Shkup, 25 dhjetor 2021
Rritja më e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike e vendit është e mundur, nëse rritet potenciali për rritje, dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes politikave strukturore që do të veprojnë pozitivisht ndaj tre faktorëve nga të cilët varet rritja afatgjate - puna, vëllimi fizik i kapitalit dhe produktiviteti. “Pavarësisht sfidave që lidhen me pandeminë, nuk duhet t’i lëmë anash reformat strukturore – procesi i heqjes së barrierave strukturore duhet të jetë i pandërprerë”, tha në një intervistë për “Kapital“ guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska.
“Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, produktiviteti ynë është vetëm rreth 44% nga ai europian, vëllimi i kapitalit fizik vetëm rreth një e treta nga ai europian dhe ka një tendencë rënëse në rritjen e fuqisë punëtore."Këto shifra tregojnë qartë se ku duhet të drejtohen përpjekjet e politikbërësve", theksoi guvernatorja.
Angelovska-Bezhoska thekson se kriza e koronës edhe më shumë ka nxjerrë në pah problemet e vjetra dhe ka zbuluar probleme të reja strukturore që kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e disa modeleve të biznesit në periudhën pas pandemisë, si dhe nevojën për rikualifikim të fuqisë punëtore, ndryshimet në profilet profesionale të tregut të punës me “profesionet e së ardhmes” të reja, të gjitha këto edhe në kontekst të digjitalizimit të përshpejtuar.
Guvernatorja në intervistë thekson se ekonomitë e vogla, si kjo e jona, nuk mund të rriten shpejt pa një integrim më të madh tregtar dhe financiar. Prandaj për ne është veçanërisht e rëndësishme hyrja e mëtejshme e kompanive multinacionale, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e potencialit eksportues, do të përmirësojnë strukturën e eksportit, si dhe produktivitetin dhe konkurrencën.
“Në këtë kontekst është e nevojshme lidhja më e fortë e kompanive të huaja me kompanitë vendase, për të rritur efektet pozitive në ekonominë e përgjithshme. Parakusht i rëndësishëm për integrim më të madh janë sigurisht investimet publike që synojnë përmirësimin e infrastrukturës ekonomike, sociale dhe digjitale. Në këtë mënyrë do të mund të sigurohet rritje jo vetëm më e lartë, por edhe më cilësore e inkurajuar nga sektorët teknologjikisht të sofistikuar dhe inovativ”, thotë Angelovska-Bezhoska.