Shkup, 24 nëntor 2023
Guvernatorja Angellovska-Bezhoska, me ftesë të ministres së financave të Holandës dhe OECD-së morri pjesë në ngjarje të kushtuar edukimit financiar. Takimi njëkohësisht e shënoi edhe fillimin e fazës së dytë të projektit të financuar nga ministria e financave të Holandës dhe INFE-OECD-së, synuar drejt mbështetjes së edukimit dhe përfshirjes financiare në rajonin e EQJL-së. Takimin e hapi nënkryetarja e Qeverisë së Holandës dhe ministrja e financave, Sigrid Kaag, duke iu drejtuar të pranishmëve.
“Digjitalizimi në financat sjell shumë përparësi, përfshirë edhe qasje më të mirë drejt financave, e cila është e rëndësishme për uljen e varfërisë dhe për rritje më të lartë ekonomike. Sipas disa hulumtimeve, me qasje më të lehtë deri te financat mund të zmadhohet rritja edhe për rreth 2 përqind, ndërsa nëse bëhet fjalë për qasje digjitale deri te financat, madje edhe më shumë. Mirëpo epoka digjitale sjell edhe rreziqe të reja. Rreziqet nga inovacionet digjitale, siç janë llojet e reja të mundshme të mashtrimeve elektronike, zbulimi, pyetjet rreth sigurisë dhe besueshmërisë së të dhënave, qasja më e lehtë deri te kreditë afatshkurtra dhe borxhi i tepërt i mundshëm i amvisërive, duhet të trajtohen me kujdes, jo vetëm nga pikëpamja rregullatore, por edhe përmes ngritjes së ndërgjegjësimit rreth tyre në kuadër të procesit të edukimit financiar”, theksoi guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska në panel diskutimin të titulluar “Njohuri financiare dhe edukim financiar: sfida të reja dhe prioritete strategjike”.
Ajo shtoi se përveç mundësive të reja për përfshirje, duhet të kemi parasysh se mungesa e aftësive dhe njohurive digjitale në fakt mund të kufizojë përfshirjen dhe përfitimet nga shërbimet digjitale financiare. Për këtë, duhet të zhvillohen iniciativa efektive për edukim financiar të cilat do ti përfshijnë financat në botën digjitale, të mbështeten dizajni dhe përdorimi i pajisjeve për të siguruar edukim financiar për gjeneratat e reja, por edhe të ngritet ndërgjegjësia edhe te gjeneratat më të vjetra.
Në panel diskutimin guvernatorja theksoi se në kuadër të fazës së parë të projektit, në vitet e kaluara, është bërë një progres i konsiderueshëm që u vërtetua edhe nga institucionet ndërkombëtare. Kështu, në vitin 2021 është miratuar Strategjia e Parë Kombëtare për Edukim dhe Përfshirje Financiare, disa dokumente strategjike dhe janë zbatuar edhe shumë aktivitete edukative, me të cilat mes tjerash, i kushtohet vëmendje edhe edukimit digjital. Për zbatim efektiv të Strategjisë, Banka Popullore i merr parasysh nevojat e popullsisë së re dhe të moshuarve dhe ofron lloje të ndryshme të mundësive të arsimimit për të gjithë popullatën, që përfshijnë ligjerata onlajn, publikime edukative në faqen e internetit dhe rrjeteve sociale, video lojra edukative dhe kuize onlajn. Banka Popullore së fundi publikoi edhe broshurë për përdorimin e shërbimeve digjitale financiare që përmban këshila të kuptueshme lehtë për përdorimin e sigurtë të këtyre shërbimeve.
Ngjarja, në të cilën morën pjesë guvernatorja Anita Angellovska-Bezhoska dhe ekonomistja kryesore e Bankës Popullore, Aneta Kërstevska, u mbajt në Hagë, Holandë, në kuadër të Mbledhjes Vjetore për Projektin Rajonal - Ndihmë Teknike për Edukim Financiar. Në ngjarjen morën pjesë përfaqësues të lartë të 10 shteteve nga EQJL-ja të cilat janë të përfshira në projektin.