Shkup, 27 dhjetor 2023
Sektori bankar vazhdon të jetë i sigurt dhe stabil, u miratua vendimi për të forcuar më tej rezistencën
Më 21 dhe 27 dhjetor janë mbajtur dy mbledhje të Këshillit të Bankës Popullore. Këshilli i Bankës Popullore miratoi Raportin për rreziqet në sistemin bankar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në tremujorin e tretë të vitit 2023. Gjithashtu, Këshilli miratoi vendim për rritje të re të normës së shtresës kundërciklike për veprim parandalues dhe forcimin e mëtejshëm të rezistencës së bankave.
Sipas Raportit për rreziqet në sistemin bankar gjatë tremujorit të tretë, treguesit e ekspozimit ndaj rrezikut të sektorit bankar janë të qëndrueshëm dhe në mënyrë shtesë janë përmirësuar, ndërsa testet e stresit tregojnë për kapacitet të mirë për të përballuar goditjet e mundshme. Mjedisi në të cilin operojnë bankat karakterizohet nga stabilizim gradual i rritjes së çmimeve dhe tregun e favorshëm të këmbimit valutor, por edhe më tej ka rreziqe dhe pasiguri, të cilat janë të shkaktuara kryesisht nga faktorë të jashtëm. Prandaj, Raporti thekson nevojën për vazhdimin e mbikëqyrjes së kujdesshme të rreziqeve si nga ana e bankave ashtu edhe nga Banka Popullore dhe marrjen e masave nëse është e nevojshme. Në kushte të tilla, bankat vazhdojnë pa probleme të zhvillojnë veprimtarinë e tyre bankare, megjithëse ka ngadalësim të caktuar të aktivitetit kreditor dhe depozitues, por rritja është ende solide. Ndryshime të favorshme ka në valutë dhe në maturitet të depozitave Aftësia paguese e sistemit bankar është përmirësuar, ku raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit arriti në 18,4%, që është niveli më i lartë i shtatëmbëdhjetë viteve të fundit. Portofoli i kredisë së bankave është me cilësi të mirëdhe për momentin nuk ka shenja të realizimit të konsiderueshëm të rrezikut të kredisë, dhe pesha e kredive me probleme në totalin e kredive prej 2,8% është në nivelin e minimumit historik.
Bazuar në vlerësimin e rregullt tremujor të rreziqeve sistemike, i cili përfshin të dhënat për tremujorin e tretë të vitit 2023, duke përfshirë këtu treguesit më të fundit, Këshilli i Bankës Popullore mori vendim për rritjen e normës së shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit për ekspozimet e bankave në Republikën e Maqedonisë së Veriut për 0,25 pikë përqindjeje, nga 1,25% e përcaktuar më parë në 1,5%, e zbatueshme në tremujorin e parë të vitit 2025. Me qëllim të forcimit të mëtejshëm të rezistencës të sistemit bankar, në mungesë të rreziqeve në bilancet e bankave dhe përfitimit solid, Banka Popullore, gjatë vitit 2023, në disa rriti nivelin e shtresës kundërciklike të mbrojtjes së kapitalit.
Këshilli i Bankës Popullore shqyrtoi edhe disa çështje të tjera lidhur me operimin dhe aktivitetet aktuale të bankës qendrore.