Shkup, 26 dhjetor 2023
Besimi i qytetarëve te denari shihet në të dhënat e fundit për depozitat, sipas të cilave kursimet në valutën vendore shënuan rritje prej 11%, ndërsa në valutë të huaj prej 3%. Stabiliteti i kursit të denarit, që paraqet edhe shtyllën e stabilitetit makroekonomik, shihet përmes të gjithë treguesve, ndër të cilët më kryesore janë rezervat valutore, të cilat janë më të larta në krahasim me periudhën para pandemisë. Deri në fund të vitit pritet që ato të tejkalojnë katër miliardë euro dhe kjo kryesisht falë lëvizjeve pozitive në tregun valutor dhe blerjes së valutës nga Banka Popullore, theksoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska- Bezhoska, në intervistë për TV24.
Duke folur për lëvizjet monetare, guvernatorja theksoi se te depozitat vazhdon tendenca solide e rritjes. Sipas të dhënave më të fundit në dispozicion, totali i depozitave të popullsisë dhe të sektorit korporativ shënoi rritje vjetore prej 7,2%. Besimi i popullatës në monedhën vendase dhe në sektorin bankar vërehet përmes trendeve pozitive të rritjes së kursimeve dhe depozitave afatgjata në denarë, të cilat tregojnë një tjetër ndryshim të favorshëm strukturor. “Shkalla e rritjes së kursimeve afatgjata është 27%, që është rritja më e lartë në dekadën e fundit. Është mirë që kursimi po rritet, sepse te ne burimi bazë për financimin e aktivitetit kreditor është kursimi”, theksoi Angellovska-Bezhoska.
Për sa i përket kreditimit, guvernatorja bëri me dije se pavarësisht goditjeve, sistemi bankar vijon të ofrojë mbështetje solide kreditore. Theksoi se vitin e kaluar rritja e kredisë ishte rreth 9 % dhe për shkak të goditjes energjetike dhe importit të energjisë, rritja ishte e theksuar veçanërisht në sektorin e korporatave, ku ishte mbi 11%. Edhe këtë vit u shënua rritje e kreditimit, me ngadalësim të moderuar dhe normë vjetore prej rreth 5%, gjë që ishte e pritshme për shkak të ndryshimit të kushteve financiare, për shkak të reduktimit të nevojave të sektorit korporativ dhe për shkak të uljes së çmimeve të energjisë. Guvernatorja theksoi se në vendin tonë, megjithatë, ka rritje të kreditimit, ndërkohë që në një pjesë të madhe të vendeve të Bashkimit Europian, aktiviteti kreditor shënon ritme negative.
Duke folur për hendekun mes normave aktive dhe pasive të interesit, respektivisht interesat e kredive dhe depozitave, guvernatorja bëri të ditur se hendeku është duke u ngushtuar. “Nëse kthehemi rreth një dekadë më parë, diferenca e normës së interesit ishte më e lartë dhe arrinte në 4,8 pikë përqindjeje. Tendenca është në rënie dhe aktualisht është rreth 3,8 pikë përqindjeje. Nëse krahasojmë me BE-në, është e vërtetë që diferenca e interesit është më e lartë, e cila vjen si pasojë e konkurrencës më të lartë. Por, nga ana tjetër nëse krahasohemi me rajonin, me të cilin kemi ngjashmëri në ekonomi dhe në sistemin financiar, hendeku në vendin tonë është nga më të ulëtat. Është mirë që të ruhet ky trend i ngushtimit të hendekut që shohim tani dhe faktor kyç në këtë proces do të jetë forcimi i konkurrencës, por jo vetëm brenda sistemit bankar, por edhe konkurrenca në institucione të tjera financiare jobankare, të tilla që ka në sistemin e zhvilluar financiar europian”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska.