Shkup, 24 dhjetor 2024
Për vitin e ardhshëm, Banka Popullore pret një përshpejtim të moderuar të rritjes, i cili do të rritet në 3,3%, me kontribut pozitiv nga të gjithë komponentët e rritjes, përfshirë ciklin e paralajmëruar të investimeve publike dhe fluksin më të madh të investimeve të huaja direkte. Përshpejtimi i eksporteve pritet me rimëkëmbjen e mëtejshme të kushteve botërore, si dhe kontribut pozitiv të konsumit personal me rritjen e të ardhurave të disponueshme dhe pritjet për kreditim solid të popullsisë. Këtë e ka theksuar në një intervistë për “Radio maqedonase” guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska.
Angellovska-Bezhoska ka treguar tre faktorët bazë për rritjen ekonomike të një ekonomie - produktivitetin, kapitalin njerëzor dhe fizik, shtrirja e të cilave varet nga investimet publike dhe private. Për vitin e ardhshëm pritet një përmirësim i caktuar i investimeve, edhe në planin afatmesëm, për shkak të ciklit më të fuqishëm të paralajmëruar të investimeve publike dhe fluksit më të madh të investimeve të huaja direkte. Pritet që rritja e investimeve mesatarisht të arrijë rreth 7%. Në të njëjtën kohë, Angellovska-Bezhoska theksoi se investimet e huaja direkte në tre tremujorët e parë të këtij viti kanë kaluar 800 milionë euro. “Nëse këto tendenca vazhdojnë, është një sinjal i mirë për forcimin e aktivitetit investues dhe zmadhimin e potencialit të rritjes”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska dhe shtoi se nevojiten masa të rëndësishme reformuese për të ngritur nivelin e produktivitetit në ekonominë tonë, i cili aktualisht është gjysma e niveli mesatar i produktivitetit në BE.
Guvernatorja theksoi rëndësinë e eksportit, si një mjet i rëndësishëm për ekonomitë e vogla, të cilat nuk kanë tregun e tyre të madh dhe janë të orientuara drejt marketingut të prodhimit të tyre në tregjet e huaja. “Ekzistojnë një numër i madh i studimeve empirike që lidhin shkallën e tregtisë së jashtme në një vend (eksportet) dhe shkallën e konvergjencës. Në vendin tonë, në dy dekadat e fundit, konvergjenca e të ardhurave është dyfishuar, ndër të tjera, për shkak të rritjes së madhe të eksporteve nga 70% në 150% të PBB-së, duke na bërë vendin me hapjen më të madhe tregtare në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kemi pasur një rënie më të madhe të eksporteve gjatë pandemisë, por më pas ka pas një proces rikuperimi gradual. Në periudhën e fundit ka pasur një stabilizim të caktuar dhe këto tendenca janë më së shumti në përputhje me trendet botërore, ku vërehet një ngadalësim i rritjes së tregtisë botërore, e cila është ulur në 0,8%. Ekonomia maqedonase u ndikua edhe nga disa faktorë specifikë të brendshëm, gjegjësisht mosfunksionimi i përkohshëm i disa objekteve nga industria e përpunimit të metaleve dhe automobilave, të cilat shpresojmë se janë të përkohshme dhe që besojmë se do të kontribuojnë në përshpejtimin solid të eksporteve nga 5,8 % në afat të mesëm”, theksoi guvernatorja Angellovska-Bezhoska.
Gjatë vizitës, guvernatorja Angellovska-Bezhoska të gjithë gjenaratave të punonjësve uroi tetëdhjetëvjetorin e themelimit të “Radio Maqedonase”, duke u dëshiruar suksese të mëtejshme në kultivimin e frymës së traditës maqedonase.