Shkup, 27 korrik 2023
Banka Evropiane për Investime vlerëson aktivitetet e ndërmarra nga Banka Popullore në vitet e fundit në fushën e financimit të gjelbër dhe është e gatshme të ofrojë mbështetje për aktivitetet e planifikuara në periudhën 2023 - 2025. Duke marrë parasysh rëndësinë e rreziqeve që sjellin ndryshimet klimatike në korniza globale, përfshirë edhe për sistemet financiare, nga viti 2020 ekonomia “e gjelbër” dhe e qëndrueshme është bërë një nga synimet strategjike të Bankës Popullore. Në vitin 2021, Banka Popullore u bë anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Financave të Gjelbërta, i cili përfshin bankat qendrore dhe rregullatorët financiarë, dhe në vitin 2022, për herë të parë u realizua anketë për të vlerësuar ndërgjegjësimin për këto rreziqe dhe mënyrën se si ato menaxhohen nga sistemi bankar. Banka Popullore është në fazën përfundimtare të hartimit të Strategjisë trevjeçare për nxitjen e financave të gjelbra.
Në takim, guvernatorja theksoi se strategjia e Bankës Popullore për nxitjen e financave të gjelbra do të ndikojë në disa segmente, duke përfshirë stabilitetin financiar, rregullimin dhe mbikëqyrjen bankare, politikën monetare, hulumtimin shkencor, tregjet financiare dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës dhe kapaciteteve organizative në Bankën Popullore. Disa nga aktivitetet më të rëndësishme në kuadër të Strategjisë janë përgatitja e udhëzimeve për funksionimin e bankave në fushën e menaxhimit të rreziqeve klimatike, si dhe testimi i stresit për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sistemit bankar ndaj ndryshimeve klimatike.
Përfaqësuesi i BEI-së, Bjorn Gabriel, vlerësoi pozitivisht aktivitetet e deritanishme të Bankës Popullore dhe shprehu gatishmërinë për të mbështetur zbatimin e Strategjisë përmes programit të BEI-së "Gjelbërimi i sistemeve financiare". Mbështetja do të synojë forcimin e kapaciteteve për vlerësimin e ndikimit të rreziqeve klimatike në stabilitetin e sistemit bankar, masat mbrojtëse, zhvillimin e politikave, kuadrin rregullator dhe instrumentet përkatëse për përballimin e rreziqeve. Për sa i përket formave dhe mënyrës së mbështetjes ndërmjet BEI-së dhe punonjësve të Bankës Popullore të angazhuar në këtë fushë u diskutuan më në detaje në punëtorinë e organizuar në Bankën Popullore.
Angazhimet e deritanishme të Bankës Popullore për rritjen e financimit të gjelbër kanë rezultuar me progres të dukshëm. Më konkretisht, që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave për kreditë e gjelbra në vend (fundi i vitit 2019), nga tremujori i parë i vitit, është vërejtur dyfishim i totalit të kredive të gjelbra të emetuara. Gjatë kësaj periudhe, “kreditë e gjelbra”, ose kreditë për financimin e energjisë së ripërtëritshme, efikasitetit energjetik, bujqësisë së qëndrueshme dhe inovacionit teknologjik, janë rritur dhe tani përbëjnë 3.7% të totalit të kredive. Banka Popullore mbështet financimin e gjelbër përmes një sërë masash, duke përfshirë edhe ndryshimet në instrumentin e rezervës së detyrueshme.