Shkup, 27 prill 2025
"Anëtarësimi i vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) është konfirmim i reformave të suksesshme rregullatore të udhëhequra nga Banka Popullore dhe rrjedhimisht i standardeve të larta rregullatore të aplikuara nga institucionet financiare, gjë që është e rëndësishme për inkurajimin e mëtejshëm të konkurrencës, inovacionit, por edhe për ruajtjen e stabilitetit financiar, si parakusht për stabilitetin makroekonomik. Banka Botërore (BB) do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e Bankës Popullore për lidhjen efektive të institucioneve tona financiare me sistemet europiane të pagesave, si dhe për t'u bashkuar me projektin rajonal të pagesave të menjëhershme.” Kjo u theksua në takimet e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska, me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, përkatësisht zëvendëspresidenten e BB-së për Europën dhe Azinë Qendrore, Antonella Basani, drejtorin për Ballkanin Perëndimor, Shijaoçing Ju, drejtorin për Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, Masimilijano Paoluçi, në kuadër të Takimeve pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore. Në takime morën pjesë edhe ministrja e Financave Gordana Dimitrieska Koçoska dhe viceguvernatorët Ana Mitreska dhe Fadil Bajrami.
Në drejtim të integrimit të mëtejmë të sistemit financiar dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe ekonominë, Angellovska-Bezhoska informoi për suksesin e arritur, përkatësisht anëtarësimin në SEPA. Ajo theksoi se ky hap është rezultat i përpjekjeve të mëdha në periudhën e kaluar për të reformuar kuadrin ligjor dhe rregullator dhe për ta përshtatur atë me standardet europiane. Ky angazhim strategjik jo vetëm që do të mundësojë pagesa ndërkufitare më efikase dhe më të lira, por do të mbështesë edhe procesin e integrimit europian.
"Anëtarësimi në SEPA është arritje strategjike, por edhe themel për sfidat e ardhshme. Banka Popullore, me mbështetjen e Bankës Botërore, vazhdon të harmonizojë legjislacionin kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Europian. Banka Popullore miratoi tashmë ndryshime shtesë në kuadrin rregullator për ekzekutimin e pagesave ndërkufitare, të cilat do të fillojnë të zbatohen nga 5 tetori i këtij viti, kur ofruesit e shërbimeve të pagesave do të jenë në gjendje që për herë të parë t'i bashkohen sistemeve të pagesave në SEPA. Vitin e ardhshëm, theksi do të jetë te pagesat e menjëhershme. Këto aktivitete dëshmojnë angazhimin e Bankës Popullore për integrimin e plotë financiar në BE”, theksoi guvernatorja në fjalimin e saj në tryezën e rrumbullakët kushtuar SEPA-s, duke treguar se bankat vendase, në bashkëpunim me Bankën Popullore, po punojnë shumë për t'u integruar plotësisht në ekosistemin europian të pagesave në muajt e ardhshëm, duke u ofruar klientëve të tyre shërbime të barabarta me ato të ofruara në BE.
Në takimet me përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore, u vlerësuan pozitivisht edhe politikat e Bankës Popullore për ruajtjen e stabilitetit financiar, me theks të veçantë në ndihmën teknike nga Banka Botërore, e cila, përmes projekteve të shumta, i forcon më tej kapacitetet e vendit dhe të bankës qendrore në disa fusha që lidhen me sistemin bankar. Ato lidhen me përmirësimin e kuadrit makroprudencial, si dhe me finalizimin e akteve nënligjore të Ligjit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme mbi Banka.
"Banka Popullore miratoi 12 vendime që plotësojnë kuadrin rregullator për ndërhyrje mbi banka, duke siguruar pajtueshmëri me standardet më të larta ndërkombëtare dhe praktikat e mira. Këto vendime përfaqësojnë hap të rëndësishëm drejt forcimit të mëtejshëm të stabilitetit të sistemit financiar dhe mbrojtjes së interesit publik", tha guvernatorja Angellovska-Bezhoska, e cila theksoi projektet që Banka Popullore ka zbatuar me mbështetjen e Bankës Botërore në fushën e rreziqeve klimatike, siç është zhvillimi i Metodologjisë për testimin e stresit të bankave komerciale.