Shkup, 27 nëntor 2023
Guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska dhe zëvendësministri i Financave Filip Nikolloski sot ndanë çmimet e fituara nga nxënësit në kuadër të Konkursit për përzgjedhjen e krijimeve më të mira artistike dhe letrare me rastin e Ditës Botërore të Kursimit - 31 Tetor.
“Konkursi është pjesë e aktiviteteve të Bankës Popullore, kushtuar popullatës më të re, duke inkurajuar të mendojnë në mënyrë kreative dhe të fitojnë njohuri të reja financiare. Sipas anketës së OECD-së për EQJL-në, 40% e të rinjve shpenzojnë më shumë se mundësitë e veta, kanë probleme me menaxhimin e financave të tyre personale dhe vetëm 15% kursejnë, krahasuar me 60% të të rinjve në BE. Prandaj, sivjet temat e caktuara ishin të lidhura me kursimet si mjet kryesor për të ardhme më të mirë financiare për të rinjtë”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska duke iu drejtuar të pranishmëve. Ajo theksoi se kursimi është aspekt i rëndësishëm në procesin e të pjekurit të të rinjve, sepse u mëson menaxhimin racional të fondeve, i cili do të formësojë në masë të madhe edhe të ardhmen e tyre. Njëkohësisht theksoi: “Banka Popullore vazhdimisht zgjeron aktivitetet për edukimin financiar, si një nga synimet tona strategjike, për të cilën u miratua Strategjia e parë kombëtare për Edukim Financiar dhe përfshirje. Është e nevojshme të bëhen përpjekje në këtë sferë, veçanërisht duke marrë parasysh rezultatet e anketave sipas të cilave të rinjtë në vendin tonë, ngjashëm me rajonin e EQLJ-së, kanë edukim më të ulët financiar në raport me grupet më të rritura të popullsisë. Dhe njohuritë e pamjaftueshme financiare reflektohen në sjellje të papërshtatshme financiare, gjegjësisht me më pak kursime dhe investim në të ardhme më të mirë. Prandaj, edukimi i më të rinjve që nga bankat shkollore duhet të jetë prioritet për politikëbërësit”.
“Edukimi financiar është një nga mjetet më të fuqishme që kemi në dispozicion për të siguruar mundësitë tona financiare dhe për të arritur qëllimet tona financiare. Prandaj është e rëndësishme të vendosim edukimin financiar në qendër të shkollave tona, komuniteteve tona dhe jetës sonë. Ai është proces afatgjatë dhe me inkorporimin e tij në programet mësimore që në moshë të hershme mundësohet fitimi i njohurive dhe shkathtësive për ndërtimin e sjelljes së përgjegjshme financiare në çdo fazë të jetës”, theksoi zëvendësministri i Financave Filip Nikolloski. Njëkohësisht, ai shtoi se qytetarët më të arsimuar dhe më të informuar i menaxhojnë më mirë financat e tyre personale dhe përfaqësojnë faktor të rëndësishëm në ndërtimin e sektorit financiar stabil dhe të sigurt. “Kjo ngjarje kalon në traditë të mrekullueshme dhe paraqet frymëzim për të motivuar veten dhe të tjerët që t'i vendosim financat në radhë të parë në mënyrë që së bashku të krijojmë të ardhme më të mirë financiare për ne dhe gjeneratat tona të ardhshme”, theksoi Nikolloski.
Konkursi me të cilin festojmë Ditën Botërore të Kursimit - 31 Tetor u mbajt për të njëmbëdhjetën herë. Këtë vit u dorëzuan gjithsej 375 punime të nxënësve në dy temat e përzgjedhura: “Kursej me mençuri – jetoj më mirë: Investoj në të ardhmen time” për arsimin fillor dhe “Kursimi – një hap drejt pavarësisë financiare” për arsimin e mesëm. Komisionet për përzgjedhjen e punimeve më të mira, të formuara nga përfaqësues të Bankës Popullore dhe të Ministrisë së Financave, gjatë zgjedhjes së punimeve për çmim në mesin e nxënësve të shkollave fillore kanë marrë parasysh origjinalitetin në qasjen individuale, idenë, aftësinë teknike, risinë, kreativitetin dhe ndjeshmërinë . Gjatë vlerësimit të eseve të nxënësve të shkollave të mesme janë marrë parasysh përfshirja dhe interpretimi i temës, si dhe mënyra e të shprehurit dhe e të shkruarit kreativ.
Me këtë rast, guvernatorja Angellovska-Bezhoska falënderoi të gjithë nxënësit që morën pjesë në konkursin dhe mentorët e tyre dhe theksoi se Banka Popullore do të vazhdojë me aktivitete edukative edhe në të ardhmen dhe me intensitet më të madh, duke pasur parasysh rëndësinë e edukimit financiar për të rinjtë dhe për popullatën në përgjithësi.