Njoftim i përbashkët i Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave
Shkup, 26 mars 2020
Miratohet Dekreti që përcakton se si bankat dhe shtëpitë e kursimeve, gjatë gjendjes së jashtëzakonshme mund t’u ofrojnë qytetarëve dhe firmave shtyrje të pagesës së kësteve dhe përfitime tjera që do të lehtësojnë pagesën e kredive gjatë korona-krizës. Dekreti është përgatitur nga Banka Popullore, Ministria e Financave dhe Asociacioni Bankar Maqedonase, me qëllim që gjatë gjendjes të jashtëzakonshme të thjeshtësohen dhe shpejtohen mundësitë e dhëna me ndryshimet rregullatore të miratuara nga Banka Popullore për lehtësimin e barrës financiare të qytetarëve dhe firmave, të cilët përballen ose mund të përballen me vështirësi reale në shlyerjen e kredive për bankat dhe shtëpitë e kursimeve për shkak të korona-krizës.
Dekreti mundëson që ndryshimi i kushteve të marrëveshjes së kredisë të kryhet më shpejt dhe më thjeshtë, pa rrezikuar shëndetin publik - pa vizituar zyrat dhe filialet dhe pa pritur rend në sportele për të nënshkruar anekset e marrëveshjeve.
Bankat dhe shtëpitë e kursimeve mund të ofrojnë kushte më të favorshme të marrëveshjeve të kredisë pa kërkesa paraprake nga klientët në fjalë, edhe atë përmes:
- shpalljeve në faqet e tyre zyrtare të internetit me një ofertë për ndryshimin të kushteve për pagesë të kredive dhe/ose
- njoftim të veçantë për klientët, përmes komunikimit elektronik dhe/ose me shkrim.
Dekreti përcakton që nëse personi fizik, në afat prej dhjetë ditëve nga shpallja, gjegjësisht marrja e ofertës, nuk e njofton bankën/shtëpinë e kursimit se e refuzon lehtësimin e barrës financiare, do të llogaritet se oferta për ndryshim të kushteve të marrëveshjes është pranuar.
Për të përfituar nga kushtet më të favorshme të ofruara, personat juridikë do të duhet të njoftojnë me shkrim ose në mënyrë elektronike bankën ose shtëpinë e kursimit se e pranojnë ofertën. Nëse personi juridik nuk e bën këtë në afat prej dhjetë ditëve, në pajtim me Dekretin do të llogaritet se oferta nuk është pranuar.
Sigurisht, mbetet edhe e drejta e huamarrësve për t’u drejtuar bankave dhe shtëpive të kursimeve, nëse vlerësojnë se një gjë e tillë është e nevojshme. Parashihet që ata të jenë në gjendje t’u drejtohen bankave dhe shtëpive të kursimeve në mënyrë elektronike ose me shkrim, ndërsa përgjigjet t’i marrin përmes komunikimit elektronik.
Siç është njoftuar tashmë, në pajtim me ndryshimet e miratuara rregullatore, bankat dhe shtëpitë e kursimeve do të jenë në gjendje të ofrojnë më shumë përfitime për qytetarët dhe firmat në fjalë:
- shtyrje gjegjësish grejs period për shlyerje të kredive;
- zgjatje të shlyerjes së kredisë për një periudhë më të gjatë;
- normë më të ulët të interesit etj.
Kjo vlen për të gjithë produktet e kredisë:
- konsumatore, banesore, hipotekare, kredi për makinë etj.;
- kartat e kreditit;
- mbitërheqje e lejuar (minusi i miratuar);
- kreditë e firmave.
Edhe gjatë përgatitjes së Dekretit, bankat dhe shtëpitë e kursimeve theksuan se janë të gatshme t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të huamarrësve të prekur nga korona-kriza. Në fakt, siç është përmendur më parë, ata janë të motivuara t’u ofrojnë qytetarëve dhe firmave të prekura mundësi të favorshme për ndryshim të kushteve ekzistuese të marrëveshjes. Dhe është në interesin e tyre që të ndihmojnë qytetarët dhe firmat për të tejkaluar goditjen aktuale dhe të kenë aftësinë të vazhdojnë të paguajnë detyrimet e tyre.
Në zbutjen e këtillë të barrës financiare të qytetarëve dhe firmave që përdorin kredi, dhe janë prekur nga korona-kriza, bankat dhe shtëpitë e kursimeve do të respektojnë kriteret e përcaktuara qartë në Vendimin mbi Metodologjinë për Menaxhimin e Rrezikut të Kredisë të miratuar nga Këshilli i Bankës Popullore.