Shkup, 28 prill 2025
Drejtori i statistikës së FMN-së, Albert Kruse, shprehu kënaqësinë për progresin e mëtejshëm të Bankës Popullore në fushën e statistikave, me vlerësim pozitiv për cilësinë, vëllimin dhe aktualitetin e të dhënave të publikuara, të cilat janë në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare. Kështu, u theksua se Banka Popullore mbledh, përgatit dhe publikon të dhëna sipas standardit më të lartë statistikor, SDDS Plus të FMN-së, në mënyrë transparente dhe në kohë, në pajtim me Kalendarin e publikimit të të dhënave. Kjo u theksua në takimin që ai pati me guvernatoren e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, dhe zëvendësguvernatorët, Fadil Bajrami dhe Ana Mitreska, të mbajtur në margjinat e Takimeve pranverore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Në takim u diskutua progresi dhe planet e ardhshme të Bankës Popullore në fushën e statistikave.
Delegacioni i Bankës Popullore theksoi përpjekjet për të përmirësuar komunikimin me publikun, përmes prezantimit më të qartë vizual të të dhënave, aktivitetit mediatik dhe ndërveprimit në rrjetet sociale. Guvernatorja theksoi që Banka Popullore vazhdimisht punon në zhvillimin e grupeve të reja të të dhënave dhe disponueshmërinë e tyre për publikun e gjerë. Kështu, që nga tetori i vitit 2024, të dhënat e llogarive financiare janë pasuruar me bilancet e konsoliduara tremujore dhe vjetore, dhe deri në fund të vitit 2025, duhet të publikohen edhe të dhënat mbi flukset financiare sipas sektorëve.
Në takim u diskutua edhe për përmirësimet në statistikat e jashtme, të cilat mundësuan shkurtimin e afateve për përgatitjen dhe dorëzimin e të dhënave mujore të bilancit të pagesave dhe të dhënave tremujore mbi pozicionin ndërkombëtar të investimeve në Eurostat, në pajtim me standardet dhe kërkesat e BE-së. Në fushën e statistikave monetare, ka filluar gjithashtu shkëmbimi vullnetar i të dhënave mbi normat e interesit me Bankën Qendrore Europiane.
Delegacioni i Bankës Popullore tregoi se, me qëllim forcimin e mbështetjes për raportuesit dhe zvogëlimin e mundimit për raportim të të dhënave statistikore, vazhdohet me aktivitetet për digjitalizim më të madh të procesit të raportimit. Në këtë drejtim, po punohet edhe për raportimin e thjeshtuar nga bankat për qëllime statistikore mbi transaksionet e pagesave jashtë vendit dhe për harmonizimin me standardet SEPA. Gjithashtu, gradualisht përfundojnë aktivitetet që lidhen me projektin afatgjatë për krijimin e sistemit të detajuar të raportimit për nevojat e statistikave dhe mbikëqyrjes ISIDORA.
Në takim u theksua se Banka Popullore bashkëpunon në mënyrë aktive me FMN-në në nisma të reja në fushën e statistikave dhe ndjek rekomandimet metodologjike me qëllim arritjen e një cilësie më të mirë të të dhënave. Me qëllim që të bëhen përmirësime metodologjike në të dhënat mbi remitancat dhe komponentët e tjerë të bilancit të pagesave, bazuar në rekomandimet e FMN-së, është hartuar propozim model për vlerësim që është dorëzuar në Fond.
FMN-ja theksoi se me ndihmën e këtyre arritjeve, Banka Popullore dallohet si institucion që po përshtatet në mënyrë aktive me standardet globale, duke ofruar të dhëna statistikore cilësore dhe në kohë si bazë për zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik.
Delegacioni i Bankës Popullore u takua gjithashtu me përfaqësues të Departamentit të çështjeve monetare dhe financiare (MCM) dhe Departamentit ligjor të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku diskutuan aktivitetet aktuale dhe bashkëpunimin e mëtejshëm të mundshëm në fushën e forcimit të kuadrit monetar, duke përfshirë mjetet për analizimin e politikës monetare dhe kuadrin normativ. U shqyrtua gjithashtu mundësia e mbështetjes teknike për përafrim me praktikat e mira ndërkombëtare dhe standardet e Fondit.