Njoftim i përbashkët i Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave
Shkup, 23 prill 2020
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) siguroi një mbështetje të konsiderueshme përmes Instrumentit për Financim të Shpejtë, në një shumë prej rreth 176 milionë eurosh, dhe do të vazhdojë të ofrojë mbështetje brenda mundësive për trajtimin e sfidave në mënyrë të duhur dhe rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë maqedonase. Bazat ekonomike janë të shëndosha, masat e marra janë të përshtatshme dhe do të ndihmojnë ekonominë të merret me tronditjen nga pandemia e Kovid-19.
Këto janë një pjesë e porosive nga takimi i guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska dhe ministres së Financave, Nina Angelovska, me drejtorin e Departamentit të FMN-së për Evropën, Pol Tomsen, në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore, që këtë vit zhvillohen në mënyrë elektronike.
Siç u theksua gjatë takimit, gjendja me virusin korona, këtë vit do të rezultojë me rënie të aktivitetit të të gjithë ekonomive në korniza globale. Kjo tashmë shihet qartë edhe nga parashikimet e FMN-së. Mirëpo, rënia e ekonomisë maqedonase dhe ekonomive në zhvillim në përgjithësi do të jetë më e ulët krahasuar me atë që pritet në vendet e zhvilluara. Nëse në korniza globale, kriza e koronës qetësohet deri në mes të vitit, vitin e ardhshëm do të ketë rimëkëmbje të ekonomisë maqedonase dhe përshpejtim të rritjes së saj.
Gjatë ditës së djeshme, guvernatorja e Bankës Popullore, Angelovska-Bezhoska dhe ministrja e Financave, Angelovska, morën pjesë edhe në mbledhjen e Konstituencës së FMN-s dhe Bankës Popullore, në të cilën vendi ynë është anëtar. Diskutimi u përqendrua në sfidat me të cilat përballen vendet e Konstituencës, me një theks të veçantë në rajonin tonë.
FMN-ja edhe në periudhën e ardhshme me kujdes do t’i ndjekë ngjarjet në ekonominë maqedonase dhe do të jetë në komunikim të vazhdueshëm me Bankën Popullore dhe Ministrinë e Financave.