Shkup, 28 maj 2021
Gjatë rënies së kërkesës për eksport për mallrat dhe shërbimet tona gjatë vitit të kaluar, e cila ishte e njëjtë sipas intensitetit si gjatë krizës globale të vitit 2009, eksporti shënoi një rënie prej 10,1%. Për këtë vit, parashikohet një rimëkëmbje graduale e kërkesës së huaj dhe rritje e eksportit me rreth 15,2%, e cila është e rëndësishme për rimëkëmbjen e ekonomisë pas goditjes së dhënë nga pandemia. Në fakt, të dhënat për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë një rritje të qëndrueshme të eksportit.
Kjo, ndër të tjera, u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në uebinarin kushtuar rolit të politikës monetare gjatë periudhës së krizës së koronës dhe parashikimeve makroekonomike për vitin 2021, të organizuar nga Universiteti Goce Delçev - Shtip (UGD). Ngjarjen elektronike e hapën prorektori për ligjërata i UGD-së, prof. Dr. Mishko Xhidrov, dekania e Fakultetit Ekonomik të UGD-së, prof. Dr. Olivera Gjorgieva-Trajkovska dhe prof. Dr. Darko Lazarov.
Në pjesën hyrëse të prezantimit, duke iu referuar mjedisit global dhe perceptimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Angelovska-Bezhoska, vëri në dukje edhe rëndësinë e mjedisit global për aktivitetin eksportues të ekonomisë maqedonase.
Për ne, si një ekonomi e vogël, rimëkëmbja e ekonomisë globale, gjegjësisht partnerëve tanë ekonomikë, është me rëndësi thelbësore. FMN-ja parashikon një rritje të ekonomisë evropiane prej 4,4% dhe 3,6% për ekonominë gjermane, e cila përbën mbi 50% të eksportit tonë. Është me rëndësi të veçantë që pritet një rritje e qëndrueshme e industrisë gjermane për shkak të përfshirjes së kapaciteteve vendore prodhuese në zinxhirët gjerman të prodhimtarisë së automjeteve. - theksoi guvernatorja.
Ajo theksoi se rreziqet për parashikimet janë kryesisht të lidhura me kohëzgjatjen e pandemisë, procesin e vaksinimit, vazhdimin e masave për mbështetje të ekonomive, si dhe shpejtësinë e kthimit të besimit dhe stabilizimin e pritjeve të konsumatorëve dhe investitorëve.
Në fjalën e saj, Angelovska-Bezhoska dha një pasqyrë krahasuese të reagimeve të vendimmarrësve të politikës monetare dhe fiskale në vendin tonë, në rajon dhe në nivel global, që nga shpërthimi i pandemisë këtej, si dhe për pikëpamjet rreth efekteve të deritanishme. Pastaj, ajo prezantoi skenarin makroekonomik të Bankës Popullore për periudhën e viteve 2021-2023, duke u përqendruar veçmas në të gjithë segmentet kryesore - pritjet për rritje ekonomike, lëvizjen e çmimeve, bilancin e pagesave dhe rritja e pritur e depozitave dhe kredive.
Pritet që vitit 2021 të jetë një vit i rimëkëmbjes graduale të ekonomisë së brendshme, me një rritje ekonomike të mbështetur nga sistemi bankar. Rritja ekonomike nuk do të shkaktojë presione më të mëdha mbi inflacionin, i cili kryesisht do të ruhet në një nivel të moderuar. - theksoi guvernatorja në përfundim të fjalës së saj, pas së cilës përmendi edhe rreziqet për parashikimet, duke theksuar se Banka Popullore do të monitorojë nga afër zhvillimet edhe në periudhën e ardhshme.
Është veçanërisht i gëzueshëm fakti që në uebinar morën pjesë një numër i madh studentësh. Në diskutim, ata morën pjesë me një numër të madh pyetjesh, të cilat ndihmuan për krijuar një pasqyrë të plotë analitike të gjendjeve në ekonomi dhe pritjeve për periudhën e ardhshme.