Shkup, 24 korrik 2023
“Bankat qendrore në mbarë botën janë në fazën e zhvillimit të një politike monetare të shtrënguar, për të përballuar presionet mbi inflacionin dhe pritjet inflacioniste. Konsumi i reduktuar ose i vonuar në periudhat e rritjes së normave të interesit, duke inkurajuar njëkohësisht kursimet, kontribuon në kthimin e stabilitetit të çmimeve në terma afatgjate, i cili është i një rëndësie vendimtare për standardin e jetesës së popullsisë. Për momentin, inflacioni në aspektin global është duke u ngadalësuar, por rreziqet ende ekzistojnë dhe duhet vigjilencë e mëtejshme”, tha kryeekonomistja e Bankës Popullore, Aneta Krstevska, në një intervistë për “Blumberg Adria”.
Krstevska shpjegoi se shtrëngimi i politikës monetare sipas definicionit nënkupton ulje të konsumit, për të ulur inflacionin dhe pritjet inflacioniste. “Ne besojmë se në periudhat e inflacionit më të lartë, të gjithë e kuptojmë më mirë rëndësinë e stabilitetit të çmimeve, pra të normave të ulëta dhe të parashikueshme të inflacionit. “Inflacioni ekzistues shkaktohet kryesisht nga faktorët globalë – çmimet e ushqimeve dhe energjisë elektrike, por me efekte dytësore të çmimeve të tjera dhe pritjeve inflacioniste”, theksoi ajo.
Duke iu referuar kontekstit të brendshëm, Krstevska theksoi se inflacioni për tetë muaj është duke u ngadalësuar, ndërsa në muajt e fundit është shoqëruar me ngadalësim të inflacionit bazë, si dhe janë vërejtur trende pozitive në dinamikën dhe strukturën valutore të depozitave. Lëvizja e inflacionit aktualisht është në përputhje me projeksionin e fundit të Bankës Popullore, sipas të cilës inflacioni këtë vit do të arrijë mesatarisht 8-9% në vit (kundrejt 14,2% vitin e kaluar), dhe gjithashtu do të ngadalësohet edhe vitin e ardhshëm. Për lëvizjet e tregut valutor, kryeekonomistja e Bankës Popullore tregoi se ato janë të qëndrueshme, kurse rezervat valutore janë në nivel solid.
Lidhur me monitorimin e sinjaleve monetare nga sistemi bankar, Krstevska theksoi se sipas Anketës së Bankës Popullore për aktivitetin kreditor të bankave, përgjigjet e marra nga bankat tregojnë për një ndikim të shtuar të politikës monetare në politikat e sektori bankar. Këto përgjigje korrespondojnë me ndryshimet në rritje të normave të interesit të bankave, përfshirë depozitat, të cilat mundësuan një përshpejtim përkatës të rritjes së depozitave. “Ndryshimet në kreditë e reja të miratuara dhe depozitat e reja ishin më të dukshme, por me kalimin e kohës ai ndryshim u bë i dukshëm edhe në totalin e kredive dhe depozitave. Ndryshimet në normat pasive të interesit kanë qenë graduale, por konstante prej disa muajsh, gjë që i shtyn bankat t'i kushtojnë vëmendjen e duhur rendimentit të interesit të depozitave, si burimi bazë i financimit të tyre. Në çdo rast, Banka Popullore është kujdesur që ndryshimet në politikën monetare të jenë graduale, që të mos ketë ndryshime të papritura në ekonomi”, thekson Krstevska.
Në kushtet e pasigurisë globale dhe normave gjithnjë e më të larta të interesit, ashtu si në shumë vende të tjera të rajonit dhe më gjerë, rritja e kredisë është ngadalësuar pak që nga fillimi i këtij viti, por është ende e moderuar (6.5% në vit në maj). “Banka Popullore bëri përpjekje edhe në këto kushte për të përmirësuar strukturën e kreditimit, duke inkurajuar “kreditë e gjelbra” te bankat për të mbështetur tranzicionin energjetik të ekonomisë. Për këtë qëllim, Banka Popullore kohët e fundit ka përshtatur mjetet në dispozicion, d.m.th. ka vazhduar përdorimin e rezervës së detyrueshme për qëllime jokonvencionale (përjashtim nga rezerva e detyrueshme për kreditë për burimet e rinovueshme të energjisë), e cila u pasua me zgjerimin e portofolit të bankave. me "kredi të gjelbra " , tha kryeekonomistja e Bankës Popullore.