Shkup, 27 shkurt 2021
Projekti i binjakëzimit „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të saj në SEBQ“ po realizohet me sukses. Mbahen dy prezantime në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullativës bankare.
Banka Popullore angazhohet vazhdimisht për harmonizimin e rregullativës vendore dhe praktikave nga puna e saj me legjislacionin dhe kornizën e Bashkimit Evropian në fushën e mbikëqyrjes bankare. Kjo përfshihet në disa nga aktivitetet e projektit të binjakëzimit „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit të saj në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore“, të financuar nga Bashkimi Evropian. Konkretisht, në një nga komponentët e këtij projekti të rëndësishëm, aktivitetet i referohen vlerësimit mbikëqyrës të procesit të përcaktimit të likuiditetit të brendshëm (PLB), i cili si një risi u prezantua gjatë vitit të kaluar, si dhe përmirësimit të mbledhjes së të arkëtueshmeve dhe menaxhimit me kreditë me probleme nga ana e kreditorëve. Ekspertët e bankës tonë qendrore i realizojnë këto aktivitete të projektit në bashkëpunim me kolegët e tyre nga bankat qendrore të Gjermanisë, Holandës dhe Kroacisë.
Dje u mbajt një ngjarje elektronike në të cilën u prezantuan një pjesë e arritjeve gjatë projektit.
„Në mënyrë që të harmonizohet më tej me standardet e SEBQ-së, bazuar në përvojën e transferuar dhe në përputhje me praktikat më të mira në këtë fushë, Banka Popullore hartoi një metodologji të brendshme, gjegjësisht Manual për vlerësimin e procesit të përcaktimit të likuiditetit të brendshëm të bankave. Manuali përmban parime, udhëzime që sigurojnë zbatim të qëndrueshëm të qasjes gjatë vlerësimit mbikëqyrës të këtij procesi. Nga ana tjetër, duke shprehur qartë dhe në mënyrë transparente pritjet e Bankës Popullore për këtë proces, duke publikuar informacione në internet faqen e saj, si dhe përmes dialogut të ndërsjellë dhe formave të tjera të komunikimit me bankat do të sigurohet përmirësimi i kornizës dhe menaxhimit të këtij procesi në banka.“ - theksoi në fjalën e saj hyrëse, drejtoresha e Sektorit për Mbikëqyrje në Bankën Popullore, Viktoria Gligorova.
„Raporti i Komisionit Evropian për vendin tashmë disa vjet tregon progres të qëndrueshëm dhe nivel të moderuar të gatishmërisë në fushën e shërbimeve financiare, ku bankat dhe institucionet bankare kanë pjesën më të madhe. Gjatë dialogut për politikat, si dhe në takimin e Nënkomitetit për Tregun e Brendshëm dhe Konkurrencën, të mbajtur një ditë para kësaj ngjarjeje, Komisioni Evropian inkurajon autoritetet të vazhdojnë transpozimin e legjislacionit të Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh madhësinë dhe nivelin e zhvillimit në tregun lokal. Ne jemi të kënaqur që ndihma e Bashkimit Evropian dhe projektit të binjakëzimit mundëson shkëmbim të përvojave me kolegët nga bankat qendrore të Gjermanisë, Holandës dhe Kroacisë. Sigurisht, të gjitha këto aktivitete janë thelbësore për ruajtjen e stabilitetit financiar, politikave prudente dhe për sigurimin e mbrojtjes së mirë të konsumatorit për të mirën e të gjithë qytetarëve të vendit.“ - tha në fjalën e saj, Ruzhica Andronikova, këshilltar - menaxher programor në Delegacionin e Bashkimit Evropian.
Në pjesën e parë të ngjarjes, përfaqësuesit e Bankës Popullore iu referuan procesit të vlerësimit mbikëqyrës të rreziqeve, ndikimit të procesit të likuiditetit të brendshëm mbi qeverisjen korporative, metodologjisë së Bankës Popullore për PLB, parimet e saj si dhe njohurive fillestare dhe praktikat më të mira duke vlerësuar raportet e para PLB të cilat bankat i kanë dorëzuar në vitin 2020.
Në pjesën e dytë të ngjarjes, përfaqësuesit e Bankës Popullore të Kroacisë i prezantuan përvojat dhe zgjidhjet ligjore të zbatuara në Republikën e Kroacisë për shitje të kredive dhe u diskutua për zgjidhjet të cilat do të mund të zbatohen në vendin tonë. Në bazë të përvojës së transferuar, Banka Popullore do t’i shqyrtojë mundësitë për përmirësim të mëtejshëm të rregullativës së brendshme.
Në ngjarje u hapën më shumë çështje lidhur me zbatimin praktik të të dy aspekteve të diskutuara në prezantim, me ç’rast u shpreh gatishmëria e bankave për pranim dhe zbatim të përvojave dhe praktikave në Bashkimin Evropian. Duke bërë këtë, edhe një herë u vërtetua suksesi i këtij projekti përmes zbatimit të vazhdueshëm të aktiviteteve nga Banka Popullore për harmonizim të vazhdueshëm të rregullativës dhe praktikave të brendshme me legjislacionin e Bashkimit Evropian.