Shkup, 27 tetor 2022
Vitin e kaluar 85,3% e popullsisë mbi 15 vjeç në vend posedonte llogari, ndërsa në rajon jemi në vendin e dytë për nga përfshirja financiare. Gjithnjë e më shumë, qytetarët tanë posedojnë kartela debiti dhe krediti dhe gjithnjë e më shumë njerëz blejnë onlajn, megjithatë ende jemi prapa mesatares europiane. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit të Bankës Botërore nga baza e të dhënave globale Findeks, të cilat i referohen 123 vendeve të botës (https://www.worldbank.org/en/publication/globalfindex).
Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se përfshirja financiare në vend po rritet gjithnjë e më shumë. Në pesë vitet e fundit është më e lartë për 8,7 pikë përqindjeje. Në rajon jemi në vendin e dytë për nga përfshirja financiare, menjëherë pas Serbisë (89%). Megjithatë, krahasuar me mesataren e Europës dhe Azisë Qendrore, jemi prapa për 4,7 pikë përqindjeje.
Sipas të dhënave të bazës së Findeksit, vërehet rritje e posedimit të kartelave të kreditit në popullatën tonë për 5 pikë përqindje (22%) në vitin 2021 krahasuar me vitin 2017, si dhe në përdorimin e kartelave pagesore për 6 pikë përqindje (43%), ndërsa posedimi i kartelave të debitit është i pandryshuar (53%). Krahasuar me vendet e rajonit, kemi përqindje më të lartë të përdorimit të kartelave të debitit apo kreditit në krahasim me Kosovën dhe Shqipërinë, ndërsa më të ulët në krahasim me Bullgarinë, Serbinë dhe Turqinë. Analizuar sipas grupmoshave, popullsia e moshës 15 deri në 24 vjeç ka shënuar rritjen më të madhe në vitin 2021 prej 18 pikë përqindjeje në krahasim me vitin 2017. Kjo tregon për përfshirjen më të madhe financiare mes të rinjve duke marrë parasysh posedimin e kartelave të debitit dhe kreditit.
Të dhënat tregojnë se popullsia mbi 15 vjeç në vendin tonë përdor gjithnjë e më shumë telefonin celular apo internetin për blerje onlajn. Në vitin 2021, 30,5% e popullsisë sonë blen onlajn, ndërsa në vitin 2017 kjo përqindje ishte 16,9%. Megjithatë, akoma është më e ulët në krahasim me vendet e Europës dhe Azisë Qendrore.
Përfshirja financiare është e një rëndësie të veçantë për zhvillimin ekonomik të një vendi, andaj një nga synimet strategjike të Bankës Popullore është të sigurojë nivel më të lartë të edukimit financiar dhe përfshirjes së popullatës. Është miratuar dhe po zbatohet Strategjia e parë kombëtare për edukimin financiar dhe përfshirjen financiare, e cila synon të sigurojë përfshirje më të madhe financiare në segmente të ndryshme të sistemit financiar, angazhim më të madh të institucioneve rregullatore në aspektin e edukimit dhe rregullimit, por edhe të institucioneve financiare private në lidhje me ofrimin e disponueshmërisë dhe ndërgjegjësimit më të madh të shërbimeve financiare të ofruara.