Shkup, 28 korrik 2023
Miratohet Raporti i tremujorit të dytë për vitin 2023
Këshilli i Bankës Popullore në seancën e tij të rregullt miratoi Raportin e tremujorit për tremujorin e dytë të vitit 2023. Në Raport përfundohet se gjatë tremujorit të dytë, norma vjetore e inflacionit vijon të ngadalësohet, ndërkohë që Banka Popullore për të stabilizuar inflacionin dhe pritjet inflacioniste e shtrëngoi politikën monetare, mirëpo mori edhe masa të tjera, në harmoni me bankat e tjera qendrore. Për sa i përket arritjeve, rritja e aktivitetit ekonomik vendas u përshpejtua, pak më fuqishëm nga pritshmëritë e parashikimeve të fundit, ndërsa të dhënat më të fundit me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë 2023 tregojnë për rritje të mëtejshme, por, më të moderuar të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të këtij viti. Norma vjetore e inflacionit u ngadalësua më tej dhe në fund të tremujorit të dytë shënoi vlerën 9,3%, që është në pajtueshmëri me projeksionin e prillit. Pozicioni i jashtëm i ekonomisë po përmirësohet, për çka rezervat valutore mbahen në zonën e sigurt. Konkretisht, në tremujorin e parë të vitit 2023, llogaria rrjedhëse e bilancit pagesor shënoi suficit, dhe lëvizjet e favorshme në transaksionet rrjedhëse janë rezultat i arritjeve pozitive në të gjitha kategoritë, në pjesë më të madhe për shkak të reduktimit të deficitit në shkëmbimin e mallrave me vendet e huaja, para se gjithash për shkak të uljes së importit.
Të dhënat monetare gjithashtu tregojnë zhvillime të favorshme. Gjegjësisht, rritja vjetore e depozitave vazhdon të përshpejtohet, ndërksa këto arritje janë më të mira se pritjet sipas projeksionit të prillit. Ndërkaq, edhe më tej ka zhvillime të favorshme në terma dhe në strukturën valutore të kursimeve (rritje e depozitave afatgjata dhe në denarë), duke reflektuar efektet e masave të ndërmarra nga Banka Popullore dhe pritjet e stabilizuara të subjekteve ekonomike. Bankat vazhdojnë të ofrojnë mbështetje kreditore për ekonominë vendase, por rritja është e moderuar dhe pak më e mirë nga pritshmëritë. Pavarësisht arritjeve, rreziqet për perspektivën ekonomike ende ekzistojnë dhe lindin nga zhvillimi i luftës në Ukrainë, tensionet gjeopolitike në kuadër global, forca e shtrëngimit të kushteve financiare, si dhe trazirat e mundshme të mëtejshme në sektorin financiar. Banka Popullore i mbikëqyr me kujdes të dhënat dhe rreziqet makroekonomike dhe është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masa që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.
Në Seancën e Këshillit është miratuar edhe Informacioni vjetor për pagesat në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2022, në të cilin u përcaktua se peizazhi i pagesave në vend karakterizohet nga rritja e mëtejshme e përdorimit të shërbimeve pagesore nga qytetarët dhe kompanitë për kryerjen e pagesave pa para të gatshme për produktet dhe shërbimet në vend, të cilat i mundësojnë ofruesit e shërbimeve pagesore. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 195 milionë transaksione pagesore, që paraqet rritje vjetore prej 6,8%, që pothuajse në tërësi rezulton nga rritja e numrit të transaksioneve me kartela pagesore për 13,1%. Me këtë, pjesëmarrja e tyre në numrin total të transaksioneve pa para të gatshme arriti në 62,1% të konsiderueshme, me rritje njëkohësisht të vlerës së këtyre transaksioneve me 18,7%.