Shkup, 27 nëntor 2024
Kreditë e gjelbra po shfaqin një rritje vjetore në portofolet e bankave edhe në tremujorin e tretë të vitit 2024. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në fund të shtatorit të vitit 2024, rritja e kredive të gjelbra në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është 1,4 miliardë denarë ose 7,4%. Krahasuar me fundin e vitit 2019, kur filloi mbledhja dhe publikimi i këtyre të dhënave, kreditë e gjelbra janë rritur me 2,8 herë. Kreditë e gjelbra janë kredi të destinuara për projekte që mbështesin qëllime të qëndrueshme, mjedisore ose qëllime që kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër në shoqëri, siç janë investimet në teknologji të reja mjedisore.
Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2024, shuma e kredive të gjelbra në bilancet e bankave arrin në 20.350 milionë denarë. Për krahasim, në fund të vitit 2019 ato arritën në 7.176 milionë denarë. Deri në tremujorin e tretë të vitit 2024, gjendja e kredive të miratuara për kompanitë është 19.355 milionë denarë, ndërsa për ekonomitë familjare është 995 milionë denarë.
Pjesëmarrja e kredive të gjelbra në totalin e kredive është ende në një nivel relativisht të ulët, por nga fundi i vitit 2019, në tremujorin e tretë 2024, vihet re një ndryshim nga 2,2% në 4,4%.
Banka Popullore, duke njohur rreziqet e ndryshimeve klimatike në terma afatgjatë, mori një qëndrim proaktiv dhe vendosi si një nga synimet e saj strategjike rritjen e ndërgjegjësimit për ndryshimet klimatike dhe kontributin për një ekonomi të gjelbër të qëndrueshme. Nëpërmjet një sërë aktivitetesh, banka jonë qendrore kontribuon në nxitjen e financimit të gjelbër, duke përfshirë edhe masat monetare.
Për këtë qëllim, Banka Popullore që nga vitit 2022, në ueb-faqen e saj filloi të publikojë të dhëna tremujore për kreditë e gjelbërta të miratuara për amvisëritë dhe shoqëritë, të cilat mund t'i gjeni në linkun e mëposhtëm:
https://www.nbrm.mk/podatotsi_i_pokazatieli_za_bankarskiot_sistiem_na_riepublika_makiedonija.nspx