Shkup, 27 mars 2025
Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni i Letrave me Vlerë, Agjencia për Mbikëqyrjen të Financimit Kapital të Sigurimit Pensional dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve, në bashkëpunim me shoqata dhe institucione nga sektori privat dhe civil që janë aktivë në fushën e edukimit financiar, javën e ardhshme, për të trembëdhjetën vit radhazi, do të shënojnë Javën Globale të Parasë. Java Globale e Parasë tradicionalisht shënohet përmes ligjëratave për grupmosha të ndryshme, publikimit të materialeve edukative në fushën e financave në faqet e internetit, mbajtjes s; seminareve me prezencë fizike ose onllajn, publikimit të përmbajtjeve edukative në rrjetet sociale.
Tema e Javës Globale të Parasë së këtij viti është: “Mendoni para se të ndiqni, për para të zgjuara nesër” (Think before you follow, wise money tomorrow). Tema trajton kompleksitetin e tendencave moderne financiare digjitale, shfaqjen e individëve që ofrojnë këshilla për investimet financiare (të a.q. “finfluencers”) dhe përdorimi në rritje i inteligjencës artificiale në përcaktimin e besueshmërisë së informacionit dhe këshillave financiare, veçanërisht për të rinjtë. Për më tepër, si paragjykimet emocionale ashtu edhe sjellja, veçanërisht mentaliteti i tufës, mund të nxisin vendime të këqija financiare nën presionin e kolegëve ose nën ndikimin e mediave sociale.
Në këtë kontekst, është me rëndësi të madhe për të rinjtë që të zhvillojnë aftësi të mira të menaxhimit të parave, të njohin nxitësit emocionalë dhe të kenë qasje kritike ndaj burimeve të informacionit. Përforcimi i njohurive financiare mund t'i ndihmojë të rinjtë të gjinden më mirë në tregjet financiare, të kundërshtojnë dhe të njohin këshillat e njëanshme që çojnë në vendime më të zgjuara financiare. Prandaj, tema e Javës Globale të Parasë së këtij viti inkurajon të rinjtë që të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm gjatë vendimmarrjeve financiare dhe përdorimit të teknologjisë moderne në sektorin financiar.
Në kuadër të shënimit të Javës Globale të Parasë, Banka Popullore do të organizojë disa ligjërata për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, fëmijët parashkollorë dhe studentët. Në të njëjtën kohë, çdo ditë do të publikohen pyetje në kuadër të kuizit edukativ në rrjetet sociale të Bankës Popullore. Në bashkëpunim me Unionin e Gjimnazistëve do të zhvillohet punëtori me nxënës të shkollave të mesme. Në të njëjtën kohë, Banka Popullore do të organizojë uebinar për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, para të cilëve do të mbahet prezantim me temën e Javës Globale të Parasë dhe diskutim. Ndaj, ftojmë mësuesit dhe profesorët të regjistrohen për të marrë pjesë në uebinar, dhe më pas të mbajnë prezantime të dedikuara për studentët e tyre, të cilat do të rrisin shtrirjen e studentëve të përfshirë. Banka Popullore mori pjesë në aktivitetet e shoqatës për rrjetëzimin e grave të suksesshme “Unë jam grua”, respektivisht do marrë pjesë në ligjëratë të një shkolle të mesme ekonomike dhe në panel të diskutimit mbi sigurinë kibernetike që do të mbahet në kuadër të Forumit Ekonomik të Gruas. Banka Popullore, organizativisht dhe me pjesëmarrje në Komisionin-juri, e mbështet konkursin kombëtar të Kuizit Europian të Parave për vitin 2025, i cili do të mbahet gjatë Javës Globale të Parasë (raundi i parë më 1 prill dhe raundi i dytë më 4 prill 2025).
Në kontekst ndërkombëtar, Java Globale e Parasë shënohet që nga viti 2012, me ndërprerje të vetme në vitin 2020 për shkak të pandemisë, organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Kjo nismë globale, e cila shënohet në më shumë se 176 vende të botës dhe që mbulon 60 milionë fëmijë dhe të rinj, rrit ndërgjegjësimin e të rinjve për edukimin financiar dhe njohuritë e tyre për paratë, kursimet, punësimin dhe sipërmarrjen. Më shumë informacion rreth Javës Globale të Parasë mund të gjeni në linkun: www.globalmoneyweek.org
Në raport me vendet e tjera, Java Globale e Parasë në vendin tonë mbahet dy javë më vonë, për shkak të tragjedisë në Koçan.