bashkëpunim dhe koordinim të zgjeruar midis të gjitha palëve të përfshira, përfshirë këtu edhe ndërmjet bartësve të hulumtimeve statistikore.“ - porositi Angelovska-Bezhovska, me ç’rast iu referua edhe disa projekteve të Bankës Popullore që synojnë t’u përgjigjen sfidave të reja statistikore ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për të përmirësuar edhe më tej infrastrukturën e vendimmarrjes.
Drejtori i ESHS-së, Apostol Simovski, theksoi se brenda sistemit kombëtar të statistikave, koordinatori i të cilit është ESHS-ja, secili pjesëmarrës ka rolin dhe përgjegjësinë e tij në prodhimin e statistikave nga fusha e tij e operimit. Siç theksoi ai, koordinimi dhe harmonizimi i të gjithë palëve të interesuara në këtë sistem është një parakusht thelbësor për përmbushjen e qëllimeve dhe detyrimeve të këtyre institucioneve.
„Banka Popullore, si prodhuese e statistikave monetare, të jashtme si dhe statistikave të llogarive financiare, është një nga lidhjet më të rëndësishme në prodhimit të statistikave zyrtare dhe është një partner i cili duke respektuar standardet dhe rregullat e sistemit statistikor evropian përfaqëson me sukses Republikën e Maqedonisë së Veriut në familjen e bankave qendrore evropiane. Roli i saj të kontribuojë në mirëmbajtjen e një sistemi financiar të qëndrueshëm, konkurrues dhe të orientuar kah tregu e bën atë shtyllë themelore për mbështetjen e politikës së përgjithshme ekonomike, pa rrezikuar arritjen e objektivit themelor dhe në përputhje me parimin e një ekonomie të tregut të hapur me konkurrencë të lirë”- tha mes tjerash Simovski.
Në ngjarje, fjalën e mori edhe shefi i Delegacionit Evropian, ambasadori Samuel Zhbogar, i cili theksoi se „një sistemi i paanshëm statistikor është thelbësor për çdo shoqëri. Nëpërmjet tij përgatiten të dhëna të sigurta të cilat i ndihmojnë vendit që të shfrytëzojnë mjetet publike në mënyrë sa më efikase dhe të përsosi politikat. Në fund, mundëson që sektori publik t'i shërbej qytetarëve. Të mos përmendim të gjitha përfitimet për sektorin privat. Shkurt, sistemi statistikor i cili është i drejtuar në mënyrë profesionale dhe që nuk i nënshtrohet ndikimit politik mund ta bëj vendin më të mirë për jetesë. BE-ja me vite ndihmon reformat në fushën e statistikës. Një ndër rezultatet është edhe projekti Regjistri i Popullsisë. Ky regjistër do të sjell shumë përfitime për qytetarët dhe kompanitë dhe do ta mbështesë realizimin e Regjistrimit.
Me rastin e Ditës Evropiane të Statistikave, mysafir special i Bankës Popullore ishte Per Nimand-Andersen, këshilltar i lartë i Bankës Qendrore Evropiane. Ai ligjëroi për rolin e komunitetit të bankingut qendror evropian në sigurimin e statistikave evropiane. Fokusi i ligjëratës u vendos mbi rolin e ECB-së në sigurimin e statistikave evropiane, rëndësinë në rritje të mikro të dhënave në përgatitjen e statistikave dhe vendimmarrjes, si dhe sfidat që i imponon në kryerjen e funksionit statistikor.
Gjatë diskutimit edhe një herë u përmend se përgjegjësia që kanë të gjithë palët e interesuara të mozaikut statistikor është e madhe – krijojnë të mirë publike, përfitimet e të cilave ndjehen nga çdo individ, si dhe institucionet dhe politikë-bërësit, dhe e gjithë kjo kontribuon për një shoqëri të shëndetshme dhe përparimtare.
Banka Popullore dhe ESHS-ja janë të angazhuara në mënyrë të vendosur për të zhvilluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë për përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit kombëtar statistikor.