Shkup, 28 maj 2023
Në forumin e biznesit “Perspektiva ekonomike për zhvillim të parashikueshëm” në organizim të agjencisë “Marili” mori pjesë drejtoresha e Sektorit për politikë monetare, hulumtime dhe statistikë në Bankën Popullore, Sulltanija Bojçeva-Terzijan. Temat që u diskutuan në forumin e biznesit kanë të bëjnë me ekonominë e qëndrueshme, veçanërisht sfidat energjetike si mundësi të reja në ekonomi, si dhe politikat dhe modelet për zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë dhe industrisë ushqimore.
Drejtoresha Bojçeva-Terzijan në prezantimin e saj me titull "Çka e pret ekonominë maqedonase në periudhën e ardhshme?" - një vështrim përmes projeksioneve makroekonomike pranverore të bankës qendrore”, iu referua gjendjeve aktuale, si dhe pritshmërive për ekonominë për vitin dhe në periudhën afatmesme, në pajtim me ciklin e fundit të muajit maj të projeksioneve makroekonomike të Bankës Popullore. Në kuadër të sfidave energjetike, Bojçeva-Terzijan theksoi ndikimin e krizës energjetike në pozicionin e jashtëm në vend, si dhe në inflacionin në vitin 2022. Në periudhën e ardhshme, duke marrë parasysh pritjet për ulje të ndjeshme të çmimeve botërore të energjisë dhe ushqimit, është e mundur ulje më e ndjeshme e deficitit tregtar dhe presioneve të çmimeve, gjegjësisht stabilizimi i tyre në nivelet si para krizës. Prandaj, vëmendje duhet t'i kushtohet inkurajimit të financave të gjelbra, si pjesë e angazhimit për tranzicion të gjelbërt. "Përmes projektimit të produkteve financiare të gjelbra dhe kanalizimit të burimeve në investime të gjelbra, sektori financiar mund të ofrojë mbështetje të konsiderueshme për tranzicionin energjetik të ekonomisë," thekson Bojçeva-Terzijan.
Për momentin, pjesëmarrja e financave të gjelbra është relativisht e vogël, por bankat po fokusohen gjithnjë e më shumë në kreditë e gjelbra, të cilat janë potencial i rëndësishm në të ardhmen për financimin e projekteve për mjedisin jetësor dhe, në përgjithësi, për rritje të qëndrueshme. Banka Popullore vendosi sistem të rregullt për mbledhjen e të dhënave të detajuara për financimin e gjelbër. “Të dhënat nga banka për kreditë e miratuara për financimin e gjelbër tregojnë se kreditimi i gjelbër shënoi rritje të vazhdueshme dhe në fund të vitit 2022, krahasuar me vitin 2019, është rritur për 114%. Shuma totale e kredive të gjelbra në fund të vitit 2022 është rreth 250 milionë euro. Ato marrin pjesë me 3,6% në totalin e kredive, por pjesëmarrja e tyre vazhdimisht rritet. Kreditë e gjelbra u miratohen edhe kompanive edhe popullatës, por kryesisht kompanive”, theksoi drejtoresha Bojçeva-Terzijan.
Banka Popullore ka ndërmarrë më shumë aktivitete për të inkurajuar financimin e gjelbër në vitet e fundit. “Në kuadër të masave monetare është marrë vendim për ndryshimin e instrumentit të rezervës së detyrueshme, me të cilën inkurajohet kreditimi i projekteve që kanë të bëjnë me prodhimin vendas të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme, dhe po përgatitet Strategjia për aktivitetet e Bankës Popullore në fushën e menaxhimit me rreziqet klimatike”, tha Bojçeva-Terzian.
Forumi i biznesit është pjesë e manifestimit "Zgjedhja e grave më të suksesshme menaxhere", e cila mbahet për 27 vjet me radhë dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për kontributin që jep gruaja dhe çka mund të japë në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë.